Home Gjeo-Ekonomia Jehona e komenteve të Macronit në Evropën Lindore

Jehona e komenteve të Macronit në Evropën Lindore

Komentet pa doreza të Emmanuel Macronit se NATO-ja është “klinikisht e vdekur” kanë zhgënjyer evropianët e tjerë, por ky është një rrezik që presidenti francez është i përgatitur ta marrë përsipër, thanë zyrtarët në Paris.

Në një intervistë për revistën The Economist, Macron paralajmëroi se Evropa nuk mund të mbështetej më tek Shtetet e Bashkuara për të mbrojtur aleatët e saj dhe se ka nevojë të marrë sigurinë në duart e veta.

Edhe pse Macroni ka kohë që i ka kërkuar Evropës ta mendojë veten si një “fuqi sovrane” autonome, vlerësimi i tij kritik ndaj aleancës 70-vjeçare të NATO-s ngjalli reagime të forta, me Angela Merkelin e Gjermanisë që e quajti këtë vlerësim “drastik”.

Por, për presidentin 41-vjeçar, e folura hapur është e nevojshme për ta shkundur Evropën nga apatia e saj, përpara samitit të 4 dhjetorit në Londër.

“Jemi plotësisht të vetëdijshëm se është e rrezikshme,” i tha një zyrtar francez agjencisë Reuters. “Kur i thua gjërat siç janë, është e pashmangshme të mos ndezësh acarime, tensione, ndonjëherë edhe ndarje”.

“Mund të jetë e dhimbshme fillimisht, por ndonjëherë kjo bëhet bazë për unitet në të ardhmen,” tha zyrtari. “Disa vende duan të fshehin atë që ndodhi në Siri dhe ne mendojmë se është jashtëzakonisht e rrezikshme”.

Evropa nuk mundi ta ndalojë Turqinë të ndërmerrte një sulm në Siri dhe u kap e papërgatitur nga vendimi i Presidentit Donald Trump për të tërhequr trupat e tij nga zona, ku Franca dhe të tjerët ishin duke luftuar Shtetin Islamik.

Evropa Lindore e Pakënaqur

Komentet e Macronit shkaktuan shqetësim të konsiderueshëm në Evropën lindore, e cila i sheh Shtetet e Bashkuara si garantuesin e vetëm të pavarësisë së saj nga një Rusi në ringjallje.

“Nuk mund të them që kjo deklaratë na bëri shumë të lumtur,” u tha presidenti lituanez Gitanas Nauseda gazetarëve në Romë.

Në Estoni, e cila ndan kufirin me Rusinë, zv/kryetari i Komisionit të Parlamentit për Punët e Jashtme, Marko Mihkelson, tha se komentet e Macronit po dërgonin një “sinjal të rrezikshëm”.

“Macron mund të jetë i dëshpëruar që Shtetet e Bashkuara të Evropës të kenë ushtrinë e vet, por ta shkatërrosh qëllimisht aleancën e transatlantikut, diçka që na bashkon dhe na ndihmon më shumë në mënyrë efektive të përballeni me rreziqet e botës, është thjesht qesharake”, tha ai.

Shqetësim shprehi edhe Polonia, e cila ka një mosmarrëveshje të gjatë me Francën për çështjet e mbrojtjes. Ajo prishi një kontratë ushtarake me firmës Airbus në vitin 2016 për të blerë në vend të kësaj pajisje amerikane.

Udhëheqësit boshnjakë thirrën ambasadorin francez të premten për t’i kërkuar shpjegime të deklaratave të Presidentit Francez Emmanuel Macron i cili tha se Bosnja ishte një “bombë me sahat”.

Macron e cilësoi Bosnjen si burimin kryesor të shqetësimeve të Evropës në Ballkan për shkak të “problemit të saj të kthimit të xhihadistëve”. Ambasadori, Guillaume Rousson, diskutoi deklaratat e Presidentit Macron me kryetarin e presidencës tre-palëshe të Bosnjës Zeljko Komsic. Gjatë takimit, Komsic bëri një ftesë për Macronin të vizitojë Bosnjën për të parë situatën nga afër. Ndërkohë, dy anëtarët e tjerë të presidencës së Bosnjës ofruan perspektivën e tyre mbi komentet e Macronit.

Përfaqësuesi boshnjak, Sefik Dzaferovic, tha se deklarata ishte “plotësisht e pabazuar”. Por Milorad Dodik, anëtari serb i Bosnjës, tha që komentet e Macronit nuk duhet të injorohen./opinion.al

Share: