Kur iu vunë bazat e historiografisë shqiptare, Shqipëria e Enver Hoxhës ishte e radhitur përkrah Rusisë, që në shumicën e kohës moderne kishte qenë kundër Shqipërisë e shqiptarëve. Për më tepër, Shqipëria e Enver Hoxhës ishte radhitur kundër NATO-s, d.m.th. kundër aleatëve tanë të natyrshëm historikë: anglezëve, gjermanëve, italianëve, turqve, amerikanëve
Shkruan: Nexhmedin SPAHIU, Mitrovicë
Para ca ditësh takova disa diplomatë anglezë, të cilëve u kishin bërë përshtypje reagimet në Facebook ndaj ambasadorit Ruairi O’Connell se përse Londra i ka copëtuar trojet shqiptare?! E para, Anglia në kulmin e saj ka pushtuar 3/4 e globit, por asnjëherë trojet shqiptare. E dyta, Konferenca e Londrës e vitit 1913 ishte ajo që e formoi dhe njohu Shqipërinë shtet. Prej nga këto akuza në vend të mirënjohjes?!
Përgjigjja është se historia që e kemi mësuar nëpër shkollat tona kështu na ka mësuar. Pyetja që pasoi ishte si mund të shkoni përpara me histori të gënjeshtërt?!
Mu kujtua viti 1995 kur në Tiranë, bashkë me poetin Adem Istrefi, regjisorin Bekim Lumi, profesorin Hysamedin Feraj, juristin Kreshnik Spahiu, gjuhëtarin Bahri Brisku e shumë të tjerë, e themeluam Fondacionin “Hasan Prishtina”, me qëllim që në qendër të Tiranës, përballë përmendoreve të vëllezërve Frashëri t’ia ngremë përmendoren Hasan Prishtinës, si dhe bulevardin që atëherë dhe tash quhet “Dëshmorët e Kombit” ta riemërojmë në bulevardi “Hasan Prishtina”.
Ishte mesi i viteve të‘90-ta kur Kosova me shpirt nëpër dhëmbë përpëlitej për t’u shtruar si çështje në arenën ndërkombëtare. Në këtë bulevard gjendet Presidenca, Kryeministria, zyrat e Parlamentit, Gjykata Kushtetuese dhe rektorati i Universitetit të Tiranës. Mendonim që kur këto institucione të komunikojnë me institucionet përkatëse në botë, do të figurojë adresa “Bulevardi Hasan Prishtina” dhe kësisoj, automatikisht, çdo komunikim i Tiranës zyrtare do ta ketë emrin Prishtina. Prandaj e organizuam një tubim madhështor në sallën e Muzeut Kombëtar të Shqipërisë, ku morën pjesë kryebashkiaku i atëhershëm i Tiranës, Sali Kelmendi, dhe mbi 300 intelektualë dhe diplomatë të huaj. Unë, në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të këtij fondacioni, i pata ftuar në këtë tubim edhe disa nga ambasadorët e huaj të akredituar në Tiranë, që i njihja personalisht.
Në bordin drejtues të Fondacionit plasi sherri përse unë e kisha ftuar ambasadorin anglez. Hysamedin Feraj thoshte se Anglia i ka copëtuar tokat shqiptare dhe se ta ftosh ambasadorin anglez në manifestimin për nder të Hasan Prishtinës është një tradhti kombëtare e barabartë me atë sikur ta kisha ftuar ambasadorin jugosllav (serb). Për të si nënkryetar Fondacioni kjo ishte e pafalshme, kurse pikëllimi im më i madh ishte me të tjerët në Bord, që këtë veprim donin të ma falnin, por që gjithsesi e konsideronin një gabim timin. Historia e gënjeshtërt ishte ngulitur thellë në kokat e intelektualëve shqiptarë dhe unë kot klithja se pa ndihmën angleze Kosova nuk mund të çlirohej.
Me Bekim Lumin u patëm pajtuar dikur falë faktit që ia dhurova librin e Xhafer Devës, të cilin më pas ai e admiroi, por me Hysamedin Ferajn e Adem Istrefin nuk komunikojmë as sot pas 24 viteve edhe pse 4 vite më vonë nga ftesa për ambasadorin britanik, pra më 1999, kryeministri britanik, Tony Blair, u shndërrua në hero të Kosovës. Historia e jonë e gënjeshtërt nuk u rishkrua as pas kontributit heroik të kryeministrit britanik më 1999.
Përse shkruhet historia dhe përse historia shqiptare u shkrua ashtu si u shkrua? Historia shkruhet për t’ia treguar një populli sfidat me të cilat është përballur në të kaluarën, në mënyrë që të mësojë nga përvojat dhe gabimet në sfidat e së ardhmes.
Deri në Luftën e Dytë Botërore në gjuhën shqipe pothuajse nuk ekzistonin tekste të historisë. Historia e Skënderbeut mësohej nga poema romantike e Naim Frashërit (1846-1900) me të njëjtin titull dhe nga dy poemat po ashtu romantike të Jeronim De Rades (1814-1903): “Këngët e Milosaos” dhe “Skenderbeu i pa fan” ose edhe nga “Kënga e sprasme e Balës” (po ashtu romantike) e Zef Serembes (1844-1901). Ndërkaq historia e Oso Kukës dhe e “Lidhjes së Prizrenit” mësohej nga poema e Gjergj Fishtës “Lahuta e Malsisë”.
Tri tekste historike ndërmjet dy luftërave botërore meritonin respekt: “Kujtimet” e Hasan Prishtinës nga kryengritja e madhe e Kosovës, e botuar më 1921, doktorata e Rexhep Krasniqit e mbrojtur në Vjenë më 1926 mbi Lidhjen e Prizrenit dhe libri i Xhefer Belegut “Lidhja e Prizrenit”. Kjo ishte e tërë historiografia shqiptare deri në përfundim të Luftës së Dytë Botërore.
Historiografia që u krijua në Shqipëri pas ardhjes së komunistëve në pushtet ishte tërësisht në shërbim të regjimit komunist të Enver Hoxhës. Baballarët e kësaj historiografie ishin Aleks Buda, Kristo Frashëri e Arben Puto. Këtë historiografi Ali Hadri e transferoi në Kosovë. Kësisoj fakultetet e historisë në Shqipëri e Kosovë e zhvilluan këtë historiografi, ashtu që shumicën dërmuese të historianëve i kemi produkt të kësaj shkolle, e cila ka prodhuar, në thelb, një histori të falsifikuar. Në Kosovë bëjnë përjashtim ca historianë që kanë studiuar në Beograd, si Hasan Kaleshi e Zekeria Cana, e ndonjë tjetër, që për shkak të moshës nuk u kontaminua nga kjo historiografi (Skender Rizaj etj.).
Një histori shumë më pranë të vërtetës u shkrua në emigracion dhe në burgje. Përpjekjen për të shkruar një histori të shkurtër të përbotshme e bëri Mustafa Kruja (1887-1958), i cili paraprakisht kishte shërbyer si kryeministër i 16-të i Shqipërisë (1941-1943). Në emigracion ose edhe në burgjet e Enver Hoxhës u shkruan kujtimet e personazheve më të rëndësishme politike ndër shqiptarë. Këto memoare paraqesin historinë tonë reale. Këto iu ofruan publikut të gjerë tek pas rënies së komunizmit.
Një histori e kohës moderne ndër shqiptarë mund të ndërtohet nga librat e kujtimeve të: Ismail Qemal Vlorës (1844-1919), Syrja Vlorës (1860-1940), Dom Ndoc Nikajt (1864-1951), Mehdi Frashërit (1872-1963), Hasan Prishtinës (1873-1933), Mit’hat Frashërit (1880-1949), Fan Nolit (1882-1965), Sejfi Vllamasit (1883-1975), Eqrem Vlorës (1885-1964), Mustafa Krujës (1887-1958), Rexhep Mitrovicës (1888-1967), Ago Agajt (1897-1994), Xhafer Devës (1904-1978), At Zef Pllumit (1924-2007). Azem Vllasit (1948-), Muhamet Mustafës (1950-). Në fakt, me përshkrimin e ngjarjeve historike, këta autorë në shumicën e rasteve e konfirmojnë njëri tjetrin dhe të gjithë në tërësi e kundërshtojnë historiografinë zyrtare të shkruar nga shërbëtorët e “Shokut Enver”.
I ndodhur në një debat televiziv me një nga historianët e shquar, që është produkt i shkollës enveriste, e pyeta se kush është shteti i parë që e ka njohur pavarësinë e Shqipërisë. Nuk diti të përgjigjet. Në fakt, e dija që nuk do ta dinte përgjigjen, sepse fakti që Egjipti ka qenë shteti i parë që e ka njohur Shqipërinë është fshehur nga historianët shërbëtorë të “Shokut Enver”.
Një historian tjetër, që po përpiqej të më bindte se katedra e historisë e Universitetit të Prishtinës është e nivelit të lartë akademik e pyeta se a e di kush e ka propozuar Ismail Qemal Vlorën në Kuvendin e Vlorës më 1912 për kryeministër? U hutua. Nuk mund të besonte se një pyetjeje aq të thjeshtë nuk ia dinte përgjigjen. Natyrisht historianëve shërbëtorë të Enver Hoxhës nuk iu ka dashur të përmendet emri i Rexhep Mitrovicës, prandaj e kanë fshehur këtë fakt.
Tani t’i kthehemi asaj se përse historiografia e jonë është tmerrësisht antiosmane dhe antiturke?
Kur iu vunë bazat e historiografisë shqiptare, Shqipëria e Enver Hoxhës ishte e radhitur përkrah Rusisë, që në shumicën e kohës moderne kishte qenë kundër Shqipërisë e shqiptarëve. Për më tepër, Shqipëria e Enver Hoxhës ishte radhitur kundër NATO-s, d.m.th. kundër aleatëve tanë të natyrshëm historikë: anglezëve, gjermanëve, italianëve, turqve, amerikanëve. Turqia ishte anëtare e NATO-s dhe meqë amerikanët e largët nuk kishin pasur punë me ne, pos që na kishin ndihmuar pas Luftës së Parë Botërore, atëherë bjeri samarit që të marrë vesh gomari. Shahej Turqia që të dëgjonte Amerika.
Amerika, pas Luftës së Dytë Botërore, paraqiste atë çfarë Perandoria Osmane kishte paraqitur në mesjetë. Shtrembërimi i historisë së vërtetë, paraqitja e shqiptarëve vetëm si kundërshtarë të Perandorisë Osmane e si armiq të përbetuar të saj, i shkonte përshtat regjimit enverist.
Aluzioni mes Perandorisë Osmane dhe Amerikës ishte i gjallë kudo në çdo pore të jetës. Meqë atëherë nuk kishte internet dhe rrjete sociale, ashtu siç shkruhej në mënyrë të gënjeshtërt për Amerikën, të cilën shqiptarët e kishin të ndaluar ta shihnin qoftë edhe në TV, ashtu gënjehej edhe për Perandorinë e dikurshme Osmane, që shqiptarët e kohës së Enverit nuk e kishin jetuar. Kësisoj propaganda e përditshme ndihmonte në historiografinë e gënjeshtërt dhe anasjelltas.
Tani jemi në fund të dekadës së dytë të shekullit XXI dhe regjimi enverist ka kolapsuar qe 3 dekada. Njerëzit i kanë hapur sytë nga rrjetet sociale që nuk lejojnë që gënjeshtra të livadhisë për kohë të gjatë. Propaganda enveriste ka ngelur vetëm në kokat e ca enveristëve të shkretë kosovarë, që rininë e kanë fikur nëpër burgje. Por, historiografia e prodhuar nga shërbëtorët e “Shokut Enver” akoma është në diskursin tonë publik. Ajo akoma mësohet në shkolla fillore e të mesme. Madje, edhe fëmijët e diasporës sonë helmohen akoma me këtë historiografi. Mësohet ajo ende në universitete publike e private në Shqipëri, Kosovë, e Maqedoni dhe me këto gënjeshtra jepen mastera e doktorata.
Është koha që të këndellemi e të lirohemi edhe nga kjo mbeturinë e enverizmit. Kujtimet e personaliteteve që përmenda më lart janë një pjesë e mirë e historisë sonë. Arkivat osmane tani janë të qasshme për studiuesit tanë të rinj. Stambolli është një orë fluturim larg. Arkivat amerikane e evropiane po ashtu. Përse të besojmë qindra libra të pavlerë të kohës së Enverit e pas tij, për mijëra gjermanë të vrarë nga partizanët, duke pasur mundësi të futemi në arkivat e Berlinit dhe ta marrim listën e saktë të ushtarëve të vrarë gjermanë?
Për më tepër, teknologjia bashkëkohore mundëson edhe hulumtime nga distanca. Deri vonë është menduar se babai i idesë për pavarësinë e Kosovës ka qenë Presidenti Ibrahim Rugova. Tani, së fundi, CIA publikoi dokumentet që deri vonë ishin sekret dhe aty e pamë që idenë për pavarësinë e Kosovës e ka dhënë Xhafer Deva që në vitet e ‘60-ta të shekullit XX. Hapja e arkivave të shërbimeve sekrete, të paktën për historinë deri para 50 vjetëve, na mundëson ta kemi një pasqyrë më reale të historinë sonë.