nga Armir Shkurti
Përralla
Në shtratin e vdekjes babai u thotë 3 djemve të tij se në kopshtin e shtëpisë ndodhej një thesar. “Punojeni arën bijtë e mi dhe do ta gjeni….”
Rrëfimi i djemve
- Ne të tre nuk flisnim me njëri – tjetrin. Për çështje prone. Babai kishte vendosur të rrinte me vëllanë e vogël ndaj ne dy të tjerët nuk flisnim as me babanë. Por meqë po vdiste, u mblodhëm. Nuk e prisnim të na tregonte për thesarin, kështuqë, menjëherë pas varrimit u kthyem dhe nisëm të gërmojmë kopshtin. Gërmuam tri ditë e tri net, derisa erdhi policia bashkiake…
Kryetari i bashkisë
- Që të bëshë punime në shtëpi duhet patjetër një leje. Dhe ne patëm informacion se tre vëllezërit po hapnin një gropë pa leje. Kur më thanë se kërkonin thesarin e fshehur nga i ati u sugjerova që bashkë me lejen të marrin edhe një firmë ndërtimi të specializuar të bëjë punimet. Dhe ata më dëgjuan, por….
Tre djemtë
-…por ne s’kishim para! Megjithatë, falë dashamirësisë së kryetarit dhe mirëkuptimit të firmës ramë dakord që pagesën ta bëjmë pasi të gjendet thesari. Kështuqë ata sollën shumë makineri. Gërmuan 1 metër…3, 4, 5, …20 metra! Por nuk gjetën gjë…
Gjykatësi
Së pari, tre vëllezërit nuk kishin testament. Së dyti, vlera e investimit nga firma kalonte shumë herë vlerën e truallit dhe shpenzimet e gjyqit….
Kryetari i bashkisë
-E si mund ta lejonim ne një gropë gjigande në zemër të qytetit? Ose duhej rimbushur urgjent , ose…
Ndërtuesi
- Të gjendur në këto kushte gjetëm një të mesme. Vendosëm të ndërtojmë një grataçielë elegante. Gjithashtu ne shembëm banesën dykatëshe në mes të kopshtit por, meqë ne ndërtuam qendër biznesi s’kishim mundësi t’u jepnim shtëpi në atë vend tre vëllezërve….
Kryetari i bashkisë
- Ja pra që puna është thesari më i çmuar! Pa punën e kompanisë së ndërtimit ai kopsht në mes të qytetit me shtëpinë e shëmtuar në mes do mbeteshin turpi ynë. Ndërsa sot zhvillimi i asaj prone me një qendër biznesi 33 katëshe (….)
Tre vëllezërit
- Bab të dhjefsha amanetin! Mirë pa shpi na le, po s’kena lek as me mbyll gjyqin!
Fundi i përrallës
…pastaj ndërtuesi i qendrës së biznesit investoi edhe në bujqësi dhe një pjesë të prodhimeve i ekspozoi në panairin “Shqipëria punon tokën”