nga Andrea Alushi
Të metat dhe gabimet e njerëzve – ka thënë Ezopi në Greqinë e lashtë – i mbart secili nga ne mbi vete në dy thasë. Në thesin që varet përpara, ka të gjitha të metat dhe gabimet e të tjerëve, dhe prandaj i shikon ato vazhdimisht. Ndërsa në thesin që varet mbrapa, janë të gjitha të metat dhe gabimet e tij, dhe prandaj nuk i shikon kurrë..!
Nuk e di, të dashur miq dhe të afërm, por kjo thënie e madhe Ezopit, m’u kujtua edhe gjatë dëgjimit të shpjegimit apo justifikimit të kryeministrit tonë, si dhe gjatë leximit të shumë lajmeve dhe komenteve në media dhe rrjetet sociale, për vendimin negativ de jure edhe këtë herë të BE-së, edhe pse shumë nga ne, duke u nisur nga zhvillimet politike, mënyrën e qeverisjes dhe papërgjegjshmërinë e politikanëve tanë tërë këto vite, me në krye ata që janë në pushtet tani dhe po qeverisin edhe këto vitet e fundit, e prisnim një gjë të tillë. Por që na ngrohu pak, si i thonë fjalës, propozimi inkurajues Gjerman me hapjen e negociatave me 9 kushte, i cili, për mendimin tim, ishte më i mirë, vlerësues dhe frymëzues për ne qytetarët e thjesht, por edhe detyrues për politikanët tanë miop dhe të papërgjegjshëm gjithë këto vite qeverisje nga të dyja krahët e politikës.
Është për të ardhur keq që, të dy kampet e politikës dhe politikanëve tanë të dështuar, vazhdojnë të mbrohen si përherë në “llogoret” e veta, dhe secili shikon “thesin” e gabimeve të tjetrit, dhe jo “thesin” e vet, i cili, fatkeqësisht, është po aq i mbushur me gabime, dhe që vazhdojnë akoma ta mbushin me paaftësinë e tyre për të krijuar një alternative politike vizionare të qëndrueshme dhe të besueshme. Ashtu si këtë herë në Kosovë, ku për 24 orë, përmbysën një “status quo” 20 vjeçare, e cila po i mbante peng zhvillimin ekonomik dhe integrimin edhe mes veti si komb, ashtu siç po na mbani ju prej 30 vjetësh…Prandaj dhe kjo thënie e Ezopit është shumë aktuale në rastin konkret, dhe ju shkon shumë për shtat dhe për fytyrë. Një “fytyrë”, e cila mund të prezantoj gjithçka, por jo një “fytyrë” kombëtare reale, e cila nuk na shpreh si vend dhe si komb..!
Në fakt, vendimi negativ i Francës dhe presidentit të saj, zotit E. Makron, së bashku me Danimarkën dhe Holandën, ishte me të vërtetë një ngjarje shumë e hidhur dhe trishtuese për ne popullin e thjeshtë të këtij vendi të stërmunduar edhe në këto 29 vjet demokraci de jure, që ngelëm me valixhe në krah dhe rrugëve të Europës dhe botës, duke u përpjekur dhe luftuar prej vitesh të bëhemi si Europa, si dhe pjesë integrale e saj. Por, duhet të jemi realist, dhe nuk duhet të shikojmë vetëm “thesin” Francez, Danez dhe Holandez, por edhe thesin tonë të gabimeve.
Ne, jo vetëm nuk kemi akoma një shtet ligjor si Europa dhe si institucionet shtetërore të saj, por edhe dukemi në sytë e botës si një ushtri e shpartalluar, që ka humbur drejtimin, dhe ku secili mundohet të iki dhe të shpëtoj si të mundet, me komandatin legjendar, pra kryeminstrin tonë në krye.. Dhe fajin, përsëri e ka Europa, në rastin konkret Franca, dhe se nuk na duan fare si popull, dhe që nuk i kanë lënë gjë pa thënë duke gërmuar në histori dhe e shumë epitete të tjera, të cilat kanë kaluar çdo sjellje qytetare dhe njerëzore në publik. Është e drejtë e tyre dhe liria e mendimit dhe shprehjes nuk duhet të ndalohet, siç bëri edhe kryeministri me zgjedhjet e fundit, që i çoi të votonin të gjithë në rresht dhe me libër shtëpie ata që punonin në administratë, dhe tani kërkon edhe hapje negociatash.
A ndodh kjo në Europë?! Sigurisht që jo..! Pra, na mungon liria themelore e votës së lirë dhe të shprehurit lirshëm dhe pa frikë.
Ja, se çfarë deklaroi të premten në një intervistë ekskluzive në “The Daily Briefing”, Drejtori i Përgjithshëm i Facebook Mark Zuckerberg, ku iu përgjigj një pyetje nga Dana Perino nëse ai mendonte se fjala e lirë ishte nën sulm.
“Unë mendoj se është një moment i rëndësishëm për të mbështetur zërin dhe lirinë e shprehjes këtu dhe në mbarë botën.”
“I think it’s an important moment to stand up for voice and free expression here and around the world.” – Mark Zuckerberg.
E pra, zoti kryeminstër, ne në Shqipëri dhe nën udhëheqjen tënde të “lavdishme” që nga viti 2013, jemi akoma nën sulm për fjalën e lirë dhe po e paguajmë shtrenjtë këtë dëshirë për liri. Madje edhe shumë media dhe biznese që duan të jenë të lirë dhe të pavarur, ashtu si në Francë, Holandë, Danimarkë, Gjermani etj., për fajin tënd dhe “lakenjëve” të tu që ke rreth e rrotull, ne do të paguajmë mbi 130 milionë euro edhe një kanali televiziv privat, që ti e mbylle se nuk të pëlqente politika editoriale e tij. Gjithashtu, ke shitur apo edhe ke dhënë me koncesion gjithë pasurinë tonë kombëtare, ku për frymë të popullsisë ia kalojmë edhe Gjermanisë. Dëmi nga vjedhjet ordinere dhe me tendera dhe më gjerë në administratën publike dhe analfabete që ke krijuar, ka arritur në 1.7 miliardë euro, gati 5 herë më shumë se qeveria e mëparshme dhe fajin, përsëri, e kanë të tjerët dhe jo ti..!
Personalisht, edhe pse kam rezervat e mia për Francën, pasi historia kështu na mëson, nuk jam dhe nuk veproj, siç thotë populli ynë: për një plesht, të djeg jorganin. Por, mesa duket, ka mundësi që edhe ti personalisht, të mos jesh i popullit tonë auotokton, dhe prandaj nuk të bëhet shumë vonë. Gjithsesi, sot unë do bëj avokatin e djallit, dhe do e mbroj Francën, Danimarkën dhe Holandën, dhe do i them faleminderit edhe presidentit Makron, që, për të mos na diskretituar si vend dhe si komb për shkakun tuaj dhe sivëllezërve të tu politikanë, nuk vuri kushte të reja, pasi ato i vuri Gjermania dhe ishin dakord të gjithë me ato, pra, Ai e la edhe Maqedoninë e Veriut jashtë, me të cilën, ti nxitove dhe u sule për një marrëveshje për të na futur në “Europën” Ballkanike, që e quajte apo e “kodove” si “shengen” Ballkanik. Madje pa pyetur fare edhe për Kosovën, që ish presidenti Francez, Jacques Chirac , një mik i madh i yni, pasi unë dhe shumë të tjerë që mendojnë ndryshe nga ti dhe soji yt politikanë e më gjerë, nuk i fusim të gjithë politikanët Francezët dhe të tjerët që janë kundër nesh në një “thes”, – i cili, në 1999, kur e pa se si po rridhnin ngjarjet në realitet, iu bashkua pa hezitim aleatit tonë historik SHBA-ve, që e çliroi Kosovën dhe trojet shqiptare, edhe nga një gabim i të parëve të tij në 1913, nga Sërbia e madhe, ku ti dëshiron ta futësh përsëri..!
Më konkretisht, ja se çfarë shkruan në përgjigjen e tij, shkrimtarit tonë të madh, Ismail Kadare, ish presidenti Francez, Jacques Chirac…
PRESIDENTI REPUBLIKÉS FRANCEZE PÉRGJIGJE ISMAIL KADARESÉ
Paris, 9 shtator 1998
I dashur Mjeshtër,
Ju falenderoj per letrén tuaj té datës 26 gusht, të cilén e lexova me një vëmendje të madhe..
Dhe ndër të tjera vazhdon:
Unë e kuptoj plotësisht fatin, që luhet në këtë krizë për ruajtjen e vlerave që ne ndajmë bashkarisht, në ruajtje të drejtpeshimit të këtij rajoni, në qendër të kontinentit tonë. Është kjo arsyeja që, qysh në fillim të kësaj krize, unë kam mobilizuar të gjitha mjetet e aksionit francez. Në planin diplomatik, në radhë të parë, sepse nuk mund të ketë zgjidhje globale e të vijueshme, pa një marrëveshje politike. Këtu është fjala për të përcaktuar një status të një autonomie shumë të gjerë, duke respektuar kufijtë ndërkombëtarë. Duhet që Grupi i Kontaktit, që bashkon fuqitë kryesore të interesuara, të shënojë gjurmët e tipareve të këtij statusi e, të bëjë të mundur, marrëveshjen e angazhimit për të.
Por, nëse zëri i arsyes nuk arrin të bëjë atë që duhet, atëherë do të duhet përdorimi i armëve, për ti bërë armët të heshtin.
Atëherë, Franca do t’i kërkonte Këshillit të sigurimit t’i jepte të drejtë NATO-s, për të ndërhyrë me të gjitha mjetet e nevojshme.
Pra, siç e di, jo vetëm që ndodhi ajo që tha, por edhe Franca ishte vendi i katërt që e njohu pavarësinë e Kosovës..
Ndoshta, edhe sot presidenti aktual, si përfaqësues i Francës moderrne, është në të njëjtën dilemë, ku vlerat tona po kërcënohen nga vetë ju polikanët tanë dhe, sot, rolin e NATO-s, po e luan “Reforma në Drejtësi”, ku asnjë nga ju nuk e dëshiron. Një reformë, e cila, permes spastrimit të gjyqësorit të korruptuar dhe krijimit të institucioneve të reja – SPAK-u, do të mundësoj që ti dhe soji yt që nuk e meritojnë, të largohen nga skena politike. Dhe atëhere do të shikosh se si do të happen negociatat për 24 orë, edhe pse do të na duhet akoma punë për t’u bërë anëtarë me të drejta të plota, dhe të jemi aty ku e kemi vendin historikisht dhe ku duhej të ishim prej kohësh, por që ju dhe raca juaj hibride që keni sjellë në politikë, po na mban jashtë dhe po na denigron përditë e më shumë..
Për koincidens dhe me ngjarjen, pashë në arkivën time një shkrim në 22 qershor 2018, një javë para se të merrej vendimi për hapjen e negociatave me BE, në 28.06.2018, ku ti “ngele” edhe atëhere përsëri në klasë, ashtu si edhe këtë herë, dhe prandaj po vendos një pjesë që ka lidhje me situatën sot dhe rrugën tënde të dështuar të qeverisjes, dhe që nuk ka ndryshuar pothuajse asgjë në drejtim të demokracisë, përveç se tani i ke të githa pushtetet dhe je bërë edhe “mbreti” ynë… Madje të kisha krahuasuar edhe me Mohikanin e fundit, por tani, mesa duket, ke hyrë vërtetë në rrugën drejt fundit…
….
Edi Rama si…“The last of Mohicans”! Pra, si “Mohikani i fundit”…!!
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian, në mënyrë të veçantë Gjermania dhe së fundmi edhe Franca, më në fund, e kuptuan se, sjellja dhe politika e Ramës, ishte një “fasadë” dhe nuk ndryshonte shumë nga ajo e politikanëve të tjerë që kanë penguar dhe pengojnë integrimin e vendit tonë në këto 27 vjet. Vendimi në 28 qershor 2018, ndoshta dhe, pse jo, duhet të jetë “goditja” e fundit nga BE, ku do të dalë zbuluar hipokrizia dhe demagogjia e elitës politike të korruptuar me kryeminstrin në krye, i cili fshihet pas problemeve që gjoja i krijon edhe opozita…
Dikur, ju zoti Rama, para zgjedhjeve Amerikane në 2016, me atë megalomaninë tuaj që iu karakterizon, kaluat çdo limit dhe shkelët çdo kornizë diplomatike botërore, duke futur “hundët” në një vend tjetër, madje dhe në Amerikë, simbol i demokracisë botërore, duke akuzuar dhe konsideruar kandidatin Amerikan për President, zotin Donald Trump, sot Presidenti i SHBA-së, si një njeri të rrezikshëm për Amerikën dhe njerëzimin.
Në 12 qershor 2018, Presidenti Donald Trump, arriti marrëveshjen historike me Korenë e Veriut për të shpëtuar njerëzimin nga budallallëku komunist. Budallallëk që ne e vuajtëm për 45 vjet dhe po e vuajmë akoma… Pra, koha tregoi që, je thjesht një njeri megaloman, populist dhe i përdorur si “skllav”, apo edhe si “piruni” i atyre që dogjën edhe flamurin Amerikan për interesa të ngushta personale, kur humbën zgjedhjet, të cilat ti si “largpamës” i parashikoje dhe i dëshiroje ndryshe…!! Pra, kur ata djegin Amerikën, për ne as pyesin dhe as na llogarisin fare.?!
Është fatkeqësi kombëtare që, ju dhe elita jonë politike keni futur frymë përçarëse jo vetëm në emigracion në këto 28 vite, por edhe në diasporën e Amerikës dhe më gjerë në disporën tonë. Prandaj dhe diaspora jonë shpeshherë reflekton dhe vepron sipas oreksit të politikës shqiptare, Pra, e shikon kundërshtarin politik si armik dhe jo si një alternativ ndryshe, ashtu siç vepruat edhe ju kur mblodhët diasporën në Tiranë. Me përjashtim të disa figurave të njohura, ajo mund të ishte gjithçka, por jo një përfaqësim dinjitoz i diasporës që luftoi komunizmin për 50 vjet, dhe që bindi edhe Kongresin Amerikan në ndërhyrjen ushtarake në Kosovë dhe, më vonë, duke i dhënë Pavarësinë Kosovës. Sot, fatmirësisht, në Maqedoni kemi edhe votimin e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare. A nuk është edhe kjo një ndihmë e Amerikës dhe Presidentit Donald Trump?! Natyrisht, vetëm dogmatikët dhe militantët mund të mendojnë ndryshe…!!
….
Por, gjithashtu, dhe fatkeqësisht, “Rilindja” jote dhe më gjerë në politikën shqiptare, duke përfshirë edhe shumë intelektualë, tani e kanë kthyer ndryshe thirrjen e rilindasve tanë, pra: Vërtet Shqipërinë e kemi bashkë, por “tepsinë” secili për vete…!! Në fakt, me emrin intelektual në Shqipëri është abuzuar. Shumë janë kthyer në “zëdhënës” të partive politike thjesht për një karrike. Më konkretisht, po marrë një deklaratë të deputetit të LSI-së, Shezai Rrokaj, i cili kërkonte të ndryshohej neni 3, i reformës në drejtësi, ligj i cili kërkon që konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme të filloj që nga viti 1991, me vendosjen e demokracisë. Ndërsa Shezai Rrokaj, kërkonte që konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme të fillonte pas votimit të reformës në drejtësi, dhe jo që nga vendosja e demokracisë, pra që nga 1991. Pra, Ligji, të mos kishte fuqi prapavepruese. Ky ish Rektor, dhe që nuk dihet se sa ka “marrë” edhe për vete, kërkon tani që të mos i kap ligji. Dhe kur e dëgjoja Shezon që fliste dhe jepte mendime për të shpëtuar veten dhe ata që na kanë rrjepur për 28 vjet, më kujtonte gjeneralin Rus, Zheleznov, tek filmi ”Ballë për ballë“ , pasi i ngjan edhe pak…
Për informacion, për ata që nuk e dinë, vendosja e këtij neni me fuqi prapavepruese është meritë e Amerikanëve dhe arritja e tretë personale e Ambasadorit Amerikan, pas atyre të dyjave që përmenda më sipër, dhe që duhet shënuar si sukses personal dhe i padiskutueshëm i Ambasadorit Amerikan, zotit Donald Lu, i cili vuri veton dhe i detyroi që të kalonin ligjin që të vepronte që nga 1991.
…..
Gjithashtu, në vazhdim, për të qenë më i plotë në analizën dhe argumentat e mia, po rendis edhe disa arritje të tjera të Presidentit Donald Trump, për Amerikën, Amerikanët dhe më gjerë:
- “Stock Market” arriti nivelin më të lartë në të gjithë historinë. – Ndoshta mund të kesh përfituar edhe ti në planin personal! Ke edhe një dosje nga KLSH, dhe ndoshta “fle“ në Prokuri tek Tiku, e cila quhet “Kthim në identitet“.. Nuk e di, por ajo mund të ishte gjithçka, por jo kthim në identitet.. A mund të rihapet ?! Nuk e di, por, kur të pyeti një gazetare për këtë rihapje, “ngece” dhe nuk iu përgjigje…!!
- Besimi i konsumatorit Amerikan, më i madh në 17 vitet e fundit, që nga viti 2000. – Në Shqipëri as që bëhet fjalë për një besim të tillë…
- Mbi 2.73 milionë vende pune të reja të krijuara dhe,
- Indeksi i papunësisë ra në 3.9 për qind. Më e ulëta kjo në 18 vitet e fundit. Ndërsa ti dërgove mbi 200 mijë azilantë në Europë…
- Ndryshoi rregullat e angazhimit kundër organizatës ISIS dhe,
- Plan projekt për shkatërrimin e ISIS – Kurse ti po i sjell në Shqipëri..
- 5 vjet ndalim lobimi nga të huajt… Kush e di se sa keni paguar juve dhe shumë si ju nga taksat tona, për të ardhur në pushtet..?!
- Paqe përmes forcës. – Rezultat konkret Korea e Veriut… Për ty, as që bëhet fjalë me opozitën.. Mos u mërzit, pasi nuk je vetëm, sepse edhe ata nuk ngelen mbrapa… Vetëm po erdhi “xhaxhi“ nga Amerika, apo “Uncle Sam“, si thonë Amerikanët me humor… Eh, ajo nata e 17 Majit 2017…!!!
Kuptohet, këta Europianët nuk i pyet fare, sepse ata nuk e kuptojnë një lider global si ty, dhe i trajton si të dorës dytë, madje edhe duke i frikësuar…!! - Reforma e taksave dhe ulja e tyre… Vetëm një pronar fabrike në Amerikë, me miratimin e kësaj reforme, shpërbleu 60 mijë punëtorë me nga 2000 dollarë secilin. – Kurse ti Edo, ke futur taksë gjelbërimi dhe pastrimi edhe në fshat, edhe pse kanalet janë plot… ke futur edhe taks për ndriçim rruge. Këtej nga fshati im, edhe ato 5 llamba që vure në qendër të fshatit, nuk ndizem më… Megjithatë taksat i paguajmë këtej… Nuk po flas për rrugën kryesore që lidh tre fshatra, e cila është bërë tërë gropa, sikur sapo kemi dalë nga lufta dhe bombardimet në Alepo, në Siri, pasi ti je i zënë me rrugë dhe vepra të mëdha, Edo… Eh, ku ne fshati dhe fshatarët këtej… Gjithsesi, uroj dhe shpresoj që të mos kthehet edhe rruga e Arbrit me kosto si rruga e kombit, apo edhe si “by pass-i“ i Fierit. Emrat e rrugëve i kemi të mëdhenj, por edhe me “kostot“ e rrugëve ama, nuk ngelemi mbrapa… Eh. mo Edo, paguan ky popull…!! Po, ti mos u mërzit.! Rri vetëm atje lart ku je, mblidhe populin si “delet” deri tani, dhe fol gju më gju me atë, dhe na udhëhiq drejt “fitimeve” të reja, më fal Edo, drejt shtigjeve të reja…!!
- Russian collision obsession – Evitimi i idesë fikse të përplasjes me Rusinë. Ndërsa ti e ke në plan të parë, ashtu si mentori yt pët të “trembur” Amerikën dhe BE-në.
Anyway, janë edhe më shumë, rreth 19, të cilat i kishte renditur një revistë prestigjioze Amerikane, por mjaftojnë këto për të parë veten se ku je ti, jo me Presidentin Amerikan, që e cilësoje rrezik për Amerikën, pasi nuk bëhet fjalë, por, ku je ti me vendin dhe popullin tënd ?!
Marrim një arritjen tënde të fundit ku e quaje sukses: Rritja e pensioneve 2.8 për qind. Kjo nuk është rritje, Edo, por kompesim i inflacionit, dhe kjo ndodh kudo në vendet e tjera…
Mendoj dhe do bëje mirë, pasi do t’i bëje një shërbim të madh popullit dhe vendit tënd, dhe të thoje, siç e ke thënë edhe më parë që, unë nuk jam politikan. Pastaj hapi rrugën ngritjes së institucioneve të Reformës në Drejtësi, e cila do të sjell elitat e reja në drejtësi, në politik dhe më gjerë, dhe lëri “filmat“ se, nuk do opozita dhe se problem është vetëm ajo… Ose, hap rrugën dhe kalo në zgjedhje të parakohshme, duke i mbyllur “gojën” edhe opozitës se i ke vjedhur apo blerë zgjedhjet.. Bëhu burrë me pantallona dhe këpucë, dhe jo burrë me kostum dhe atlete, që le edhe nam në elitën Europiane…!!
Pyeta një mikun tim socialist në Fier se si shkonte me punë? Ç’punë, thua! Më hoqën, më tha. – Po ti je edhe socialist, i thashë. Mirë e ke, por pushtetin e ka “Rilindja“ dhe jo socialistët. – Ja pra, edhe vetë socialistët nuk të besojnë më, pasi ”Rilindja jote, na doli si “Revolucioni i Xhon Turqëve”, dhe u shërben vetëm “rilindasve” që kanë uzurpuar pushtetin…!! Prandaj e do edhe kaq shumë Erdoganin ti, ndërsa Europianëve kërkon t’ua paraqitësh si “Gogol“, duke e kordinuar edhe me “Rrezikun Rus”, pra, edhe me “Gogolin” Rus … Edo, e kam fjalën për “gogolIn” si shejtan, dhe jo për “Gogol-in, shkrimtarin e madh të ish perandorisë Ruse, me origjinë nga Ukraina e sotme…
Në Gjermani, Erdogani u kërkoi deputetëve me origjinë Turke, që të mos votonin masat shtrënguese kundër tij. Por ata i thanë hapur: “Ne jemi rritur dhe zgjedhur deputetë në Gjermani, dhe mbrojmë interesat dhe të drejtat e Gjermanisë, duke respektuar edhe origjinën tonë.” Madje i kërkuan Erdoganit që të ndryshonte edhe politikën ndaj popullit Turk. Erdogani u çmend fare, i bëri “Lanet”, dhe u tha se ju nuk jeni me gjak Turk. Kurse ti dhe Hashimi i Kosovës, e keni bërë vëlla dhe i keni hapur dhe ulur të gjitha…!!
Anyway, kam shumë për të thënë, dhe jo vetëm unë Edo, por që ti nuk na lejon të vijmë në takimet e tua gju më gju me popullin, pasi duhet leje jo vetëm për të ardhur, por edhe për të folur.. por që nuk është koha dhe vendi tani tani… Gjithsesi, shpresoj dhe uroj të na jepet rasti, pasi kurrë mos thuaj kurrë, por mendoj se ti nuk do jesh fare as në politik atëhere… Gjithashtu, seç flitet që janë rreth 12 deputetë aty në PS, që mund të të rrëzojnë edhe para kohe si kryeminstër… Prandaj dhe ti ke filluar “blerjet” e reja, nga PDIU dhe LSI… “Gojët e liga“ thonë se po bën përpjekje për të blerë edhe nga “PD”…?! Ç’ti bësh, “ekonomi tregu” gjithandej…!!
Gjithsesi, shpresoj dhe uroj që, më në fund, këtë herë më 28 qershor 2018, Europa të flasi pa doreza dhe të bëj histori…!!
E kemi të nevojshme dhe na detyrohet Europa, jo juve të politikës, por ne popullit të thjeshtë, që po paguajmë kusuret tuaja të cilat nuk i meritojmë.
…..
Fier, 22.06.2018.
Prandaj, edhe këtë herë, më 18 tetor 2019, 18 muaj më vonë, Franca dhe presidenti Makron, duke ju njohur shumë mirë, që premtoni shumë dhe nuk bëni asgjë, apo edhe ato që bëni, i bënë me “dhunë” nga BE me Amerikën në krye, ashtu si deri tani, nuk ra në kurthin tuaj, dhe nuk të dha “letrën” dhe kredon e shumë pritur, pasi t’i do ta shfrytëzoje përsëri në favorin tënd, pasi ne si popull nuk fitojmë gjë për momentin edhe sikur të hapen, dhe ti do të na e shisje si një sukseses tjetër, dhe do të na e tundje në “fytyrë” duke bërtitur me të madhje se, unë kam të drejtë dhe Europa më do, por ju si kundështarë politik nuk më doni dhe e keni gabim. Në fakt, personalisht, unë jam i filozofisë dhe e citoj përherë që: Më mirë një kundërshtar me kulturë, se sa një mik pa vlerë… Pra, preferoj më mirë kundërshtarë si Franca, Hollanda dhe Danimarka, se sa një mik dhe kryeminstër të korruptuar dhe antikombëtar si ti dhe shumë politikanë të vendit tim, majtas dhe djathtas, dhe që keni nga 10 – 15, apo edhe 30 vjet në skenën politike, madje edhe që nga sistemi komunist, dhe që jetoni padrejtësisht në kurrizin tonë, pasi nuk e keni justifikuar me punën dhe arritjet tuaja kombëtare, përveç arritjeve tuaja personale..!
Unë shpresoj dhe uroj që, së pari, të paktën deri në dhjetor 2019, të ndryshoj kodi zgjedhor, “Thembra e Akilit” të demokracisë, dhe kushti Amerikan, Gjerman dhe i BE-së, që, më në fund, ne të kemi të drejtë të zgjedhim kandidatët që duam, dhe jo të votojmë si delet ata që na shkruani ju në listën e kandidatëve që e bëni edhe brenda natës, apo, më mirë, në “listën e pazareve” tuaja, dhe ku ka kandidatë që nuk i njeh as komshiu, e jo më neve populli që i shikojmë një herë në katër vjet, pa folur për nivelin e tyre…!
Së fundmi, unë jam nga ata që shpresoj dhe besoj vetëm tek SPAK-u, BKH dhe Gjykata e re Kushtetuese dhe e Lartë, edhe pse e vonuan dhe u munduan ta njollosin procesin… Nëse arrihet që të formohen sa më shpejt, – pasi përsëri Amerika dhe BE, ju detyroi që të filloni punën edhe me 8 veta, – besoj se viti 2020, do të jetë vërtetë fillimi i vitit të Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Unë nuk jam nga ata që them se zgjedhjet e parakohshme janë “shkopi magjik“, i cili do të japi zgjidhje të menjëhershme, pasi alternativa e opozitës, dhe kur shikon edhe “aleatët“ e saj, ka ngelur vetëm si “tentativë“, nuk është shumë e besueshme në kauzën e saj, dhe nuk është si ajo e Kosovës në zgjedhjet e fundit. Kjo për faktin se, tek ne, shumica e nivelit të lartë të drejtimit të partive janë të njëjtët që morën dënimin dhe humbën në zgjedhjet e vitit 2013 dhe 2017, dhe nuk zgjidhen problemet me ata që i kanë krijuar ato.
Gjithashtu, ju zoti kryeministër, nuk jeni në pozicionin komod të kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, i cili ka merita për shumë gjëra dhe për emrin e saj. Prandaj ai ka të drejtën morale të kërkoj zgjedhje të parakohshme, të cilat, edhe mund ti konsolidojnë edhe pozitat e tij për të ardhmen.
Gjithsesi, unë uroj që kjo “Jo“ Franceze, të kthehet edhe në një favor për elementin tonë kombëtar shqiptar si shtet formues atje. Këtu tek ne, të them të drejtën, edhe me këtë opozitë që kemi, ti mund të fitosh përsëri zgjedhjet, pasi i ke blerë të gjithë dhe nuk ka as shtet ku të ankohesh, dhe na “ngele“ vërtet në derë, si i thonë fjalës..
Prandaj, pasi të formohen institucionet e reja dhe të funksionojë shteti ligjor si në Francë, Gjermani, Holandë, Danimarkë, Suedi, që janë kampione të demokracisë në Europë, atëhere të ketë zgjedhje me ata që kanë kaluar vetingun edhe në politikë dhe me lista të hapura, që populli të zgjedhë kandidatin, dhe të marri përsipër përgjegjësinë për zgjedhjen e tij…
Nëse voton prapë të njëjtët që i ka kaq vite në qafë dhe ata me precedentë penalë, më qafë pastë veten, pasi shumica të merr përpara dhe të nxjerr nga rrjedha e duhur e jetës.. Por, fajin, nuk do ta ketë më Europa..!
U bëftë më e mira për vendin dhe popullin tonë..!
Fier, 19.10.2019