Home KRYESORE Qeveria sulmon prokurorin, reagon KLP

Qeveria sulmon prokurorin, reagon KLP

Neni 7 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë sanksionon qartë se sistemi i qeverisjes në Shqipëri bazohet në ndarjen dhe balancimin midis pushteteve ligjvënës, ekzekutiv dhe gjyqësor. Te treja degët e pushtetit janë të ndara dhe të dallueshme nga njëra-tjetra.

Megjithatë prej disa ditësh qeveria është hedhur në sulm ndaj një prokurori. Kryeministri Edi Rama sulmoi edhe të hënën prokurorin në Durrës, Arjan Ndoja duke e cilësuar këtë të fundit si të lidhur me krimin e organizuar. Për këtë ngjarje ka reaguar dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë, një organ i ngritur nga reforma në drejtësi.

Këshilli vëren se deklarimet, janë të tilla që mund të paragjykojnë ecurinë dhe përfundimin e një procesi gjyqësor në vijim dhe të procedurave të tjera ligjore. Këshilli i Lartë i Prokurorisë inkurajon deklaruesit, si dhe çdo subjekt tjetër publik ose privat, të denoncojnë pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda të gjitha rastet e dyshuara të kryerjes së veprave penale nga çdo prokuror i Republikës, ndërsa dyshimet për kryerjen e shkeljeve disiplinore duhet të denoncohen pranë Prokurorit të Përgjithshëm (deri sa të krijohet Inspektori i Lartë i Drejtësisë) dhe institucioneve të veting-ut. Nga ana tjetër, Këshilli i Lartë i Prokurorisë iu bën thirrje të gjithë prokurorëve të Republikës të vijojnë punën me përgjegjshmëri të lartë në zbatim të kompetencave të tyre kushtetuese për ushtrimin e ndjekjes penale dhe përfaqësimin e akuzës në shërbim të shoqërisë. Mënyra më e mirë për të arritur tek e vërteta është respektimi i procedurave dhe i institucioneve të ngarkuara nga ligji me dhënien e drejtësisë”, theksohet nën jë deklaratë nga KLP.

Përplasja mes qeverisë dhe prokurorit të Durrësit, Arjan Ndoja nisi pas arrestimeve të fundit në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës në Durrës. Në fillim të muajit, prokuroria arrestoi Lusiena Kolën, përgjegjëse e sektorit juridik në ASHK-në e Durrësit.

Më pas njoftoi edhe arrestimin e Liridon Pulës, i cili mbante postin e drejtorit. Prokuroria ka bërë po ashtu shpalljen në kërkim të ish-kreut të agjencisë së legalizimeve.

Pula ashtu edhe Kola akuzohen për shpërdorim detyre, pasi sipas prokurorisë kanë regjistruar dhe lëshuar certifikata pronësie në një prej fshatrave turistikë në Gjirin e Lalzit.

Në dokumentin e Gjykatës së Durrësit për vlerësimin e masës së sigurisë ndaj Kolës bëhet me dije se ajo kishte kryer procedura për regjistrimin e pronës “në emër të subjektit investitor ndërtues Lura sh.p.k”.Prokuroria pretendon se regjistrimet janë bërë në shkelje të ligjit dhe me gabime.

“Ka rezultuar gjithashtu se sikurse në librat ku bëhet regjistrimi manualisht, edhe në kartelat e pasurive për të cilat janë lëshuar certifikata e pronësisë nuk janë shënuar kufizimet përkatëse sipas kontratave që janë lidhur me pronarët e truallit, kusht ky i kërkuar shprehimisht nga Ligji Për Kadastrën”, thuhet në kërkesën e prokurorisë për masën e sigurimit ndaj Kolës. Të dy zyrtarët e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në Durrës mohojnë akuzat./ Opinion.al/ Opinion.al

Share: