Puna është pjesë e pandarë e jetës sonë; një proces me rëndësi madhore që na ndikon gjerësisht, jo vetëm nga pikëpamja ekonomike, por edhe nga ajo psiko – shpirtërore. Studime të ndryshme vërtetojnë se shumica e njerëzve në botë vuajnë nga stresi në punë.
Nga çdo këndvështrim, ai mbetet një burim i madh tensioni dhe ankthi i shoqërisë së industrializuar dhe digjitale, në të cilën presioni në rritje i shkaktuar në mjedisin e punës, mbingarkesa, keqmenaxhimi, mospërmbushja e kërkesave profesionale, mbivlerësimi i aftësive mund të shkaktojnë tejngopje fizike ose mendore të punonjësve, ndaj ndikojnë në shëndetin e këtyre të fundit dhe atë të njerëzve përreth.
Në botën perëndimore, stresi në punë ka diçka të përbashkët: shfaqet gjithmonë kur kërkesa e punës tejkalon kapacitetin e punonjësit dhe ai nuk mund ta përballojë ose ta kontrollojë më atë; zakonisht kjo shkakton lodhje fizike dhe mendore, përveç simptomave të tjera si nervozizmi ose depresioni.
Kurse në vendin tonë hasim lloje të tjera stresi në punë; aq sa punëdhënësit apo kolegët mund të shndërrohen në makthet më të këqija dhe të të mundësojnë kështu, një film terrori brenda katër mureve. Këta vampirë emocionalë gjenden kudo; bashkëpunëtorë, eprorë, të ashtuquajtur miq e kolegë që përthithin energjinë dhe pozitivitetin, duke i këmbyer ato, me pesimizëm ekzistencial, pakënaqësi dhe humor të keq, aq sa të ta bëjnë jetën të hidhur. Nëse të tillë personave nuk u vendos limite, ata do të përfitojnë nga mirësia e edukata jote dhe do të përpiqen të të rrënojnë psikologjikisht, duke të krijuar frikë, lodhje dhe stres.
Njëri nga shqetësimet më të mëdha mbetet pikërisht abuzimi i dukshëm verbal në ambjentet profesionale, përfshirë këtu kërcënime, hakërrime, mallkime, fyerje dhe tallje të një viktime ose sërë viktimash, qoftë para njerëzve ose në mënyrë private (madje duke të të pohuar në sy se janë aq burracakë a hipokritë sa do të mohojnë gjithçka para të tjerëve).
Abuzimi verbal (ngacmimi verbal) në vendin e punës, ndonjëherë mund të jetë i pakapshëm, pavarësisht se shumëkush mund të cënohet nga përhapja e thashethemeve apo shpifjeve indinjuese.
Duke qenë se në vendin tonë jemi mësuar të bëjmë “filozofi” dhe të mos u japim zgjidhje problemeve, por thjesht t’i konstatojmë ato; gjykoj se ka ardhur çasti të rishkruajmë të tashmen tonë (ndërgjegjësim: meqenëse e shkuara iku, e ardhmja mbetet e panjohur, atëherë veç e tashmja na përket). Pikësëpari të përcaktojmë problemin; problemi nuk është abuzuesi; është efekti i abuzuesit ndaj viktimës së përzgjedhur, bulizmi i ushtruar.
Quajeni ngacmim, abuzim emocional, torturë psikologjike, abuzim verbal në vendin e punës. Ju nuk pretendoni, ju realisht jeni stresuar fort duke mos dhënë maksimumin tuaj në profesion, ju kanë dëmtuar shëndetin, ju kanë ulur performancën e punës, ju kanë shkelur dinjitetin tuaj. Abuzuesit i duhet bërë e ditur se nëse vazhdon me të njëjtën sjellje, do të detyroheni të adresoni problemin në organet kompetente.
“Ngacmimi moral dhe seksual në Administratën Publike Shqiptare”, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, krijuar me ligjin nr. 10221, datë 04.02.2010 “Për mbrojtjen nga diskriminimi”, është një tjetër institucion i pavarur që siguron mbrojtjen nga diskriminimi dhe nga çdo formë sjelljeje që nxit diskriminimin, bazuar në dispozitat kushtetuese dhe ligjore”.
Në nenin 32 të Kodit të Punës, përcaktohen detyrimet e përgjithshme të punëdhënësit për mbrojtjen e personalitetit të punëmarrësit, të cilat përcaktojnë në mënyrë eksplicite ndalimin e ngacmimit moral dhe atij seksual në vendin e punës).
Veçanërisht nëse të përndjekurat janë femra, edhe për shkak të epërsisë gjinore, peshorja anon nga to. Vërtet që në Shqipëri informacioni mungon, besimi te drejtësia është i lëkundur, por ligjet ekzistojnë dhe duhet marrë në konsideratë fakti që njerëz të mirë e që mbështesin vlerat dhe të drejtën ka. Ndaj nuk duhet të tutemi për të mbrojtur veten.
Ndërkohë vampirët që vuajnë nga çrregullime të personalitetit, nga inferioriteti, nga paaftësia, nga zilia do të ekzistojnë duke pretenduar të zbatojnë me çdo kusht maninë e persekutimit, duke e zgjeruar rrethin e tyre me sivëllezërit e simotrat e veta për t’i shërbyer negativitetit, injorancës dhe ligësisë. Këtyre mjeshtrave të manipulimit, e gjitha kjo mund t’u kthehet në boomerang, sepse kanë harruar një detaj të rëndësishëm: duke vepruar në këtë mënyrë, performanca e punës që kryejnë a drejtojnë do të pësojë një rënie të ndjeshme; cilësia do të lërë për të dëshiruar dhe do të jetë e afërt dita kur do të bien në gropën që i kanë hapur tjetrit.