Home KRYESORE Referendumi, Meta: Merrni fatin në dorë shqiptarë! (Sa shanse ka)

Referendumi, Meta: Merrni fatin në dorë shqiptarë! (Sa shanse ka)

Pasi bëri një panoramë të situatës që po kalon Shqipëria, që sipas presidentit është në degradim të plotë, Ilir Meta kërkoi sërish referendum.

“Shqipëria e ka pësuar një herë dhe është betuar që diktatura nuk do të përsëritet kurrë më. Do të qëndroj kryegarant i mbrojtjes së Kushtetutës. Nuk drejtohet Shqipëria me rezolutë, por me Kushtetutë. Shqiptarët të marrin fatin e tyre në dorë në mbrojtje të Kushtetutës. Përmes referendumit të mbrojmë Republikën. Të vendosë populli nëse pranon të kthehet në diktaturë apo të mbrojë demokracinë. Referendumi është demokracia direkte dhe demokracia në veprim”, u shpreh presidenti Meta.

Në konferencën e tij, që Presidenca u kujdes ta cilësonte si të jashtëzakonshme, Ilir Meta tha se “jemi para situatës dramatike, ku Kushtetuta po shkelet hapur për të përqendruar të gjithë pushtetet në duart e kryeministrit aktual”.

“Pushteti ekzekutiv është unifikuar me atë legjislativ, numri kushtetues prej 140 deputetësh ka 10 muaj që nuk plotësohet, janë kapur të gjitha bashkitë e vendit me proces antiligjor, vendi është lënë për dy vjet pa Gjykatë Kushtetuese, pa Gjykatë të Lartë, janë kaluar mbi 20 ligje antikushtetuese që cenojnë interesin publik, fjala e lirë është zëvendësuar nga censura dhe autocensura, Shqipëria po shpopullohet pa ndalim dhe nuk ka asnjë investim serioz nga SHBA, Gjermani, Itali apo Britani”, nënvizoi Meta, i cili fjalën e tij e mbylli duke bërë me duar shqiponjën.

Shqipëria ka ndryshuar deri tani katër herë kushtetutën e miratuar fillimisht në vitin 1998, por në të gjitha rastet, ndryshimet janë miratuar në Kuvendin e Shqipërisë dhe mendimi i popullit nuk është kërkuar kurrë.

Shqipëria ka bërë tre referendume që nga koha e komunizmit, një prej të cilëve vuri në fuqi kushtetutën aktuale, por nuk ka bërë deri tani asnjë referendum që nga miratimi i kësaj kushtetute.

Kushtetuta aktuale i jep ekskluzivitet për ndryshimin e saj vetëm Kuvendit të Shqipërisë dhe asnjë institucion tjetër nuk mund ta prekë. Organizimi i një referendumi është thuajse i pamundur edhe për çështje jokushtetuese për shkak të ngurtësisë së Kushtetutës për të lejuar referendume dhe për shkak se Kodi Zgjedhor i vitit 2003, i ka komplikuar rrugët për organizimin e një referendumi aq shumë, sa që nga koha e rënies së komunizmit deri më sot, në Shqipëri ka pasur vetëm një përpjekje të suksesshme për zhvillim referendumi, rasti i Aleancës Kundër Importit të Plehrave, ku referendumi sërish nuk u krye për shkak se ligji i sulmuar u shfuqizua nga qeveria pa mbërritur dita e referendumit.

735

Share: