Home KRYESORE Meta e Thaçi në zonat e prekura nga tërmeti: Kosova është pranë...

Meta e Thaçi në zonat e prekura nga tërmeti: Kosova është pranë Shqipërisë

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi i shoqëruar edhe nga homologu i tij shqiptar, Ilir Meta ndodhen në zonat e goditura nga tërmeti i së martës.

Presidenti i Kosovës, theksoi se vendi i tij do të ndihmoj Shqipërinë që të kaloi situatën tragjike ku ndodhet që pas goditje së tërmetit 6.4 ballë. Ai tha gjithashtu se kur Shqipëria ka dhimbje, edhe Kosova ka dhembje, kur Shqipëria ka zi edhe Kosova ka zi.

 “Dëshiroj të falënderoj ushtarët dhe policët e Kosovës që i janë paraqitur kësaj gjendje. Shqipëria nuk do të jetë vetëm. Të jemi bashkë dhe ta tejkalojmë bashkë këtë situatë… Kosova është pranë Shqipërisë me të gjithë potencialin e saj shtetëror dhe qytetar. Shqipëria ka bërë shumë për Kosovën në vitet e 98 dhe 99, ku ishin hapur dyert për qytetarët e Kosovës dhe të njëjtën gjë po bënë sot Kosova për qytetarët e Shqipërisë… Shqipëria nuk është vetëm, e ka Kosovën e ka edhe bashkësinë ndërkombëtare”,tha Thaçi.

Ndërkohë, presidenti Meta ka falënderuar Kosovën për ndihmën që po i jep Shqipërisë në këto dy ditë të vështira. Meta ka shprehur mirënjohjes dhe për qytetarët e Kosovës, të cilët kanë kontribuar me ndihma për qytetarët shqiptarë të cilët u prekën nga tërmeti.

“Sigurisht është një situatë dramatike e cila vazhdon dhe ka vështirësitë e saj, sepse ende kemi ndjerë që ka lëkundje, siç pati dhe sot në mesditë, të cilat cenojnë edhe punën edhe sigurinë, të forcave të shpëtim-kërkimit në rrënojat e godinave, të cilat janë rrëzuar dhe ku po kërkohen qytetarët tanë, me shpresën për t’i shpëtuar ata. Në radhë të parë do doja të shprehja falënderimet më të përzemërta për shtetin e Kosovës, për popullin e Kosovës, për Presidentin Thaçi që jemi sot këtu, për gjithë institucionet e Kosovës, në mënyrë të veçantë për FSK-në, e cila ka fituar një simpati mjaft të gjerë, jo vetëm për shkak të reagimit të menjëhershëm dhe ka qenë e para që është gjendur në vatrat e nxehta të kësaj krize, por dhe me seriozitetin, me efikasitetin, me përkushtimin e saj ka bërë dhe po bën çdo gjë për të na ndihmuar të gjithëve në këtë sfidë të jashtëzakonshme dhe të paprovuar më parë. Përpjekjet po vazhdojnë dhe do vazhdojnë deri në fund, dhe shpresojmë që do kemi më shumë fat deri në fund me këto përpjekje që nuk do mbarojnë deri në gjetjen e qytetarit  më të fundit nën këto rrënoja me shpresë gjithmonë,”-është shprehur Meta./ Opinion.al

Share: