Nga Mentor Kikia
Policia ka arrestuar edhe tre persona të tjerë, të akuzuar për bllokimin e rrugës tek Unaza e Re në Tiranë. PD, përmes një deklaratae e konsideroi këtë si terror ndaj protestuesve dhe i kërkoi qeverisë ti japë fund arrestimeve. “E drejta për të protestuar është themeli i një shoqërie demokratike, njohur nga Kushtetuta dhe Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut” – thuhet në deklaratën e PD-së.
Unë e mbështes protestën e atyre njerëzve që rezistojë prej një viti në kërkim të çdëmtimit të pronës së tyre. E konsideroj të ligjshëm reagimin, për të kërkuar çdëmtimin e shtëpive, që edhe pse pa leje, janë aty prej më shumë se dy dekadash.
Por bllokimi i rrugës nuk është as protestë, as e drejtë kushtetuese. Bllokimi i rrugës është bllokim rruge dhe aty nuk dëmton as kryeministrin as qeverinë, por dëmton qytetarët e tjerë.
Prej një viti, çdo ditë ora 18 – 20 është bërë ferri i atyre që duhet të kalojnë në atë rrugë. Njerëz që kthehen nga puna duhet të enden nëpër rrugicat e tmerrshme të Kasharit në gjetje të një vrime ku të dalin. Në një qytet pa rrugë alternative, kjo është luks i madh të tolerohet.
Jo, kjo nuk është protestë. Ky është persekutim i një pjese të shoqërisë nga një grup i vogël i shoqërisë.
Çdëmtmin e shtëpive nuk e kanë në dorë ata që mbeten në rrugë, që mund të jenë po aq viktima të korruptisonit sa edhe ju. PD që sot i mbron ata, është edhe përgjegjësja që ajo protestë degjeneroi në një akt thjeshtë bllokim rrugësh dhe jo protestë para institucioneve që kanë në dorë zgjidhjen.
Kauza e atyre njerëzve fatkeqë nuk e ka mbështetjen e banorëve të tjerë të Tiranës pikërisht për këtë arsye.