Home KRYESORE JA PËRSE JANË SHKATËRRUAR QENDRAT ARTISTIKE MULTIFUNKSIONALE NË TIRANË

JA PËRSE JANË SHKATËRRUAR QENDRAT ARTISTIKE MULTIFUNKSIONALE NË TIRANË

Nga Enriko Ceko

Unë sot do të flas për pesë qendra artistike multifunksionale të cilat kanë ekzistuar më parë në Tiranë dhe falenderoj Z. Budina për idenë për të folur sot për artin, kulturën, muzikën, etj.
Do e filloj me qendrën multifunksionale të Kombinatit të Tekstileve “Tekstilisti”. Kjo qendër është ndërtuar në vitet “50 të shekullit të kaluar. Në hyrje kishte shkallë të gjera, të cilat të drejtonin në hollin e ndërtesës, një holl rreth 350 – 400 m² me disa kollona të larta rreth 4.5 – 5 metra. Në këtë holl organizoheshin pritje e përcjellje qeveritare dhe ekspozita të ndryshshme. Në të dy anët e hollit kishte korridore në të cilat kishte zyra të shumta, të cilat shërbenin për drejtuesit dhe administratën e qendrës si dhe për mjedise ku organizoheshin kurse për instrumenta muzikorë dhe ku artistët përgatiteshin për shfaqjet e tyre. Salla përdorej për shfaqjen e filmave, organizimin e veprimtarive të ndryshme artistike si festivale këngësh, teatër, drama e komedi, etj. Në këtë sallë unë kam parë filmin e parë përpara më shumë se 50 vitesh. Gjithashtu, në këtë sallë jam ngjitur për herë të parë në vitin 1982 si instrumentist për të luajtur në një melodi orkestrale për dy kitara dhe flaut mbështetur në motivet e Shqipërisë së Mesme. Duart që luanin në flaut nuk ishin të mijat dhe në një nga kitarat luante një ndër kitaristët më të mirë të asaj kohe në Tiranë, Z. Gazmend Ujkashi, që ju sot ndoshta mund t’a njihni si një ndër parukierët më të talentuar, që ka edhe biznesin e tij në kryeqytet. E përshëndes Gazin nga sheshi i Teatrit Kombëtar, për të cili ai ka shprehur mbështetjen e plotë për t’a mbrojtur.
Por, kjo sallë përdorej edhe për gjyqe, të cilat janë zhvilluar atje edhe gjatë viteve 1970 – 1980. Për shembull. Në fund të viteve “70, në atë sallë është zhvillua rnjë gjyq tepër i veçantë. Ngjarja lidhet me një konkurs që zhvillohej midis shkollave të mesme në Tiranë, ku gjimnazi i Kombinatit, shkolla “50 Vjetori i Pavarësisë” doli në finale me një nga gjimnazet më me emër në Tiranë, “Petro Nini Luarasi”. Nomenklatura e asaj kohe në pushtet nuk mund të pranonte që fëmijët e punonjësve me tre turne të Kombinatit të Tekstileve të fitonin, kështu që juria anoi nga nxënësit e gjimnazit “Petro Nini Luarasi”, që ishin edhe fëmijët e nipat e mbesat e drejtuesve të lartë të shtetit të asaj kohe, që e fituan konkursin pa të drejtë. Pasi dolën nga salla qytetarët, filluan të dilnin edhe nxënësit e gjimnazit “Petro Nini Luarasi”. Në atë moment fiken dritat e hollit dhe disa të rinj me shkopinj në duar filluan të rrihnin e godisnin nxënësit e ardhur nga Tirana. Gjendja precipitoi aq shumë sa disa prej tyre përfunduan në spital me plagë jo të lehta. Pas disa ditësh personazhet që organizuan sulmin ndaj nxënësve u arrestuan dhe gjyqi i tyre u zhvillua në sallën e kinemasë të Kombinatit të Tekstileve dhe këtë gjyq e ndoqën shumica e banorëve të rritur të kombinatit, që dëgjonin në shesh nëpërmjet artoparlantit zhvillimet në sallën e gjyqit.
Gjithashtu në këtë sallë është zhvilluar edhe gjyqi kundër trombistit Gasper Çuçia dhe disa të tjerëve së bashku me të.
Këtë sallë e ka përdorur në disa raste edhe kryeministti i asaj kohe, Mehmet Shehu, që ishte edhe deputet i lagjes 6, në Kuvendin Popullor të asaj kohe. Mehmet Shehu e përdorte takimin me qytetarët e Kombinatit për të treguar madhështinë dhe fuqinë e pushtetit të tij dhe në këto raste ai e organizonte vetë takimin, në të cilin merrnin pjesë kryesisht anëtarë partie dhe punonjës të dalluar, por midis tyre, Mehmeti kërkonte që të kishte edhe disa persona që kishin probleme me biografinë. Mehmeti e dinte fare mirë se ku ishin ulur këta persona në sallë dhe pasi mbaronte fjalën e tij kundër armiqve të klasës, luftën kundër imperializmit dhe revizionizmit, u drejtohej me emër këtyre personave dhe u bënte pyetje e u kërkonte llogari sikur të ishte prokurori e gjyq e jo sallë takimesh me popullin. Kuptohet që pas mbledhjes, këta persona e pësonin shumë keq dhe familjarët e tyre mezi e merrnin vehten.
Nga ajo sallë multifunksionale kanë dalë shumë këngëtarë të njohur si Adriana Ceko, Muharrem Herri, Mimoza Dhamo, Nazmie Kasmi, si dhe atje ka kontribuuar humoristi dhe regjisori Koço Devole si dhe ka qenë udhëheqës artistik një nga muzikantët më të mirë dhe një nga trombistët më të mirë shqiptarë, Petrit Tërkuçi, që për disa vite ka qenë edhe në grupin udhëheqës artistik të festivaleve në RTSH. Po nga ajo sallë ka dalë edhe një nga këngëtaret që ka kënduar në Festivalin e parë në RTSH, Puntore Mançi, nëna e këngëtares Anjeza Shanini, që në atë festival ishte dublante me këngëtaren Vaçe Zela.
Kompleksi i kinoklubit të Kombinatit të Tekstileve ishte rreth 9000 m² dhe ngjitur me sallën multifunksionale ishte edhe biblioteka e Kombinatit, ku kryesisht kishte libra të inxhinerisë së tekstilit dhe libra arsistikë, kishte një sallë bilardoje dhe shahu dhe prapa ndërtesës ishte një fushë futbolli, një kompleks me lodra për fëmijë dhe një mjedis me rreth 8 tavolina për të luajtur ping – pong. Tashmë, nga ky kompleks i lakmueshëm për çdo qytet evropian, nuk ka mbetur asgjë.
Qendra e dytë multikulturore, për të cilën dua të flas ka qenë Pallati i Kulturës i Institutit të Lartë Bujqësor, në Kodër Kamëz. Pallati i kulturës kishte një sallë të admirueshme multifunksionale, ku shfaqeshin filma dhe organizoheshin veprimtari të shumta artistike. Në atë skenë unë jam ngjitur si instrumentist dhe këngëtar. Në atë sallë zhvilloheshin festivalet studentore të muzikës së lehtë dhe asaj popullore, gjë që lehtësohej edhe nga larmia e ardhjes së studentëve nga zona të ndryshme të vendit. Në atë kohë udhëheqës artistik i klubit muzikor të studentëve të Institutit të Lartë Bujqësor ka qenë muzikanti Arqile Pilkati, i njohur edhe për krijimet e tij në Festivalin e Këngës në RTSH. Nga ajo sallë unë kam një kujtim shumë të bukur, kur kam shoqëruar në duet në një këngë përmetare këngëtarin e madh të këngës shqiptare, Mentor Xhemali.
Ngjitur me sallën multifunksionale ishte edhe biblioteka e ILB, në të cilën kishte rreth 60.000 tituj librash, në atë kohë biblioteka më e madhe universitare në Ballkan dhe përballë me sallën multifunksionale kishte edhe një amfiteatër me rreth 150 vende, ku organizoheshin veprimtari të ndryshme dhe shfaqeshin filma. Tashmë qendra multifunksionale nuk ekziston.
Qendra e tretë multifunksionale për të cilën dua të flas është kinoklubi i Qytetit Studenti. Një objekt në të cilin organizoheshin veprimtari të shumta artistike dhe shkencore. Nga kjo qender multifunksionale kanë dalë me dhjetra artistë dhe këngëtarë, që në rininë e tyre, nga zona të ndryshme të vendit vinin si studentë në Tiranë, ku përveç të mësuarit në universitete, aktivizoheshin edhe në veprimtari të ndryshme artistike, ku evidentoheshin për t’u ngjitur më vonë në skenat e mëdha të vendit. Nga këta mjafton që të përmend këngetaren Ermira Babaliu.
Qendra tjetër multifunksionale për të cilën dua të flas sot ka qenë Pallati i Kulturës “Ali Kelmendi”, në qendër të kryeqytetit, atje ku sot gjendet një universitet privat, rreth 300 metra larg nga sheshi i Kompleksit Teatror, ku jemi këtë mbrëmje së bashku. Dera kryesore e këtij pallati kulture shikonte nga ish – Hotel Peza dhe gjendej në katin e fundit të ndërtesës. Në atë sallë janë zhvilluar shumë veprimtari kryesisht muzikore dhe në atë sallë kanë kontribuuar këngëtaret e njohura të Familjes “Halili”, muzikantët e njohur të Familjes “Lela” si dhe muzikantët e njohur të Familjes “Qerimi”. Nga ai pallat kulture unë mbaj mend provat me muzikantët e njohur Luan Zhegu, Aleksandër Lalo dhe poetin Jorgo Papingji, të cilët ngjiteshin në mjediset e këtij pallati kulture për të bashkëpunuar dhe për të na ndihmuar ne më të rinjve. Në vitet 1989 – 1993 drejtues artistik në këtë qendër multifunksionale ka qenë muzikanti Enver Shëngjergji, që ne e identifikojmë me këngën e tij “Mbrëmja e fundit”, kënduar në Festivalin XI, në këngëtari Bashkim Alibali. Pas festivalit edhe këngëtarin Bashkim Alibali dhe kompozitorin e kësaj kënge Enver Shëngjergji i dënojnë me internim. Enver Shëngjergji, nga pedagog në Institutin e Lartë tëArteve, dega Kompozicion, e degdisin punëtor në Minierën e Krrabës. Unë gjej rastin që sot të përshëndes mikun tim Enver Shëngjergji, i cili për arsye shëndetsore nuk mund të jetë me ne në këto mbrëmje, por që na mbështet me shpirt, mendje e zemër në mbrojtje të pronës publike.
Salla e fundit për të cilën dua të flas sot ka qenë një perlë midis sallave multifunksionale në Tiranë. Kjo sallë ka qenë më e vogël, krahasuar me katër të mësipërmet, me rreth 250 karrige. Ajo ka qenë në qendër të Tiranës, vetëm rreth 100 metra larg nga sheshi i Kompleksit Teatror ku ne protestojmë prej shkurtit të vitit 2018. Dera kryesore e kësaj salle ishte atje ku sot është dera e Bibliotekës Kombëtare dhe gjendej në katin e fundit. Atje kishte edhe disa zyra që shërbenin për administratën, për provat dhe përgatitjen e artistëve përpara shfaqjeve. Kjo sallë më ka shërbyer mua për të dalë më vonë në skenën e Festivalit 30-të të Këngës në Radio Televizion dhe nga kjo sallë kanë dalë këngëtarë të tjerë të talentuar si Aleksandër Gjoka, Dashnor Diko, Adhurim Demiri, Alfred Ngjela, Ledina Çelo, Edvin Çelo, etj. Në atë sallë kanë kënduar Gjergj Leka, Manjola Nallbani, Gëzim Çela. Nertila Koka, Kujtim Prodani, etj. Në atë kohë drejtues artistik i grupit rinor të kryeqytetit ka qenë kompozitori i talentuar Vladimir Kotani. Nga papafingo e kësaj salle është ngjitur në tarracën e Pallatit të Kulturës fotografi Armando Babani ditën e shëmbjes së bustit të diktatorit, nga ku ka marrë edhe fotografinë simbol të kësaj date të shënuar në historinë e popullit tonë.
Tashmë asnjë nga këto qendra multifunksionale nuk ekzistojnë. Dhe unë mendoj se prishja e Teatrit Kombëtar dhe Teatrit Eksperimental nuk është thjesht dëshira për të ndërtuar kulla. Mbi qendrat multifunksionale që përmenda më lart nuk janë ndërtuar kulla. Ato thjesht nuk funksionojnë. Mendoj se kjo ka të bëjë me idenë e shkatërrimt të traditës, kulturës tonë kombëtare dhe shatërrimit të dëshirës së popullit tonë për kulturë në përgjithësi dhe për art, muzikë, teatër, etj zhanre të tjera arti në veçanti.
Këto qendra multifunksionale në Tiranë kanë pushuar së ekzistuari kur Edi Rama ka qenë kryetar bashkie, kur Edi Rama ka qenë ministër kulture dhe në vazhdimësi kur Edi Rama ka qenë dhe është ende kryeministër. Pra, unë mendoj se është Edi Rama ai që ka shkatërruar dhe vazhdon që të shkatërrojë kulturën dhe artin në Shqipëri dhe jo thjesht ideja për të fituar para me anë të ndërtimit të kullave.
Ju faleminderit.

Share: