Home KRYESORE Basha kërkesë Ramës: Të ndjekim shembullin e Maqedonisë së Veriut

Basha kërkesë Ramës: Të ndjekim shembullin e Maqedonisë së Veriut

Kreu i opozitës, Lulzim Basha ka kërkuar që qeveria të ndjek shembullin e Maqedonisë së Veriut pas dështimit për hapjen e negociatave. Në një deklaratë për mediat, Basha tha se Europa ka refuzuar Edi Ramën dhe jo Shqipërinë.

“Europa ka refuzuar Edi Ramën jo Shqipërinë, dështimi është i Edi Ramës jo i Shqipërisë. Në Europë shkohet duke ndërtuar standardet evropiane në vendin tënd. Kjo nuk i intereson Edi Ramës, sepse nënkupton zgjedhje të lira dhe të ndershme, ndarje të politikës nga krimi… Rruga e vetme përpara është rruga drejt Europës, Europa ka refuzuar Edi Ramën jo Shqipërinë. Një njeri po na mban peng të gjithëve, kjo duhet të marrë e Maqedonisë së Veriut. Na duhet një qeveri e re, qeveri e dalë nga zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kushtet e BE janë udhërrëfyesi ynë për të dalë nga kriza për të ndërtuar një Shqipëri demokratike”, tha Basha.

Partitë e pushtetit dhe të opozitës në Maqedoninë e Veriut ranë dakord të dielën në mbrëmje për datën e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe kjo do të jetë 12 prilli i vitit të ardhshëm.

Në takimin e thirrur nga presidenti Stevo Pendarovski çështja e zgjedhjeve ishte si temë e dytë pas asaj të dështimit për marrjen e datës së bisedimeve nga Bashkimi Evropian.

Data e zgjedhjeve është pranuar me konsensus nga të gjithë pjesëmarrësit në takim. Në bazë të marrëveshjes së para disa viteve të njohur si e “Përzhinës”, tre muaj para datës së zgjedhjeve Kryeministri duhet të japë dorëheqje dhe të formohet një qeveri teknike, ku do të përfshihet edhe opozita. Kështu, qeveria teknike duhet të formohet më 3 janar. Zoti Zaev ka theksuar në takim se partia e tij është e gatshme të pranojë një njësi të vetme zgjedhore ose listat e hapura.

Maqedonia e Veriut aktualisht ka gjashtë njësi zgjedhore dhe secila dërgon nga njëzet deputetë në parlamentin republikan./ Opinion.al

Share: