Nga Armir Shkurti
Kur ka epidemi, prite një qepë dhe lere në dhomë gjithë kohës. Mbledh gjithë mikrobet e viruset dhe ti nuk prekesh prej tyre. E njejta teknikë u përdor me Teatrin Kombëtar.
I përdorur si “qepa” Teatri mblodhi gjithë energjinë dhe zemërimin. Ndërkohë që atë “e mbrojtëm”, gjatë kohës që e mbronim, 40 metra më tej, mu pas Bashkisë, nisën themelet e po hedh shtat një kullë.
Por nuk folën mbrojtësit e teatrit për të. As për “Eye of Tirana“ që nisi themelet e po hedh shtat në qendër, ku bashkohet rr. Durrësit me rr e Kavajës, perëndimi i Skënderbejt.
As për 30 katëshin në Sheshin Skënderbej, si shtesë për hotel Tiranën. Se “qepa” funksionoi dhe në vend të një lëvizjeje qytetare për mbrojtjen e Tiranës mbeti si “betejë për Teatrin”, sidoqoftë e pëlqyer dhe mbështetur nga shqiptarët e paopozitë.
Pak ditë më parë Veliaj premtoi shembjen në janar. Do të thotë, ose po bën gati gropë tjetër rreth sheshit dhe po “pret qepën” prapë, ose qepa e mbaroi misionin dhe duhet flakur.
Në këtë variantin e dytë kryetari i Bashkisë ka dy skema të provuara: skemën Veliaj dhe skemën Rama.
E para, Veliaj, është e buta dhe e ëmbla, me takime artistësh e specialistësh të cilët, pasi njihen me projektin e ri, pataksen dhe luten të prishet i vjetri dhe të ndërtohet urgjent i riu.
Por unë besoj më shumë tek e dyta. Ajo Rama. Dhunë, forca speciale, gaz, dinamit! Meqë u mblodh kaq energji rreth “qepës”, qepa duhet bërë shembull! Duhet vrarë edhe ajo pak shpresë për kundërshtim, organizim qytetar, oponencë, shprehje e lirë. Kokoret, gazlleshi dhe dinamiti (ose rruspa në vend të këtij të fundit) vrasin të fundmin qiri ende ndezur dhe japin një mësim të mirë për çdokënd që çon ndërmend ngatërrimin e hapit rreshtor.
Në prishet me hir a me pahir, makar edhe në vazhdon e rri në këmbë, “Teatri” vrau qendrën e Tiranës dhe “protesta” vrau oponencën ndaj tjetërsimit të qendrës së kryeqytetit dhe betonizimit të sheshit.