Home KRYESORE 10 pyetjet e Metës për Komisionin e Venecias

10 pyetjet e Metës për Komisionin e Venecias

“Nisur nga situata e paprecedentë ku ndodhet sot vendi im, ku asnjë prej Institucioneve kushtetuese të sistemit gjyqësor që garantojnë kontrollin dhe balancën midis pushteteve nuk funksionon, si dhe në kushtet kur kriza e rëndë duket se po hyn drejt një zgjidhjeje falë investimit të autoriteteve më të larta të vendeve partnere kryesore europiane, do të kërkoja që shqyrtimi i kësaj çështjeje të marrë vëmendjen më të plotë të të gjithë anëtarëve të Komisionit të Venecias”.

Kështu shkruan në letrën e tij presidenti Ilir Meta, dërguar presidentit të Gianni Buquicchio pas publikimit të projekt-opinionit të përgatitur nga ekspertët, në lidhje me anulimin e datës 30 qershor, për zgjedhjet lokale. Por teksa ky komision këshillimor, vërente se Ilir Meta ka vepruar në tejkalim të kompetencave të veta kushtetuese ndërsa vendosi të anulojë 30 Qershorin si datë të zgjedhjeve vendore, kreu i shtetit ka 10 pyetje.

  1. Përveç Presidentit të Republikës, cilit institucion tjetër i njeh Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë të drejtën e caktimit të datës së zgjedhjeve?
  2. A ka ndonjë Gjykatë në Republikën e Shqipërisë që ka urdhëruar shfuqizimin e Dekretit të Presidentit të Republikës nr.11199, datë 10.06.2019 dhe Dekretit nr.11211, datë 27.06.2019? A është Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë i vetmi organ që shqyrton kushtetutshmërinë e Dekreteve të Presidentit të Republikës?
  3. A i është kërkuar Komisionit të Venecias të japë një opinion për vlerësimin e procesit të votimeve të 30 qershorit 2019? A është në kompetencën e Komisionit të Venecias vlerësimi i zgjedhjeve lokale në Shqipëri? A vendos një vlerësim i ndryshëm nga OSBE/ODIHR mbi procesin zgjedhor një precedent përplasjeje midis institucioneve ndërkombëtare? A i ka kërkuar Komisioni i Venecias opinion Kongresit të Autoriteteve Lokale mbi vendimin për mosdërgimin e vëzhguesve për procesin zgjedhor të 30 qershorit në Shqipëri, duke patur parasysh se të dy këto institucione veprojnë nën suazën e Këshillit të Europës?
  4. A përfshihet në fushën e veprimtarisë së Komisionit të Venecias përcaktimi shkallës së nivelit të sigurisë në Republikën e Shqipërisë? A kanë patur reporterët në dispozicion të dhëna nga Agjencitë e specializuara të sigurisë? A mund të shprehen ekspertët e Komisionit të Venecias mbi gravitetin e fakteve dhe grupfakteve që Presidenti i Republikës disponon në cilësinë e Kryetarit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura për situatën kërcënuese të rendit dhe sigurisë publike në Shqipëri?
  5. Në rast se në një rend shoqëror demokratik realizohen zgjedhje vetëm me një kandidat dhe pa alternativa konkurruese: A do të përbënte gjendje shkelje apo cënim të parimeve themelore kushtetuese (të parashikuara nga nenet 1/3, 3, 4, 5, 15, 45/1 e 4, të Kushtetutës)? A do të përbënte shkelje të standarteve të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe jurisprudencës së saj në lidhje për respektimin e Nenit 3, të Protokollit 1 të saj?
  6. Nën dritën e faktit se Gjykata Kushtetuese ka 18 muaj që është jashtë funksionit: A përbën kjo një situatë krize kushtetuese? A sjell pasoja në respektimin dhe zbatimin e parimeve themelore të shtetit të së drejtës, ndarjes e balancimit të pushteteve, respektimit të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut dhe demokracisë? A ka pasoja për rendin kushtetues dhe respektimin e kushtetutshmërisë? A krijon terren për nxitjen e konflikteve institucionale ndërmjet organeve kushtetuese? A pamundëson kontrollin e kushtetutshmërisë së akteve/vendimeve të organeve qendrore, pushtetit ekzekutiv dhe pushtetit legjislativ? A mundet që Kuvendi të ushtrojë kompetencat e kontrollit kushtetues që neni 131 i Kushtetutës ia ka njohur vetëm Gjykatës Kushtetuese?
  7. Referuar përmbajtjes së Kushtetutës së Shqipërisë: A ka kompetencë Kuvendi i Shqipërisë të shqyrtojë apo të shprehet me vendim për të vlerësuar, apo për të rrëzuar Dekretet e Presidentit të Republikës për caktimin e datës së zgjedhjeve për pushtetin vendor? A i nënshtrohet kontrollit nga Parlamenti Dekreti për caktimin e datës së zgjedhjeve për pushtetin vendor dhe nëse po, cila është dispozita që e bën të mundur këtë? Cila është vlera detyruese e Rezolutave që miraton Kuvendi i Shqipërisë në përcaktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore?
  8. Miratimi nga Kuvendi i Rezolutës datë 13 qershor 2019, mbi vlefshmërinë e Dekretit të Presidentit nr. 11199, datë 10.06.2019 dhe thirrja ndaj të gjithë institucioneve shtetërore për moszbatimin e dekretit: A përbën shkelje kushtetuese nga Kuvendi bllokimi i veprimtarisë dhe vendimmarrjes kushtetuese të Kreut të Shtetit? A cënon rolin e Presidentit të Republikës si ndërmjetës dhe Arbitër midis palëve? A shkakton prishje të ekuilibrave institucionale dhe kushtetues dhe për rrjedhojë tronditje të themeleve të shtetit të së drejtës?
  9. Në kushtet kur Kuvendi ka shprehur qëndrimin e tij me Rezolutën e datës 13 qershor, ku votues të këtij akti janë 100 deputetë dhe ku përfshihen edhe anëtarët e Komisioni të Posaçëm Hetimor Parlamentar, a është në kundërshtim me parimin e zhvillimit të një procesi të rregullt ligjor?
  10. Në kushtet e qëndrimeve refraktare të të dy palëve ndaj thirrjeve të përsëritura të Presidentit për dialog, a kishte Presidenti në dispozicion ndonjë mekanizëm tjetër, të ndryshëm nga nxjerrja e dekreteve apo veprimtaria që ai kishte kryer, që të krijonte një mundësi për rinisjen e dialogut politik, ruajtjen e paqes sociale, uljen e tensionit, për të arritur në zgjidhjen e krizës ashtu dhe në ruajtjen dhe respektimin e parimeve kushtetuese dhe detyrimeve ndërkombëtare?

Seanca për Shqipërinë, prej nga do të dalë edhe raporti përfundimtar mbi veprimet e Presidentit, do të zhvillohet më 11 tetor dhe është parashikuar të zgjasë rreth dy orë. Gjatë saj, Taulant Balla do të përballet me përfaqësuesit e Presidencës për ligjshmërinë e dekreteve të tij për zgjedhjet e qershorit./ Opinion.al

Share: