Home KRYESORE Shpjegimi i ‘Lapsi’/ Gjykata Kushtetuese në kolaps. Dy anëtare për një vend....

Shpjegimi i ‘Lapsi’/ Gjykata Kushtetuese në kolaps. Dy anëtare për një vend. Si zgjidhet

Dekretimi që Presidenti Meta i bëri sot Marsida Xhaferllarit (majtas) si anëtarja e re e Gjykatës Kushtetuese, kur për të njëjtin post kuvendi i Shqipërisë ka quajtur të emëruar Arta Vorpsin (djathtas), e ka futur tërësisht në krizë institucionin e pangritur ende. Nga njëra anë kuvendi e interpretoi zgjedhjen automatike të zonjës Vorpsi, si të ligjshme pasi ajo u rendit e para në listën e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, nga e cila presidenti duhet të përzgjidhte një emër. Dhe meqë Meta nuk e bëri këtë brenda afatit 30 ditor që i cakton kushtetuta, deputetët vendosën ta quajnë të humbur mundësinë e kreut të shtetit. Por Meta ka një interpretim tjetër. Ai i referohet një neni të ndryshëm të dispozitave kushtetuese (179/2) e cili e obligon atë që të dekretojë një anëtar të kushtetueses vetëm pasi parlamenti e ka ushtruar të drejtën e tij, ashtu sikurse është shpjeguar procedura e plotë në shkrimin poshtë të Lapsi.al.

Pra ne sot jemi në gjendjen kur kemi edhe Arta Vorpsin të çertifikuar nga kuvendi edhe Marsida Xhaferllarin të dekretuar nga Meta. Dhe ky dualizëm bëhet edhe më i rëndësishëm po të mendohet e kushtetuesja ka nevojë patjetër për të paktën 5 anëtarë për të nisur nga puna.

Por fatkeqësisht ngërçi nuk përfundon me kaq. Socialistët kanë lënë të kuptohet se do t’i drejtohen gjykatës administrative ose do të organizojnë një betim të anëtarëve që duan vetë në kuvend.

Por në fakt të drejtën për ceremoninë e betimit kushtetuta ia njeh vetëm presidentit. Madje ajo e thotë qartë se “Gjykatësi kushtetues e fillon detyrën vetëm pasi betohet para presidentit”.

Dhe kështu Ilir Meta nuk pritet të thërrasë për betim, Arta Vorpsin, por atë që ka dekretuar vetë, për të njëjtin vend, Marsida Xhaferllarin, që KED në bashkëpunim me PS, bënë të gjitha pelivanllëqet e mundshme për ta eleminuar.

Atëherë ç’do të ndodhë? A do pranojnë gjyqtaret e reja të preferuara nga socialistët, Elsa Toska dhe Fiona Papajorgji të shkojnë të betohen tek presidenti pa kolegen e tyre, Vorpsi? Vështirë të thuhet. Por ama po s’e bënë, ato do të jenë të njollosura përgjithmonë si anëtare mavi të gjykatës. Po Marsida Xhaferllari, që nuk pranohet nga KED dhe mazhoranca, a mund të shkojë të bëjë betimin (ndonëse në rastin e saj u nëpërkëmbën me qëllim kushtetuta dhe procedura) me kaq shumë kundërshtime? A nuk do shikohet edhe ajo si përfaqësuese e opozitës?

Andi Bushati: Vrasja e dytë e reformës “amerikane” në drejtësi

Këto pra janë dilemat e një loje të pisët të nisur me fshehjen e postës në sirtar nga kreu i KED, Ardian Dvorani. Në të gjitha rastet dhe si do që të ndodhë, Gjykata Kushtetuese është përdhosur si e politizuar ende që pa lindur. Ajo është produkti i reformës në drejtësi që na “dhuruan” kaubojsit dhe gringot duke i kushtuar më shumë rëndësi shpejtësisë se sa cilësisë./Lapsi.al

Share: