Home KRYESORE Kompania EHW bën kallëzim penal për Agron Heton dhe drejtues të tjerë...

Kompania EHW bën kallëzim penal për Agron Heton dhe drejtues të tjerë të AKU-së, për falsifikim analizash

Kompania EHW, ka paraqitur pranë prokurorisë së Tiranës, një kallëzim penal për ish drejtorin e AKU-së, z. Agron Hetoja, për inspektorin e AKU-së pranë PIK Durrës, z. Rakip Kokomani dhe ish drejtoreshën e Drejtorisë së Vlerësimit të Riskut dhe Komunikimit, znj. Esmeralda Gorovelli.

Këta persona akuzohen për falsifikim të mostrës së marrë për analiza të një ngarkese mishi derri, të importuar nga EHW me origjinë BE (Qipro) duke falsifikuar:

  • Firmën e personit të autorizuar nga EHW për dorëzimin dhe pranimin e mostrës.
  • Origjinën e mostrës nga BE/Qipro në Brazil.

Për pasojë, edhe pse u vu në dijeni për këto falsifikime, AKU komunikoi, në dt. 23/08/2019 rezultatet e falsifikuara të analizave dhe bllokoi sasinë e mishit, si të pasigurt për konsum.

AKU bëri publik një rrezik të paqenë për konsumatorin, ndonëse mishi ishte i bllokuar.

Këtë veprim antiligjor këta persona të AKU e kanë bërë me një qëllim të vetëm: dëmtimin e imazhit të kompanisë EHW.

Kërkesat e shumta ligjore të kompanisë për përsëritjen e analizave në laboratorë të certifikuar në vend ose ndërkombëtarë,u refuzuan nga ish drejtori i AKU-së, z.Agron Hetoja edhe pasi kompania dokumentoi falsifikimin e mostrës dhe për pasojë edhe të analizave.

Më pas, me ndërhyrjen e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, analizat u përsëritën sipas një procedure korrekte.

Një ekip i AKU-së rimori mostrat dhe analizat u bënë në Institutin e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinare (ISUV).

Rezultati i analizave të ISUV për 5 mostra të marra është i njëjtë me atë të certifikatës shoqëruese të prodhimit nga BE. Mishi rezulton me zero ngarkesë bakteriale, i përshtatshëm për konsum.

EHW siguron edhe një herë të gjithë konsumatorë dhe klientët e saj se garantimi i cilësisë dhe sigurisë së produkteve që ofrohen në treg, kanë qenë e do të jenë prioriteti kryesor i kompanisë.

EHW, me besimin e plotë tek institucionet e drejtësisë, siguron se nuk do të lejojë asnjë rast abuziv të cenojë profesionalizmin dhe seriozitetin e EHW-së dhe gjithë punonjësve të saj.

1
2
3

360grade.al

Share: