IKMT shemb lokalet në Rradhimë, banorë bllokojnë mjetet me fëmijë të vegjël në krah. Policia dhe FNSH shoqëron disa persona.
Faza e dytë e projektit “Lungomare”, si dhe lirimi i plazheve publike, përfshin një plan për shembjen e të paktën 60 objekteve në vijën bregdetare nga zona e “Ujit të Ftohtë”, deri në Orikum. Në ditën e parë të aksionit të Inspektoratit Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit në zonën e Radhimës, pronarët e këtyre objekteve dhe familjarët e tyre kanë bërë rezistencë.
Ata pretendojnë për shembje selektive, pasi disa objekte do t’i shpëtojnë këtij aksioni. Për këtë arsye, ata kanë kërkuar nga Bashkia e Vlorës që të njihen me projektin e vijës bregdetare. Por, zyrtarët e pushtetit lokal nuk kanë qenë në gjendje t’u vënë në dispozicion ndonjë dokument.
Përveç kësaj, banorët kërkojnë dhe dëmshpërblim, pasi disa prej tyre i kanë blerë pronat tek persona që kanë përfituar tokën në bazë të ligjit 7501. “Kemi një muaj të terrorizuar, prej datës 15 gusht. Kemi investuar lekë djerse këtu, kemi punuar në Itali. Kemi kërkuar nga bashkia të njihemi me projektin. Këta po bëjnë prishje sipas qejfit, janë disa të nënës dhe disa të njerkës. Fëmijët e mi jetën do të japin para këtij betoni. Nëna dhe baba më vdiq nga infarkti, ka vajtur aty ku nuk mban më ujë pilafi, më mirë të vdesim familjarisht. Na ka premtuar se do të rilindim, por nuk e di se çfarë po bën”, shprehet njëri prej pronarëve.
Në mbështetje të IKMT-së ishin forca të shumta të Policisë si dhe FNSH-ja e Fierit. Në zonën e “Ujit të Ftohtë”, prishja e objekteve i hap rrugë projektit të “Lungomare 2”, ndërsa në zonën e Radhimës dhe Orikumit, rehabilitimit të zonës dhe lirimit të plazheve publike.
Banorët dhe pronarët e objekteve e kanë kundërshtuar fortë ndërhyrjen e mjeteve të IKMT në zonë, duke kërkuar fillimisht të njihen me projektin e rehabilitimit të zonës, por njëkohësisht kërkojnë dhe një debat publik, me atë se çfarë parashikon projekti në këtë zonë. Shumë prej tyre mbanin fëmijë të vegjël në krah për të penguar mjetet e IKMT-së. “Nëse na prek projekti, i prishim vetë, por të na dëmshpërblejnë, se i kemi blerë. Kemi dokumente për blerjen dhe jemi edhe në proces legalizimi”, shprehet njëri prej banorëve që preket nga aksioni i IKMT-së.
“Unë dokumentet i kam që në kohën e Fatos Nanos. Vinte Fatosi thoshte nuk ka nevojë për dokumente. Erdhi Saliu e bëri me dokumente, na dha nga një copë letër. Pastaj vinte Ilir Meta na vinte ekskavatorin sa na ngacmonte pak dhe e rregullonim prapë. Votuam Edi Ramën, thamë do na rregullojë ky, do na bëjë njerëz. Ky na vuri drurin”, deklaron një tjetër banorë. Pavarësisht protestave, aksioni i IKMT-së ka vijuar me prishjen e dy lokaleve buzë detit dhe lokalin e njohur me emrin “Copa Cabana”. Aksioni i IKMT-së nisi që në orët e para të së hënës dhe ka zgjatur më shumë se tri orë.
Lidhur me pretendimet e banorëve për ndërhyrje selektive, pasi jo të gjitha objektet e shtrira përgjatë bregdetit të Radhimës deri në Orikum preken, vetë IKMT-ja reagoi duke thënë se, ndërhyrje nuk do të ketë vetëm në ato objekte që janë ende në proces legalizimi. Aksioni për shembjen e 59 objekteve të mbetura pritet të vijojë në ditët e ardhshme dhe pas kësaj pritet të nisë faza tjetër për rehabilitimin e vijës bregdetare dhe shtrirjes së projektit “Lungomare 2”./360grade.al