Home KRYESORE Pasqyra politike 23-29 shtator, çfarë ndodhi dhe pritet të ndodhë

Pasqyra politike 23-29 shtator, çfarë ndodhi dhe pritet të ndodhë

Gjermania votoi pro çeljes së negociatave por jo pa përmbushur kushtet

Bundestagu gjerman vendosi mbrëmjen e së enjtes, pro hapjes së negociatave për anëtarësim të Shqipërisë por me disa kushte të cilat do të ndahen në dy faza.

Së pari Bundestagu ka kërkuar që përpara Konferencës ndërqeveritare e cila shënon formalisht hapjen e procesit, Shqipëria duhet të ketë funksionale Gjykatën e Lartë, Kushtetuese dhe duhet të jetë marrë një vendim sa i takon reformës zgjedhore.

Kushtet e tjera që kanë të bëjnë me hapjen e kapitujve konkretë janë kushtëzuar nga 7 pika. (1) Zbatimi i ligjit për reformën zgjedhore të iniciuar; (2) Fillimi i procedimeve penale kundër gjyqtarëve dhe prokurorëve të cilët nuk u kualifikuan në procesin e vetingut për shkak të sjelljes së dënueshme; (3) Fillimi i ndjekjes penale dhe eventualisht i proceseve gjyqësore kundër atyre që janë të përfshirë në blerjen e votave në zgjedhje, dhe ndjekjen serioze dhe të shpejtë të procedimeve; (4) Angazhimi i strukturës speciale për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe aftësia e saj për të punuar; (5) Progres solid në krijimin e bilanci suksesi në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në të gjitha nivelet, përfshirë inicimin dhe procedimet e para të përfunduara kundër nënpunësve civilë dhe politikanëve të nivelit të lartë. Këto përfshijnë hetime proaktive, eventualisht ndjekje penale dhe dënime në lidhje me korrupsionin dhe krimin e organizuar; (6) Progres i prekshëm në reformën administrative, përfshirë rishikimin e qëndrimeve të zyrtarëve të lartë dhe drejtorëve, edhe nën këndvështrimin e parregullsive dhe (7) një vendim përfundimtar për ligjshmërinë e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit 2019 nga Gjykata Kushtetuese.

Pjesa më e rëndësishme e mekanizmit të ri të propozuar nga Bundestagu (propozuar sepse qëndrimi pozitiv është vetëm i Gjermanisë) janë 2 kushtet paraprake të cilat pritet të jenë plotësuar deri në Janar duke qenë se atëherë mblidhet zakonisht konferenca ndërqeveritare që shënon hapjen e procesit. Por duket e vështirë bërja funksionale e Gjykatës Kushtetuese.

Gjatë javës Presidenti Meta, me kërkesë të KED rishpalli vakancën e tij për të interesuarit për tu bërë anëtarë të kësaj gjykate duke qenë se procesi i parë prodhoi vetëm 2 kandidatura nga 3 të nevojshme që kërkon ligji. Por situata është akoma edhe më e komplikuar pasi Gjykata Kushtetuese kërkon minimalisht 6 anëtarë që të jetë funksionale. Duke marrë parasysh procesin e parë ku nga 15 kandidatura arritën të kualifikohen vetëm 2, shihet se plotësimi i vendeve në Gjykatën Kushtetuese do të marrë kohë. Përfundimi i afatit për hapjen e re të aplikimeve përfundon më 18 tetor, dita kur Këshilli do të shprehet zyrtarisht për çeljen e negociatave për Shqipërinë.

Gjermania nuk është aktori i vetëm

Megjithëse Bundestagu autorizoi qeverinë gjermane që të japë “Po-në” e saj në Këshillin Europian, mbetet ende për tu bërë i ditur vendimi i Francës dhe Holandës të cilat kryesojnë listën e vendeve skeptike për Shqipërinë dhe procesin e zgjerimit.

Më datë 16 Shtator, Ministri i Jashtëm holandez, Stef Blok gjatë raportimit në komisionin parlamentar për çështjet evropiane tha se Shqipëria ende nuk ka përmbushur kushtet e përcaktuara nga Këshilli në vitin 2018. Ndërsa deputeti që propozoi mocionin e miratuar nga parlamenti Pieter Omtzigt, tha se vërente hapa prapa në lidhje me Shqipërinë.

Më datë 4 tetor, qeveria e Holandës do ti drejtojë zyrtarisht parlamentit një letër në lidhje me procesin e hapjes së negociatave për anëtarësim me Shqipërinë. Parlamenti më pas do të marrë vendimin më 8 tetor. Përveç Holandës ende mbetet për tu mësuar qëndrimi i Francës në lidhje me çeljen e negociatave me Shqipërinë pasi dihet se Parisi zyrtar është një nga vendet kryesore skeptike lidhur me politikën e zgjerimit.

Reforma zgjedhore, kusht i gjermanëve, prioritet i palëve politike, por prapë nuk ka progres

Ditë e mërkurë palët politike u ulën në një tryezë të përbashkët për të diskutuar për reformën zgjedhore. Ishte hera e parë që prej shkurtit që përfaqësues të opozitës jashtë parlamentare dhe mazhorancës ishin në një sallë për të diskutuar në lidhje me çështjet e reformave.

Opozita jashtëparlamentare u përfaqësua në nivel teknik në këtë tavolinë të thirrur nga OSBE. Ivi Kaso tha se personat që janë subjekt i dosjes 339 dhe 184 janë në kushtet e konfliktit të interesit me zgjedhjet e lira e të ndershme dhe me reformën e vërtetë zgjedhore që ka nevojë vendi.

“Për këtë arsye” – thuhet në qëndrimin e opozitës së bashkuar – , “reforma e vërtetë zgjedhore mund dhe duhet të realizohet e zbatohet vetëm nga institucione apo subjekte zgjedhore që kanë vullnet për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme”.

Ai parashtroi gjithashtu një propozim “që procesi (reformës zgjedhore) të drejtohet nga një strukturë e përbërë nga përfaqësues të organizmave ndërkombëtarë (OSBE/ODIHR, BE, SHBA, etj.), një përfaqësues i Parlamentit monopartiak dhe një përfaqësues i Opozitës së Bashkuar. Produkti i dakordësuar nga kjo strukturë, pasi i nënshtrohet konsultimit me publikun, nëpërmjet formave dhe metodave që mundësojnë marrjen e mendimit të qytetarëve, miratohet pa ndryshime.”.

Situata gjatë gjithë kohës ishte e tensionuar dhe kjo arriti kulimin kur përfaqësuesit e opozitës jashtë parlamentare u larguan nga tryeza. Po ashtu bën edhe disa nga deputetët e ‘opozitës së re’ të cilët kërkuan ndryshim të kodit zgjedhore. Bashkë-kryetarja e komisionit, Rudina Hajdari nuk u largua por bëri thirrje që palët ti bashkohen tryezës. Në fund ambasadori i OSBE tha se ishte i zhgënjyer nga rezultati.

Dialogu ende në ngërç por ka shenja pozitive

Megjithatë, reforma zgjedhore mesa duket do të shërbejë si bazë për dialogun politik. Arritja e një vendimi është një nga kushtet që Shqipëria duhet të plotësojë në mënyrë që negociatat të çelen formalisht.

Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi u takuan të enjten e më pas reagimet në të dy kampet e tyre tregojnë se mazhoranca dhe opozita do të ulen në një tryezë të ndërmjetësuar nga ndërkombëtarët.

Nënkryetari i LSI-së Luan Rama pohoi në një deklaratë për mediat se LSI e gatshme të ulet në tryezën e dialogut. Kryetari i PD-së, nuk ishte kaq i drejtpërdrejtë por tha se PD ka dhënë dakordësinë “për një proces politik të  propozuar nga faktori ndërkombëtar në të cilën PD dhe opozita e bashkuar do të ishin të gatshëm si një trupe e vetme të jepnin kontributin për daljen nga kriza. Pak rëndësi ka ulja apo mos ulja në një tavolinë”. Në qëndrimet e të dy partive opozitare, kryeministri Rama është personi që ka refuzuar këtë ndërmjetësim.

Vetë kryeministri nuk ka dhënë ende qëndrimin e tij të qartë për propozimin e opozitës, por tashmë vendimi i tij kushtëzohet edhe nga Bundestagu gjerman, pasi një përgjigje për reformën në drejtësi kërkohet sa më shpejtë.

Lulzim Basha tha gjithashtu të dielën që PD të përgatitet për zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe zgjedhje vendore në 1 dite. / Përgatiti për Opinion.al, Aldo Baxhaku

Share: