Dikush shërben, dikujt i shërbehet. Ab assuetis non fit passio. “Ajo që është e zakonshme bëhet si instiktive”- një nga parimet filozofike të Aristotelit. Kjo është motoja apo dualizmi i jetës?!
Përsëri të dy këta njerëz (Zotëria e Shërbyesi) mpleksen bashkë në të njëjtin dëshpërim; që të dy janë përfaqësues të gjinisë njerëzore. Secili e përfytyron jetën sipas mënyrës së vet. Të dy fantazojnë dhe presin, e ankthi tejzgjatet në kohë.
Po koha?! Ah, ajo është aq abstrakte. Nocioni i saj tretet në hapësirë dhe pritja shndërrohet në përjetësi.Ai të cilit i shërbehet ka mijëra adhurues, ndonëse jeta e tij mund të përbëhet nga episode që kthehen në trajtë ciklike. Qenia njerëzore që shërben trondit, prek dhe shkakton dhembshuri, por nuk adhurohet kurrë.
Shërbëtori ngjall krupë dhe keqardhje njëkohësisht. Nga buka i takojnë vetëm thërrimet.Vallë, a ka shpresë për të ?! Shpresa. Parodia therëse e jetës njerëzore. Njeriun e trembin njëlloj, suksesi dhe mossuksesi. Ai bie vetvetiu në grackën e dilemës. E më pas ngjizen me radhë: ambicia, paragjykimet, xhelozia, zilia, hipokrizia.
Teatri absurd dhe pikërisht vepra e Samuel Beket “Duke pritur Godonë” na ofron një shembull tipik varësie nga sho-shoqi të marrëdhënies shërbëtor dhe i shërbyer (thënë ndryshe zotëria) Poco – Laki.
Meqenëse nuk bëjnë dot pa njëri-tjetrin, ata shfaqen në aktin e parë të dramës, të lidhur me njëri-tjetrin me litar. Poco, zotëria, hap trastën dhe ha mish pule, ndërkohë që kockat ua hedh “skllevërve”, që s’e kanë për turp t’i lëpijnë.
Në aktin e dytë, Poco e Laki hyjnë sërish në skenë, po tashmë, Poco është i verbuar, kurse Laki është bërë memec dhe në shpinë mban një çantë me rërë.Pasi rrihen me njëri- tjetrin, si për të parodizuar të ashtuquajturën “luftë e klasave”, zotëria Poco dhe shërbëtori Laki largohen, të lidhur sërish me litar me njëri- tjetrin.Dhe Hegeli, në librin e tij “Fenomenologjia e shpirtit” e trajton raportin zotëri –shërbëtor, ku sipas tij:
•zotëria e predominon shërbyesin dhe e konsideron mjet për të ndërvepruar;
•zotëria kufizohet me konsumimin e gjërave, pra me mohimin, duke arritur kështu një vetëndërgjegje të menjëhershme, pa njohur tjetrin dhe vetveten përmes tjetrit;
•përkundrazi, shërbyesi në punë fiton vetëdijen, superon fazën e ndërgjegjes natyrore dhe zgjeron horizontin e objektivitetit dhe lirisë.
Zotëria “përleshet për vdekje” me shërbyesin , do ta nënshtrojë atë, e të sundojë krejt botën, por ja ku vjen momenti final, e ai zbulon se ky qëllim do të mbetet i papërmbushur dhe i paarritshëm.Njeriu vjen për të ikur nga kjo botë, qoftë shërbëtor apo i shërbyer, si një anakolutë, në terrin llamburitës të ëndërr-zhgjëndrrës beketiane “Duke pritur Godonë”.
Shikoni, sa thjesht! Në se një këmbë ndihet e lodhur e vendosim të pushojë mbi tjetrën. A mund të vendoset dhe ky raport midis njerëzve, fare thjesht dhe pa shtresëzime sociale ndërmjet?! Pothuajse të gjitha besimet fetare mbështeten tek kompleksi i skllavërisë, po t’u referohemi urdhëresave të tyre: fal, mëshiro, përulu, kthe faqen tjetër.
“Liri, barazi, vëllazëri” ishte slogani që frymëzoi Revolucionin francez (1789 – 1799). Pra, në periudha të ndryshme historike, qenia njerëzore shfaqet e etur për barazi.
Po i referohem filozofit grek Herakliti (540 – 480) para Krishtit, i cili iu drejtua nxënësve të tij, me këto fjalë:“Çdo gjë ndryshon, përveç ligjit të ndryshimeve’’.
Ndryshimi shënon çdo veprim, nëpërmjet të cilit bëjmë diçka ndryshe nga ç’është, e bëhet deri më tani. Ndaj,shërbyesi s’duhet të mbetet i heshtur, i pafuqishëm, i atrofizuar, sepse në fund të fundit është instrumenti përmes të cilit funksionon dhe lëviz gjithçka.
Kushedi, me shumë guxim e pak fat mund të shndërrohet në apogje !