Home KRYESORE Zyrtari i DASH: SHBA mbështetje të palëkundur për SPAK dhe BKH

Zyrtari i DASH: SHBA mbështetje të palëkundur për SPAK dhe BKH

Zv. Ndihmës Sekretari amerikan për Çështje të Narkotikëve dhe Ligjzbatimit Jorgan Andrews, ka deklaruar se përkushtimi i Shteteve të Bashkuara për të mbështetur ngritjen e strukturave të reja që do të luftojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar, si SPAK dhe Byroja e Hetimit, mbetet i palëkundur.

Kemi punuar fort për të ndihmuar Shqipërinë që të krijojë procesin e përzgjedhjes, për të siguruar që personat që vijnë në këto struktura të jenë kontrolluar (vetuar), dhe sillen si duhet pasi bëhen pjesë e atyre strukturave. Ideja është që pasi këto struktura të jenë themeluar dhe ngritur me personat e duhur, ata të mund të ndihmojnë institucionet shqiptare të bëhen më të forta, më transparente dhe të ofrojnë shërbime më të mira dhe drejtësi për qytetarët. Pra, përkushtimi ynë është i palëkundur. Do të vazhdojmë t’i mbështesim këto organizata” deklaroi ai në një intervistë për Zërin e Amerikës.

I pyetur mbi raportin e DASH në lidhje me gjendjen e trafikut të drogës në Shqipëri dhe korrupsionit si një nga elementët kryesorë që kontribuojnë në përkeqësimin e situatës Zoti Andrews tha se ky është një fenomen i përhapur në të gjithë botën.

Ai deklaroi se grupet kriminale kanë burime të reja për lëvizjen e drogës dhe Shqipëria është një nga ato vende ku këto mjete do të shfrytëzohen. Megjithatë në deklaratën e tij ai pranoi se kemi të bëjmë me organizata kriminale ndërkombëtare.

Mendoj se ka pasur përhapje jo vetëm të tipeve të drogave, me gjithë këto drogat sintetike, por që me globalizimin e logjistikës, korridoreve dhe rrjeteve, ka pasur edhe një përhapje të rrugëve të trafikimit. Pra, grupet kriminale ndërkombëtare kanë më shumë mundësi për të prodhuar dhe lëvizur drogat kudo në botë. Për pasojë, nuk duhet të habitemi që organizatat kriminale ndërkombëtare, përfshi ato në Shqipëri, po shfrytëzojnë këto mjete në botën e globalizuar” u shpreh Andrews.

Sa i përket korrupsionit ai nuk dha një përgjigje të drejtpërdrejtë për Shqipërinë por tha se ky është fenomeni kryesor që minon çdo shoqëri dhe duhen institucione të forta për ta dekurajuar atë.

Nëse nuk kemi institucione të forta, të afta dhe të besueshme që krijojnë shtysat e duhura për sjellje të ndershme dhe shkurajojnë sjelljen e pandershme. Një nga gjërat ku punojmë me homologët tanë në Shqipëri, teksa ata ndërmarrin nisma të ndryshme anti-korrupsion, është se përpiqemi t’i ndihmojmë për të ngritur institucionet që do të shkurajojnë korrupsionin tek njerëzit. Sepse në pikëpamjen tonë, korrupsioni është ai që minon çdo gjë në shoqëri.

Kështu, homologët tanë shqiptarë në sektorin e drejtësisë, në polici dhe tjetërkund po shohin masa të ndryshme anti-korrupsion. Realizimi i kësaj do t’i bëjë më të fortë kundër organizatave kriminale ndërkombëtare për të ulur përmasat e trafikimit njerëzor, trafikut të drogës, dhe të tjera veprimtari kriminale. Pra të gjitha këto janë pjesë e krijimit të një sistemi më të mirë, më të fortë, më të aftë drejtësie” deklaroi ai.

Zyrtari i DASH foli gjithashtu edhe për ndihmën prej 920 mijë dollarësh që SHBA dha për përmirësimin e sistemit të burgjeve në Shqipëri. Kjo sipas tij është e nevojshme pasi kur synohet të reformohet i gjithë sistemi duhen mbështetur të gjitha institucionet njëkohësisht.

Kemi vënë re në vende të tjera se nëse reformohet policia, kjo nuk mjafton nëse gjykatat dhe burgjet nuk reformohen. Nëse reformohet policia, prokurorët dhe gjykatat, por nuk ke bërë gjë me burgjet, pavarësisht nëse arreston, heton dhe dënon një anëtar të krimit të organizuar, ai person mund të shkojë në burg dhe prapë ta drejtojë sipërmarrjen kriminale nga burgu. Pra, sistemi i burgjeve është pjesë kyç e përpjekjes për reforma në sistemin e drejtësisë dhe interesi ynë është që të ndërtojmë një program që ndihmon për të siguruar që qeveria në fakt t’i kontrollojë burgjet dhe të sigurohet që të burgosurit nuk vazhdojnë të drejtojnë sipërmarrjet e tyre kriminale nga burgu” tha Andrews.

Jorgan K. Andrews mbikëqyr programet e Byrosë Ndërkombëtare të Narkotikeve dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit në Europë dhe Azi. Ai ka qenë i angazhuar në 3 programet më të mëdha të Byrosë, në Kolumbi dhe Meksikë në luftën kundër krimit të organizuar, trafikut të lëndëve narkotike dhe duke forcuar institucionet në sektorë të drejtësisë. Andrews ka shërbyer gjithashtu edhe në Kazakistan, Guatemala dhe Rusi. /Opinion.al

Share: