Nga Gladiola Jorbus
Ndërkaq këtë të shtunë, njerëzve iu prish rehatia, sepse u ndjenë të cënuar e të tronditur në monotoninë e tyre, madje për ata më tremofobikët, trandja mund të ketë qenë apokaliptike.
Para fakteve të tilla njeriu ka dy zgjedhje: të besojë fort tek Zoti ose të dyshojë përgjithnjë në ekzistencën së tij. E ndoshta Perëndia thjesht po na vë pakëz në provë, ose po qesh me planet tona. Gjithsesi duhet të bindemi se Toka po çlirohet pasi ka akumuluar shumë në brendinë e saj, por teshtima e sotme na shkundi pak më tepër se herët e tjera dhe shoqërohej nga një oshtimë zhurmëmadhe.
Ajo dukej se po vallëzonte një rock and roll ritmik. Edhe tërmeti, njëlloj si rock and roll-i është gjithpërfshirës. Ai mirëpret në histeri kolektive, njerëzit e të gjitha racave, feve, moshave, prejardhjeve etnike, mënyrave tradicionale apo alternative të të jetuarit. E ndjeni apo jo këtë muzikë, rryma e saj do t’ju rrëmbejë dhe do t’ ju bëjë të tundeni fort. Ashtu si sot.
Si përshkruhet kjo dukuri nga pikëpamja shkencore? Në gjeofizikë, tërmet (nga latinishtja terrae motus, do të thotë “lëvizje e tokës”), e njohur gjithashtu si edridhura (nga Tellus Latine, perëndesha romake e Tokës); vibracionet apo luhatjet janë të papritura, të shpejta dhe pak a shumë të fuqishme, të shkaktuara nga lëvizja e papritur e një masë shkëmbore nëntokësore ose nga lëvizje të tjera vullkanike.
Tërmeti është fenomeni natyror më i fuqishëm në tokë; energjia që mund të çlirohet brenda atij që në literaturë përkufizohet “moment sizmik” tejkalon vetëm në disa sekonda, energjinë e mijëra bombave atomike. Pra, një tërmet është në gjendje për të lëvizur në pak sekonda disa vëllime të qindra kilometrave kub shkëmb.
Si rezultat tërmetet mund të shkaktojnë dëme të rënda dhe humbje të jetëve të tëra njerëzore, nëpërmjet një sërë agjentësh destruktivë , por primare mbetet lëvizja e dhunshme e tokës, e shoqëruar me efekte të tilla si: përmbytje, rrëshqitje të tokës, lëngëzim i tokës, zjarret, derdhjet e materialeve të rrezikshme. Nëse një tërmet ndodh nën sipërfaqen e oqeanit, mbi sipërfaqe detare, ose në afërsi të bregdetit mund të gjenerojë tsunami.
Statistikat e tërmeteve në vende e periudha të ndryshme përgjatë shekujve, mbeten gjithnjë të kobshme. Njeriu nuk mund të mbrohet e as të minimizojë pasojat e tij.
Sipas këndvështrimit tim, brenda çdo fenomeni natyror dekodifikohet qartë mesazhi “ se nuk jemi të përjetshëm, por shumë të vegjël e inferiorë përkarshi natyrës e universit”.
Në këtë gazavaj, deduktoj se si këto dridhje “të pafajshme” shkëmbinjsh nëntokësorë, që ]zgjasin sa një a disa pulitje sysh, mund të shkërmoqin sakaq të gjitha ëndrrat e frymëmarrjet tona, duke na shndërruar befas në qenie inekzistente.
Tërmeti nuk ka reshtur kurrë së përshkuari të gjitha shqisat e tokës. Ai është një lloj frike ndryshe, pa fytyrë, pa identitet, që vjen të përmbysë hapësirat e sëmura, të prekura apo të deformuara nga dora e njeriut.
Personalisht s’më mbetet tjetër, veçse të belbëzoj urimin eufemistik (“Qofsh i bardhë “) të nënës sime, të cilin e ka dëgjuar nga gjyshja ime, e cila e kish mësuar nga nëna e saj, e kështu tejzgjatur në një zinxhir nënash e gjyshes që mbrapshtnumëron deri në lashtësi…