Home KRYESORE Një skenar filmash, si u zbulua grupi terrorist që vepronte në Shqipëri

Një skenar filmash, si u zbulua grupi terrorist që vepronte në Shqipëri

Një rrjet terrorist, i drejtuar nga regjimi iranian është zbuluar në Shqipëri. Sipas autoritete të anti-terrorit, synimi i këtij rrjeti ishte kryerja e sulmeve ndaj lëvizjes opozitare iraniane (MEK).

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu tha se celula terroriste është gjithashtu përgjegjëse, mes të tjerash, për planin e muajit mars 2018 për kryerjen e një akti terrorist gjatë kremtimeve të Festës së Nevruzit, të frekuentuar nga anëtarë të nivelit të lartë të organizatës opozitare iraniane Mujahedeen el Khalq .

“Celula terroriste drejtohet nga operativi i Forcave QUDS, i njohur si PEYMAN. PEYMAN është rezident i përhershëm në Iran dhe menaxhon në distancë një numër operativësh në Shqipëri dhe në vende të tjera në Evropën Qendrore dhe Perëndimore. Mes të tjerash, ai inicioi dhe zbatoi tentativën e fundit për sulm në muajin mars 2018. PEYMAN menaxhon shumë operativë, disa për grumbullim informacioni dhe të tjerë për të kryer sulme terroriste”, tha Ardi Veliu.

Një nga këta operativë është Alireza Naghashzadeh, një iranian i cili është vetë një ish-anëtar i MEK-ut dhe zotëron një pasaportë austriake.  Naghashzadeh u dërgua nga PEYMAN-i për të grumbulluar informacion në Shqipëri gjatë disa vizitave të veçuara, si pjesë e planeve për një sulm që eventualisht u ndalua.

Një tjetër operativ, është Abdolkhalegh Malekzadeh, një iranian që jeton në Turqi dhe që ka drejtuar celulën operacionale.  Malekzadeh (i njohur gjithashtu nga lidhjet kriminale me pseudonimin “Ferhat”) ka vazhduar të punojë gjatë dy viteve të fundit me Abdulselam Turgut, një figurë e njohur e krimit të organizuar turk, për të planifikuar sulme terroriste me urdhër të PEYMAN-it dhe të Forcave QUDS.

Turgut, i njohur si një bos mafioz turk dhe kreu i një rrjeti të fuqishëm ndërkombëtar të trafikut të drogës është burgosur së fundmi në Azerbajxhan dhe në Turqi me akuza për trafik droge. Turgut ka gjithashtu lidhje të vjetra me krimin e organizuar në Shqipëri.
Aiështë liruar nga një burg në Turqi në fund të vitit 2018. Në vitin 2011, ai është burgosur gjithashtu në Shqipëri me akuza në lidhje me trafikimin e dyshuar të rreth 1 ton heroinë, por u arratis nga vendi duke përdorur një pasaportë false, pasi gjykata ndërroi masën e sigurisë nga “Arrest në burg” në “Arrest shtëpie”.

Operativët kriminelë, me bazë në Ballkan, që janë vartës të Turgut-it ose të një trafikanti droge turk të lidhur me të, nga viti 2018, janë dërguar në Shqipëri për të avancuar planifikimin e sulmeve kundër MEK-ut, siç ishte diktuar nga MALEKZADEH dhe Forcat QUDS.
Autoritetet shqiptare i kanë identifikuar këta individë dhe informacioni i siguruar nga informatorë nga brenda organizatave kriminale i ka lejuar autoriteteve shqiptare që të parandalojnë planin e marsit 2018 dhe planifikimet eventuale për sulme nga figurat e krimit të organizuar që kishin si objektiv MEK-un për llogari të regjimit Iranian.

Forcat QUDS janë krahu operacional i IRGC (Islamic Revolutionary Guard Corps – Trupat e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit) që vepron përtej kufijve të Iranit. Forcat QUDS drejtohen nga Qassem SOLEIMANI, i cili është përgjegjës, mes të tjerash, për aktivitetin e Iranit në Jemen, Irak, Siri dhe Liban. Celula terroriste i përkiste, siç u përmend, njësisë së operacioneve të jashtme të Forcave QUDS, një njësi operacionale e konsideruar si klandestine dhe sekrete, e cila është përgjegjëse për planifikimin dhe zbatimin e aktivitetit terrorist jashtë Iranit.

Brenda kësaj njësie, ka një në nnjësi që merret ekskluzivisht me organizatat që janë kundër regjimit. Modus Operandi i njësisë përfshin menaxhimin nga distanca të forcave të treta (proxy), zakonisht kriminelë dhe anëtarë të mafies me të kaluar të ndryshme, në mënyrë që të mbulohet përfshirja e Iranit në terrorizëm.

Duke përdorur këtë Modus Operandi, MOIS (Ministry of Intelligence and Security – Ministria e Inteligjencës dhe Sigurisë) të Iranit ka vrarë të paktën 4 opozitarë të regjimit në Holandë, Gjermani dhe Turqi dhe ka organizuar sulme të pasuksesshme, sikurse ishte sulmi i fundit i mbetur në tentativë kundër konferencës së MEK-ut në Paris, në Qershor 2018./ Opinion.al

Share: