Home KRYESORE Sot është Dita Ndërkombëtare Sensibilizuese në suport të Shëndetit Mendor

Sot është Dita Ndërkombëtare Sensibilizuese në suport të Shëndetit Mendor

Nga Edlira Durmishaj


Do doja të jap tre mesazhe zemre, por që njëkohësisht mbartin përgjegjësinë e profesionit, ndërgjegjes dhe humanizmit.

• I pari, shkon për profesionistët e shëndetit mendor; Të nderuar koleg, puna juaj është e paçmueshme dhe misioni juaj sublim meriton vëmëndjen e të gjithë hallkave e strukturave të pushtetit vendor dhe ekzekutiv, për rritjen e cilësisë së shërbimeve, parandalimeve por dhe shpëtimit të jetëve që jetojnë në vuajtje.

• Së dyti, familjarëve të njerëzve që vuajnë nën një “etiketë” diagnoze ose jo.

Barra juaj është ajo më e rënda. Shpesh ju duket se nuk keni zgjidhje e se askush nuk ju kupton. Mirënjohja e gjithë botës, nuk do të mjaftonte për t’ju treguar se, pa ju misioni dhe puna jonë nuk do të kishte sukses, dhe se; Po. Ne ju kuptojmë. Ndiejmë dhimbjen tuaj, dhe marrim pak nga meraku dhe trishtimi juaj sa here që shtrëngojmë duart për t’u përshëndetur për takimin e radhës.

Ju jeni aleatët më të ndritur e më diplomat që ka parë fytyra e tokës. Por ajo që meritoni të dëgjoni sot më shumë se kurrë është se: Bashkë mund t’ja dalim për ditë më të mira e më të bukura.

•Dhe e fundit, shkon për çdo njeri, djalë apo vajzë, grua apo burrë i ri apo i moshuar që vuan me dhimbjen, ankthin, depresionin, skizofreninë:
Ju nuk jeni vetëm! Rreth e qark jush, ka kaq shumë dashuri, dritë mirënjohje e vlerësim që pret vetëm që ju të zgjasni dorën. Ne e dimë se është e vështirë. Por sot, ju duhet të mësoni atë që dimë ne: Është gjithmonë një derë e hapur për zgjidhje, ndihmë, shpresë, jetë.

Asgjë, nuk është e paarritshme.

Ju, jeni miqtë më të mirë që kemi njohur, nënat më të përkushtuara, bashkëshortët/et më besnik, studentët më të zellshëm, fëmijët më me synime, njerëzit me ndjenjën më të lartë të përgjegjësisë, ata që më shumë keni menduar e sakrifikuar për këdo, dhe veten tuaj e keni lënë mënjanë më shumë se gjithçka. E gjitha kjo ka vetëm një emër: Dashuri!
Ndaj sot, është dita, që t’ju kujtojmë se: Meritoni gjithë dashurinë, mirënjohjen, vëmëndjen dhe respektin e botës
Zoti ju bekoftë!


~ Çdo 40 sekonda, dikush humb jetën në tentativë për suicid.
Tregojuni të dashurve tuaj, se nuk janë vetëm!

Share: