Home KRYESORE SHBA apel iranianëve: Na dërgoni video që dokumentojnë dhunën në protesta

SHBA apel iranianëve: Na dërgoni video që dokumentojnë dhunën në protesta

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, u ka bërë thirrje iranianëve që të dërgojnë video dhe informacione të tjera që dokumentojnë dhunën e qeverisë ndaj protestuesve pasi Uashingtoni do të sanksionojë abuzimet.

“Unë u kam kërkuar protestuesve iranianë të na dërgojnë videot, fotot dhe informacionin e tyre që dokumentojnë goditjen e regjimit ndaj protestuesve. SHBA-ja do të ekspozojë dhe sanksionojë abuzimet”, tha Pompeo.

Irani po përballet me protesta të fuqishme, të cilat u nxitën nga një vendim i qeverisë për të kufizuar blerjet e naftës dhe shkurtimin e subvencioneve.

Zyrtarët iranianë kanë pranuar vdekjen e disa personave, përfshirë dhe anëtarë të forcave të sigurisë dhe i kanë konsideruar protestuesit “banditë” dhe pjesë të një “komploti” të “armiqve të huaj” të Teheranit.

Ndërkaq informacionet për trazirat janë bërë gjithnjë e më të vështira, pas një bllokimi gati të përgjithshëm të internetit brenda Iranit.

Kujtojmë se Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka akuzuar Teheranin se po u ndalon iranianëve qasjen në internet, për të fshehur dhjetëra vrasje gjatë protestave.

“Irani është bërë aq i paqëndrueshëm sa që regjimi ka mbyllur të gjithë sistemin e tyre të internetit duke menduar se bota nuk do ta zbulojë vdekjen dhe tragjedinë që po shkakton regjimi iranian”, tha Trump.

Nga ana tjetër, Bashkimi Europian tha se pret që autoritetet iraniane të tregojnë “përmbajtje maksimale” në trajtimin e protestave, duke thënë se duhet të garantohen të drejtat e lirisë së shprehjes dhe tubimit./Opinion.al

Share: