Home KRYESORE FSK nis për Shqipëri grupin e ekspertëve për vlerësimin e objekteve

FSK nis për Shqipëri grupin e ekspertëve për vlerësimin e objekteve

Me kërkesë të qeverisë shqiptare dhe me vendim të Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, me urdhër të komandantit të FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Ramës, sot është nisur një grup i ekspertëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, për vlerësimin e shkallës së dëmtimit të banesave dhe objekteve tjera nga dëmtimet e tërmeteve që kanë goditur Shqipërinë këto ditë.

Ky kontingjent është vazhdimësi e misionit të njësive të specializuara të Gardës Kombëtare të FSK-së, që u janë bashkuar operacioneve të kërkim-shpëtimit që nga momentet e para pas goditjeve të tërmetit shkatërrues në Shqipëri.

Vijon të rëndohet bilanci i viktimave të tërmetit të fuqishëm që goditi në orët e para të mëngjesit të së martës Shqipërinë. Numri i atyre që kanë humbur jetën, arriti në 40 persona këtë të enjte. Të paktën 9 trupa u nxorën gjatë natës nga rrënojat e pallateve dhe banesave të shembura. Numri më i madh i viktimave, 23 persona, është shënuar në Thumanë ku u rrëzuan dy pallate.

Ndërsa 16 është numri i atyre që kanë humbur jetën në disa zona të Durrësit, në një pallat 6 katësh të shembur në qytet, në dy hotele të rrënuara në zonën e Plazhit si dhe në vilë tre katëshe në zonën e Kënetës , ku jetonin tre vëllezër dhe familjet e tyre. Mes viktimave deri tani janë 4 fëmijë, nga 3 deri në 8 vjeç, dhe 18 gra.

Në mëngjes, kërkimet në Thumanë, u ndërprenë përkohësisht, pasi duket se nuk ka më banorë që mund të kenë mbetur nën rrënoja. Megjithatë po bëhen dhe verifikimet e fundit përpara se gjithçka të deklarohet e mbyllur. Operacionet e kërkim shpëtimit po vijojnë ndërkohë në zonat e Durrësit.

Mëngjesin e sotëm kryeministri Edi Rama thirri një tjetër mbledhje të qeverisë, duke kërkuar që të bëhet një verifikim i plotë i të gjithë personave të strehuar tanimë nëpër hotele, ku vijon transferimi nga tendat i banorëve të prekur. Kryeministri tha gjithashtu se ka nisur dhe inventarizimi i dëmeve në godina dhe banesa./ Opinion.al

Share: