Home KRYESORE Unë vetë jam mbesë emigrantesh, jam ‘frut’ multikulturash

Unë vetë jam mbesë emigrantesh, jam ‘frut’ multikulturash

Nga Adela Kolea

Familja ime e përzier mbart dy gjyshe të huaja dhe dy gjyshër shqiptarë. Përveçse të jem emigrante prej 27 vjetësh.

Ndaj, më neveriten dyfish ata persona të cekët e sipërfaqësorë shqiptarë, që trajtojnë termin “Emigrant” pa përgjegjësi, me ‘nonchalance’!

T’i vëmë pikat mbi “i”-të:
Injoranca s’ka brirë, paraprakisht.

Injoranca është autonome dhe prek personin, ashtu sikurse profesionistin, d.m.th nëse je inxhinier, gazetar, biolog etj, nuk përjashtohet fakti të jesh injorant, ndonëse i përgatitur në mikrokozmin e kufizuar dhe reduktuar që lidhet me profilin tënd profesional.

Aq më keq kur bën gafa edhe në profil profesional pastaj…

Kam pas shkruar një herë se “e keqja e shqiptarit është vetë shqiptari” dhe si një mantra, kjo sot përsëritet e më duhet fatkeqësisht t’i rikthehem argumentit…

Të sqarojmë një herë e mirë që racizmi i brendshëm shqiptar – përtej batutave cliché urbane mbi “katundarë dhe qytetarë” – midis emigrantëve shqiptarë dhe banorëve vendas, nuk duhet të ekzistojë!

Stigmatizimi i emigrantëve nga vendasit, shoqëruar me snobizmin dhe distancën që në emërtim “Ne” dhe “Ata”, është absurd!

Emigrantët shqiptarë, e dimë mirë se ç’përqindje të lartë të popullsisë përbëjnë dhe se ç’peshë mbartin për tokën mëmë por, përtej statistikave, emigrantët kanë emëruesin e përbashkët, Kombësinë Shqiptare – përtej nënshtetësive të huaja që kanë marrë relativisht – e cila i bën që sa herë të kthehen në vend të vet, vendit të mos i mbetet më gjë tjetër, përveçse t’u rezervojë mikpritje.

Atë mikpritje që shqiptari i rezervon zakonisht turistit të huaj e për të cilën bota na thur lavde.
E nga vendi i vet madje, emigrantët kanë ende pritshmëri, të cilat duhet të realizohen e vihen në praktikë.

Ne emigrantët e Italisë jemi në kontakt frekuent me Arbëreshët, shembulli më i mirë i ruajtjes së dashurisë ndaj atdheut, traditave e zakoneve, të cilët te ne, shqiptarët e sotëm shohin një urë lidhëse, mbi të cilën ndiejnë jehonën e të parëve të tyre. Para 5 minutash, sapo më shkruajti madje një mike arbëreshe …

E ne, ç’bëjmë?

Shqetësohemi nga dyndjet e emigrantëve dhe i etiketojmë ata si “Ata”, literalisht.
Si ata që s’janë si “Ne”.

Intelektualët kanë detyrën morale dhe akademike që të shuajnë disa mendësi të gabuara në këtë drejtim dhe jo t’i nxisin ato, ndërkohë që zhargoni urban mund edhe të ketë një nivel apo regjistër verbal inferior.

Ai intelektual duhet t’i kalojë fjalët e analizat në lupë zmadhuese para se të prononcohet në çdo target personash!

Share: