Home KRYESORE Pasqyra politike 16-22 Shtator, çfarë ndodhi dhe pritet të ndodhë

Pasqyra politike 16-22 Shtator, çfarë ndodhi dhe pritet të ndodhë

Çelja e negociatave + 9 kushte të reja

Procesi i çeljes së negociatave për anëtarësim pësoi një kthesë domethënëse gjatë kësaj jave. Burime pranë grupit parlamentar qeverisës CDU/CSU në Bundestagun gjerman kanë bërë të ditur për Deutche Welle se Shqipërisë do ti vendosen 9 kushte të reja. Sipas asaj që raportoi DW gjatë javës, në Bundestag qarkullon një dokument i cili përmban 9 kushte, të cilat kësaj rradhe janë konkrete dhe kërkojnë të cojnë mesazhe të qarta politike.

Bundestagu do të kërkojë bërjen funksionale të Gjykatës Kushtetuese dhe të Lartë (1). Vënien në punë të prokurorisë speciale për luftën kundër korrupsionit (2). Nisjen e procedimit penal për prokurorët dhe gjykatësit që nuk kanë kaluar procesin e vetingut (3) si edhe për personat që janë përfshirë në shit-blerjen e votave (4). Do të kërkohen rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit dhe krimi të organizuar përfshi edhe kapjen e të ashtuquajturve “peshq të mëdhenj” (5). Në rrafshin e reformave dy kushte thelbësore do të jenë miratimi (6) dhe impementimi (7) i reformës zgjedhore sidhe përparime konkrete në reformën në administratë (8). Kushti i fundit , i cili përmban edhe mesazhin më të fortë politike është sqarimi i ligjshmërisë së zgjedhjeve lokale të 30 qershorit (9).

Kjo është një shenjë e qartë që Gjermania ka rezerva në lidhje me këtë proces dhe duket se ka përdorur si referencë raportin e OSBE/ODIHR në të cilin cilësohet se kushtetueshmëria e dekretit të presidentiT mund të shqyrtohet vetëm nga Gjykata Kushtetuese, rrjedhimisht në rastin konkret kjo do të vendosë edhe fatin e procesit të 30 qershorit.

Gjatë javës vendin e vizitoi presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk, i cili shprehu qëndrimin e tij pozitiv në lidhje me celjen e negociatave. Megjithatë ky është një proces që i takon parlamenteve të shteteve anëtare. Java që vjen pritet të jetë decizive pasi në 26 shtator Bundestagu do të marrë vendimin përfundimtar. Ky do të jetë vetëm qëndrimi i Gjermanisë por duhet nënvizuar se “motori politik” i BE-së ka ndikim edhe në vende të tjera, ndër të cilat më skeptikët mbeten Franca dhe Holanda.

Dialogu politik, ende në vend numëro

Reforma zgjedhore vazhdoi të ishte edhe këtë javë epiqendra e zhvillimeve politike. Pas thirrjeve të SHBA dhe BE përmes ambasadorit Socreca, përfaqësuesit e OSBE-së bën apel që palët të ulen në tryezë bazuar në këtë reformë.

Për herë të parë pas shumë kohësh, kryeministri Rama iu drejtua publikisht liderëve të opozitës me një ftesë për dialog pa kushte. Kësaj rradhe duke i lënë mënjanë para dhe prapa shtesat sarkastike ndaj Lulzim Bashës, Rama shkruajti në mënyrë formale duke ju drejtuar të gjithë liderëve të partive aleate opozitare për tu ulur në tryezën e komisionit të reformës zgjedhore. Megjithatë përvec formës asgjë duket se nuk ndryshoi në substancë në ftesën e kryeministrit. Dialog pa kushte dhe zgjedhje më 2021 ishin bërë të qarta në ftesën e tij.

Reagimi i Lulzim Bashës ishte i drejtpërdrejtë. Ai tha se ftesat publike janë provokim, në kohën kur i dyshuari i dosjes 184, Damian Gjiknuri është bashkëkryetari i komisionit për reformën zgjedhore. Po aq i drejtpërdrejtë Basha u tregua edhe me ftesën e OSBE-së duke thënë se si fillim priste të dëgjonte një reagim të tyre për raportin e OSBE/ OHDIR në lidhje me zgjedhjet e 30 qershorit, për tre kryebashkiakët, sipas tij janë me rekorde kriminale dhe shkeljet e rënda të kushtetutës dhe të ligjit.

Basha tha gjithashtu këtë jave se zgjidhja e krizës politike do të vijë nga brenda dhe jo nga jashtë, duke nënkuptuar kështu që ai nuk ka ndërmend të ndërmjetësojë me anë të ndërkombëtarëve një marrëveshje me mazhorancën.

“S’ka zgjidhje nga jashtë. Zgjidhja do të vijë nga brenda. Jashtë kemi pasur miq, por kjo krizë nuk zgjidhet duke bërë viktimën apo duke parë nga qielli. Zgjidhet duke marrë në dorë fatet tona” deklaroi Basha.

Kampi i mazhorancës reagoi në lidhje me akzuat ndaj Gjiknurit, duke qenë ai vetë që deklaroi se ishte gati të rishikonte pozicionin e tij në komision pasi të konsultohej me partinë. Por edhe këtij mesazhi të Gjiknurtit, sekretari i përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi iu përgjigj duke thënë se “të gjithë ata që kanë bashkëpunuar me krimin e organizuar për të shkatërruar zgjedhjet dhe për të vjedhur votat, nuk duhet të jetë me zgjedhje për të dhënë apo jo dorëheqjen nga Komisioni, por duhet të ndiqen penalisht dhe të shkojë në burg.”

Vazhdon beteja e PD me kryebashkiakët
Partia Demokratike publikoi këtë javë dy dokumente të marrë nga sistemi shtetëror i burgjeve në Itali. Sipas tyre, krytari i Bashkisë së Vaut të Dejës, Mark Babani ka qenë i ndaluar në Itali njëherë për vjedhje makinash nën emrin Marq Babaj dhe herën tjetër për shkelje të urdhërit të dëbimit me emrin Fatmir Babaj.

Në denoncimin e dytë PD e shoqëroi dokumentin edhe me një foto të Babanit. Ky i fundit i mohoi akuzat dhe tha se do ti shkonte deri në fund kësaj beteje duke thekuar se do të fitonte dëmshpërblim në gjyq për prishje imazhi. Babani depozitoi gjithashtu në Prokurorinë e Përgjithshme shenjat e gishtave për të nisur verifikimin.

Ndërkohë në lidhje me akuzat ndaj kryebashkiakut të Kavajës, Agim Kajmaku, Gjykata e Janinës e shpalli atë të pafajshëm për akuzën e falsifikimit të parave. Por, pavarësisht vendimit të gjykatës greke, Kajmaku ka përsëri probleme në Shqipëri, pasi ai nuk kishte zbardhur problemet me drejtësinë helene, duke shkelur kështu ligjin e dekriminalizimit.

Tenderat e rrugëve i kushtojnë ARrSh-së një tjetër drejtor
Drejtoresha e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Sonila Qato dha dorëheqjen pas akuzave nga kompania Gjoka Konstruksion për korrupsion pasiv dhe shpërdorim detyre. Kompania më e madhe koncesionare për ndërtimin e rrugëve, Gjoka Konstruksion u gjend nën akuzë se ka dhënë dokumente të rreme për të fituar një tender me fond limit 19.3 milionë euro në rrugën e Arbrit, ndërsa iu përgjigj kësaj akuze me një kundërakuzë tjetër të rëndë, atë të manipulimit të tenderit Kardhiq – Delvinë nga ana e Drejtoreshës së Përgjithshme të Rrugëve, Sonila Qato për llogari të një kompanie konkurrente, me dëm afro 4 milionë euro në kurriz të taksapaguesve.

Mbi këtë mjedis akuzash dhe kundërakuzash të rënda, Ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku deklaroi papritur se tenderi për segmentin e fundit të rrugës Kardhiq-Delvinë për momentin do të shtyhet për shkak se qeveria “ka prioritete të tjera”.

Ndryshimi i beftë i prioriteteve duhet të kishte tërhequr vëmendjen e organeve ligjzbatuese, nëse nuk do të ishte një fenomen kaq i përsëritur në një institucion ku drejtorët shpesh arrestohen apo vihen nën akuzë për manipulim tenderësh, por që zakonisht dalin të pafajshëm në gjykatë.

Vetëm 9 muaj më parë një kompani fantazmë arriti të fitojë 18 milionë euro tender të mbajtur nga Autoriteti Rrugor Shqiptar. Dhe megjithëse tashmë është pranuar gjerësisht që tenderi u fitua nga një kompani me dokumente të falsifikuara dhe prokuroria ka nisur hetimet, nuk ka asnjë të akuzuar dhe asnjë të arrestuar për skandalin.

Saimir Tahiri shpallet fajtor por nuk dënohet me burg
Gjykata e Krimeve të Rënda shpalli fajtor ish-ministrin Saimir Tahiri për shpërdorim detyre dhe e dënoi atë me 5 vite burg të cilat do të konvertohen në 3 vite shërbim prove. Gjykata rrëzoi akuzat e trafikut të drogës dhe grupit të strukturuar kriminal. Pas daljes së vendimit Tahiri tha se gjykata nuk kishte këllqe ta shpallte të pafajshëm dhe paralajmëroi një dalje për mediat ku sipas tij do të sqaronte disa “të vërteta”.

Përpara se Tahiri të fliste për mediat Partia Demokratike e cilësoi dënimin ndaj tij si një teatër duke akuzuar kryeministrin Rama se ka ndihmuar në shkatërrimin e dosjes ndaj tij. Ambasada amerikane dhe britanike, si rrallëherë komentuan vendimin e gjykatës duke e përshëndetur por në të njejtën kohë duke thënë se fakti që kanë rënë akuzat e rënda ngre pikëpyetje për sistemin ligjor. Kryeministri Rama tha se do të vazhdonte të mos e komentonte cëshjten Tahiri.

Vetë ish-ministri i Brendshëm tha se në daljen për mediat se edhe ai i sheh deklaratat e ambasadave si dekurajuese sepse në kulturën e tij nuk flitet për një vendim gjykatash.

“E di shumë mirë kë kam rrotull”. “Nuk komunikoj me disa që nuk i njoh fare brenda PS-së. “Nuk e ka në dorë as partia dhe as kushdo individ brenda asaj partie karrierën politike”.“Ka kurban sa të duash sot nga ata që qeverisin. Ata janë kurban, unë jo”. Këto ishin disa nga fjalitë që tha Tahiri të cilat lanë shijen e një nënteksti drejtuar Edi Ramës por edhe disa nga ata që janë konsideruar gjithnjë si rivalët e tij brenda socialistëve, Fatmir Xhafajn apo Erion Veliajn.

Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe Tahiri thanë se do ta apelojnë vendimin e shkallës së parë. / Përgatiti për Opinion.al, Aldo Baxhaku

Share: