“Italishtja në skenë” është tema kryesore e Edicionit të 19 të Javës së Gjuhës Italiane në Botë, që do të zhvillohet edhe në Tiranë nga data 21 deri më 27 tetor 2019.
Mbi një mijë aktivitete kushtuar operës dhe teatrit, muzikës popullore dramës, letërsisë dhe melodramës do të organizohen në të gjithë botën për të promovuar italishten si gjuhë të kulturës klasike dhe bashkëkohore.
Në komunikimin skenik, ndryshe nga sa ndodh në letrësi, italishtja hyn drejtpërdrejtë në kontakt me publikun përmes zërit. Prandaj, gjuha e traditës arrin tek dëgjuesit përmes oralitetit, aktrimit dhe këndimit të interpretuesve. Për të njëjtën arsye, për edicionin e këtij viti, Ambasada Italiane ka zgjedhur të vlerësojë si Ambasador të Gjuhës Italiane në Shqipëri, kantautorin Alban Skënderaj, i cili ka realizuar për këtë rast një spot të shkurtët ku shpjegon lidhjen e tij me gjuhën dhe muzikën italiane.
“Sot gjeta fjalët dhe tingullin tim. Për ta bërë, mësova një gjuhë të re. Për mua, italishtja është muzikë”, thotë Skënderaj, duke u bërë thirrje sidomos të rinjve që kurrë të mos rreshtin së kërkuari fjalët dhe tingullin e tyre.
Programi i plotë i aktiviteteve të Javës së Gjuhës Italiane në Shqipëri do të prezantohet ditën e hënë, 21 tetor, nga Ambasadori Alberto Cutillo në Rezidencën e Italisë. Në mbrëmjen përuruese, Ambasadori Cutillo do të vlerësojë me një çmim të ftuarin e nderit Alban Skënderaj si “Ambasador i Gjuhës Italiane në Shqipëri” si dhe tre fituesit e konkursit “Kritikë të rinj muzikorë”, nxënës të seksioneve dygjuhëshe të Shkollës së Mesme “Ismail Qemali” në Tiranë, të cilët kanë rishkruar në italisht disa nga tekstet e këngëve të tij.
Mbrëmja do të vijojë me koncertin “Udhëtim në këngën italiane nga vitet 40 deri më sot”, me interpretim nga Teresa Paratore (vokal), Sokol Sejdo (saksofon), Andi Kongo (piano), Theo Napoloni (bateri), Armin Alimeri (bas).
Ndër aktivitetet e ndryshme të programuara gjatë javës, Anilda Ibrahimi, Lorenzo Colantoni dhe Riccardo Venturi do të tregojnë realitetin e emigrantëve shqiptarë në Itali dhe të italianëve në Shqipëri, ndërsa studiues të njohur të të dyja vendeve do të hulumtojnë marrëdhëniet midis Italisë dhe Shqipërisë gjatë luftës ftohtë.
Në fushën e artit dhe arkitekturës, redaktori Francesco Tenaglia do të mbajë një takim mbi pikat e përbashkëta mes të shkruarit dhe arteve pamore, ndërsa prof. Marco De Michelis do të zhvillojë një bisedë në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë në kuadrin e ekspozitës “Prova” nga Adrian Paci.
Më tej, shfaqje filmash, koncerte dhe pjesësh teatrale do të organizohen gjatë gjithë muajit tetor. Për më shumë informacion konsultoni programin e plotë të aktiviteteve të bashkëngjitur.