Marsida Xhaferllari është tashmë dhe ‘de fakto’ anëtare e Gjykatës Kushtetuese. Në faqen zyrtare të Gjykatës Kushtetuese, e cila prej kohësh ka qenë jashtë funksionit, është publikuar përbërja, mënyra si zgjidhen anëtarët dhe kriteret që duhet të përmbushin.
Po kështu janë publikuar emrat e 5 anëtarëve aktualë: Vitore Tusha, Besnik Muçi, Elsa Toska, Marsida Xhaferllari dhe Fiona Papajorgji si dhe një CV e shkurtër e tyre. Mungon në këtë listë emri i Arta Vorpsit, e cila u konsiderua e zgjedhur si anëtare e Kushtetuese nga lista e Presidentit si e para e listës pas djegies së afatit nga Presidenti i Republikës dhe që u betua para një notereje.
Ky është hapi i dytë me anë të të cilit Gjykata Kushtetuese njeh dekretin e Presidentit Meta për Marsida Xhaferllarin. Më 15 nëntor Gjykata Kushtetuese i dërgoi institucionit të Presidentit të Republikës dhe Kuvendit të Shqipërisë listën e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese që plotësojnë kushtet e parashikuara në ligj për të qenë anëtar të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Në listë mungonte emri i Arta Vorpsit, ç’ka konfirmon se Gjykata Kushtetuese nuk e ka njohur mandatin e Arta Vorpsit, e zgjedhura automatikisht nga parlamenti si e para e renditur në listën e KED.
Gjykata Kushtetuese përbëhet nga 9 anëtarë. Tre anëtarë emërohen nga Presidenti i Republikës, tre anëtarë zgjidhen nga Kuvendi dhe tre anëtarë zgjidhen nga Gjykata e Lartë. Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese qëndrojnë në detyrë për 9 vjet, pa të drejtë riemërimi.
CV e Marsida Xhaferllarit e botuar në faqen zyrtare të Gjykatës Kushtetuese
Lindur më 06.03.1975 në Tiranë. Diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës në vitin 1997. Në vitet 1997-2000 ka kryer studimet në Shkollën e Magjistraturës, në brezin e parë të të diplomuarve të kësaj shkolle, dhe është emëruar në detyrën e gjyqtares. Ka ushtruar detyrën e gjyqtares në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Fier gjatë viteve 1999-2007. Në dhjetor të vitit 2007 ka ushtruar në strukturat juridiko-profesionale të Ministrisë së Drejtësisë detyrën e këshilltares së ministrit, detyrën e drejtoreshës së përgjithshme të Drejtorisë së Kodifikimit dhe atë të drejtoreshës së përgjithshme të Çështjeve të Drejtësisë. Për shkak këtyre detyrave ka qenë pjesë e disa komisioneve apo këshillave drejtues, si Komisioni i Etikës së Konferencës Gjyqësore Kombëtare, Këshilli Drejtues i Shkollës së Magjistraturës, Këshilli Administrativ i Institutit të Sigurimeve Shoqërore apo Komisioni i Mbrojtjes së Konsumatorit.
Në janar të vitit 2013 është emëruar në detyrën e Kryeinspektores së Inspektoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Që prej vitit 2005 është angazhuar në vijimësi në aktivitete mësimdhënieje, duke përfshirë edhe Programin Fillestar dhe Vazhdues të Shkollës së Magjistraturës, si dhe ka qenë eksperte ligjore në projekte të lidhura me sistemin e drejtësisë. Në vitet 2015-2016 ka qenë pjesë e Grupit të Ekspertëve të Nivelit të Lartë të Reformës në Drejtësi, duke punuar për ligjet për gjyqësorin dhe financimin e gjyqësorit. Është autore e disa manualeve të punës për çështje të hartimit të legjislacionit, si dhe për ato të inspektimit. Në muajin nëntor të vitit 2019 është emëruar anëtare e Gjykatës Kushtetuese./Lapsi.al