Informacioni i klasifikuar sekret në bazë të të cilit presidenti i Republikës, Ilir Meta, ngriti pretendimin për pasjen e dijenisë mbi një tentativë për djegien e Kuvendit më 8 qershor, i është kaluar tanimë drejtuesit të Komisionit Hetimor, deputetit Ulsi Manja.
Në mbledhjen e zhvilluar ditën e sotme, Manja konfirmoi se materiali i është vënë në dispozicion nga institucioni i Presidencës dhe se anëtarët e Komisionit Hetimor, do të njihen me të nëse kanë nivelin e duhur të cerifikatës së sigurisë.
“Më 13 shtator ka përfunduar proceduara e plotë e vënies në dispozicion të këtij materiali nga ana e Presidentit dhe që do të jetë pjesë e dokumentacionit që kolegët e komisionit, në përputhje me ligjin me ‘informacionin e klasifikuar shtetëror’, do të njihen dhe do të bëhen pjesë e diskutimit të seancës ku do të shqyrtojmë dokumentetet e institucioneve”, deklaroi Manja.
Në seancën dëgjimore të javës së shkuar, presidenti Meta deklaroi se shfuqizimi i 30 qershorit si datë për zgjedhjet lokale u mor pas informacionit të komunikuar nga Shërbimi Informativ Shtetëror (SHISH) se një grup i caktuar kishte planifikuar të shfrytëzonte protestën e opozitës, më 8 qershor, për të djegur Parlamentin.