Presidenti Ilir Meta ka ndërmarrë sot një akt të padëgjuar, në 30 vite demokraci, duke shpallur “non grata”, për zyrën e institucionit më të lartë të shtetit, ambasadorin e OSBE në Tiranë, Bernd Borchadt. Në një letër adresuar asamblesë parlamentare të OSBE në Kopenhagen dhe zyrës lokale në Tiranë, që u bë publike nga Vizion Plus, thuhet se drejtuesi i zyres se OSBE në Shqipëri, nuk është më i mirepritur në Presidencë për dy arsye.
E para, sipas Metës, sepse Borchardt vuri ne diskutim Dekretin e Presidentit për zgjedhjet vendore në Shqiperi, në qershor 2019. Dhe e dyta, sepse ai, shton Meta, u tregoi publikisht gishtin qytetarëve shqiptarë.
Me sa duket, i vënë praprakisht në djeni të këtij pozicioni jo të lehtë për një diplomat, ambasadori me origjinë gjermane, ka shfrytëzuar rastin për të përsëritur faljen e tij drejtuar publikut, për aktin e bërë ndaj protestuesve.
Në një intervistë për gazetën Panorama, ku thotë se është penduar dhe se ka kërkuar ndjesë, ai ka shpjeguar: “Kisha dalë për shëtitje me bashkëshorten time atë mbrëmje, pa qenë në dijeni se po zhvillohej një protestë përpara Drejtorisë së Policisë.
Papritmas, na u afruan disa burra, njerëzit bërtisnin duke na sharë dhe silleshin në mënyrë agresive. Më duhet ta theksoj, ishin burra, jo gra apo fëmijë, siç po pretendojnë disa media tani. Kjo na gjeti tërësisht të papërgatitur mua dhe bashkëshorten time dhe ajo, me të drejtë, u frikësua.
Nëse e shihni fytyrën e saj të tmerruar, në videon e shpërndarë gjerësisht, atëherë e kuptoni se çfarë ndodhi. Nuk e kuptuam se çfarë po ndodhte, u ndiem të kërcënuar drejtpërsëdrejti dhe u çorientuam. Mendova se ishin të njëjtët dhunues që na terrorizuan në apartamentin tonë, në katin e 12-të, në mesnatë, në maj të vitit 2019 dhe e humba kontrollin emocional për pak sekonda.
U pendova dhe kërkova ndjesë menjëherë, duke kuptuar që mund të kem fyer njerëz të tjerë, ata të cilët po protestonin përballë zyrave të Policisë dhe për ankesat e të cilëve nuk kisha dijeni. Ende më vjen keq dhe ende i qëndroj ndjesës publike që kam bërë. E shikoj tani se si disa media e vendosin këtë incident në rrotullën politike. Ky keqinterpretim bëhet me keqbesim dhe është i motivuar politikisht”.
Natyrisht, kjo ndjesë e dytë nuk mund të shihet e palidhur me informimin e parlamentarëve të OSBE nga presidenti shqiptar që tashmë e ka shpallur “Non grata” ambasadorin.
Duhet thënë gjithashtu se akti i presidentit, ka vetëm vlerë simbolike. Se ai mund të mos shkelë më në presidencë, por kjo nuk e kushtëzon aspak për misionin që ai vazhdon të kryejë në Tiranë dhe për të cilin tashmë janë të informuar i madh e i vogël.
/Lapsi.al