Home KRYESORE Kur do të votohet shkarkimi i Ilir Metës?

Kur do të votohet shkarkimi i Ilir Metës?

Opinioni përfundimtar i Komisionit të Venecias nuk i ka bindur socialistët të pushojnë hetimin parlamentar për shkarkimin e presidentit. Përkundrazi.

“Brenda afatit të ri që morëm nga Kuvendi, komisioni hetimor do ta përfundojë punën e vetë. Do të zbatojmë planin përfundimtar të hetimit të miratuar nga Komisioni”, thotë Ulsi Manja që drejton komisionin hetimor, në një intervistë për Abc News.

“Do të administrohen provat shkresore, dhe këtu e kam fjalën për opinionin paraprak dhe final të Komisionit të Venecias, do të administrohet dhe shkresa e ardhur nga Presidenti i Republikës lidhur me arsyet që e shtynë të anulojë 30 qershorin, duke respektuar tërësisht klauzolat ligjore për informacionin e klasifikuar “sekret shtetëror””, tregon më tej ai.

Komisionit i përfundon mandati hetimor në 8 Dhjetor.

“Komisioni është i detyruar të mbyllë punë që i ka ngarkuar Kuvendi me vendimin nr 84 të vitit 2019. Është një komision që i kërkohet një vlerësim në aspektin ligjor nëse Presidenti e ka shkelur ose jo Kushtetutën, dhe raporti i këtij komisioni hetimor i tillë do të jetë. Më pas seanca plenare vendos politikisht për shkarkimin e Presidentit të Republikës”.

Dhe pse janë të bindur që Meta e ka shkelur Kushtetutën duke zhdekretuar 30 qershorin si datë zgjedhjesh, Ulsi Manja nuk është gati të pohojë votën e tij pro shkarkimit. Socialistët do të votojnë shkarkimin, por topi do të ngelet në derën e Gjykatës Kushtetuese.

Teksa kjo gjykatë nuk është ende funksionale e plotësimi duket i largët, Ilir Meta do të vazhdojë të jetë në krye të shtetit./ Opinion.al

Share: