Home KRYESORE Britania në kaos fluturimesh

Britania në kaos fluturimesh

Gjigandi britanik i udhëtimeve, Thomas Cook, ka deklaruar falimentimin pasi po përballet me një borxh prej 1.7 miliardë paundësh dhe si pasojë rreth 20 mijë vende pune janë në rrezik në të gjithë botën, nga të cilat 9 mijë vetëm në Mbretërinë e Bashkuar.

Vetë kompania 178-vjeçare njoftoi se ka ndaluar aktivitetin me efekt të menjëhershëm pasi nuk arriti një marrëveshje shpëtimi me kreditorët që mund të parandalonte dështimin.

Si pasojë rreth 600,000 klientë të operatorit turistik që janë aktualisht me pushime, 150,000 prej të cilëve janë britanikë që duhet të kthehen në shtëpitë e tyre kishin mbetur pa përgjigje. Pavarsisht se do ti kushtojë 600 milionë paund nga paratë e taksapaguesve, qeveria premtoi se do ti rikthejë në shtëpi duke kryer operacionin Matterhorn, më të madhin që nga Lufta e Dytë botërore.

“Autoriteti i Aviacionit Civil po përgatit një plan riatdhesimi, më i madhi që nga Lufta e Dytë Botërore, dhe ne do t’i sjellim gjithë britanikët në shtëpi në datën e caktuar”, thanë zyrtarët.

Qeveria pranoi se ka kontraktuar 45 avionë për të kthyer në shtëpi pushuesit, avionë këta që do të përpiqen të fluturojnë në 64 trajektore.

Thomas Cook, filloi aktivitetin në vitin 1841 duke transportuar pasagjerë me trena në qytetet kryesore britanike. Pastaj u organizua për të menaxhuar udhëtimet jashtë vendit, duke u bërë agjensia e parë britanike turistike në Evropë./Opinion.al

Share: