Home KRYESORE Tërmet në kokën tonë! Nga Rita Petro

Tërmet në kokën tonë! Nga Rita Petro

Frika është ndjesi natyrore dhe shpesh na ndihmon të shmangim rreziqet. Ndërsa Frika e kthyer në Panik stimulohet dhe në të gjitha rastet, ka efekte negative, madje edhe më keq, bëhet shkatërruese. Paniku brenda vetes sonë transmetohet me një shpejtësi marramendëse te të tjerët dhe ndodh, ajo që ndodhi dje.

Mjaftoi ai tërmeti i shkurtër dhe askush më nuk dyshoi se 11 e 30 ishte e sigurt. Pra, truri ynë nuk pranoi asnjë sinjal tjetër të arsyeshëm. Ne shpesh i kritikojmë plot lajme që na duken të gënjeshtërta, e shajmë medien nga mëngjesi në darkë me apo pa të drejtë, dhe kur vjen puna jo vetëm që biem aq lehtësisht në kurth, por bëhemi përhapësit kryesorë të sajesave e gënjeshtrave.

Po me siguri ka pasur dhe nga ata/ato që kanë marrë dje në mbrëmje fatet e familjeve të tyre të vogla në dorë. Kanë mbytur panikun, kanë qetësuar fëmijët e pleqtë dhe të pamundurit, duke marrë disa masa paraprake në rast se do të binte prap tërmet i rrezikshëm. Këta njerëz gjakftohtë nuk kanë bllokuar rrugët dhe nuk e kanë transmetuar frikën e tyre te të tjerët. Ata/ato kanë stopuar një moment, kanë marrë frymë thellë dhe kanë menduar me trurin e vet.

Jo rrallë na ndodh ne si shoqëri që të mendojmë me trurin e tjetrit, duke u bërë njëkohësish viktima dhe fajtori.

Ja sot pavarësisht se nata ishte e qetë dhe në 11 e 30 nuk ra tërmet, përsëri paniku rri i fshehur brenda nesh. Sot është dita kur po gjenden fajtorët dhe puna më e madhe e jona, si duket është të kërkojmë andej këtej, t’i gjejmë ata dhe “t’i varim në litar” apo t’i kryqëzojmë, pasi i kemi kapur si peshq në rrjetat sociale.

Ja, ai gazetari, ajo gazetarja, ai presidenti, ai kryeministri, ajo ministrja e arsimit; kalojmë dhe përtej kufirit, duke fajësuar sizmografin grek etj etj. Pa e përpunuar në trurin tonë ne vazhdojmë të transmetojmë e të përhapim lajme sikur ato të ishin të mirëqena. Ndaj tërmeti i rrjeteve tona sociale nuk mund të krahasohet me tërmetin e vërtetë, i cili nuk i bllokoi rrugët, siç ndodhi dje pa pasur fare tërmet. Askush nga ne nuk është i imunizuar nga psikoza e turmës, sado të mençur ta mbajmë veten.

Ndaj asnjëherë nuk është vonë për t’u ndërgjegjësuar. Sot secili nga ne mund ta mundë panikun, pavarësisht se cili është shkaktari i tij Vetëm puna është shëruesi i gjithçkaje dhe nuk na le në baltë për asgjë. Unë do të vazhdoj të shkruaj librin që kam nisur; një piktor tablonë e tij të pambaruar, një murator do të vazhdojë të ngrejë mure të larta, një i dashuruar do ta ftojë të dashurën e tij në katin e dhjetë të një hoteli për të sfiduar frikën…

Nuk kemi kohë; le ta jetojmë jetën sa më bukur deri në tërmetin e ardhshëm.

Share: