Këshilltari për mediat i Presidentit të Republikës, Tedi Blushi ka reaguar mëngjesin e sotëm lidhur me paralajmërimet e mazhorancës për ndryshimet në ligjin për betimet tek Presidenti.
Përmes një postimi në Facebook, Blushi u shpreh se institucioni i Presidentit është i vetmi plotësisht legjitim dhe demokratik në vend.
“Ju kërkoj ndjesë për reagimin e vonuar pas insistimit tuaj për një koment lidhur me sihariqin që i ka dhënë mbrëmë Tao Tao mbarë vendit tonë, se Parlamenti jokushtetues, paska vendosur që t’i rrëmbejë kompetencat kushtetuese Presidentit të Republikës, të vetmit institucion plotësisht legjitim e demokratik në vend.
Kjo është një ide gjeniale për të përshpejtuar Ramaformën dhe instaluar Drejtësinë e Re të betimeve buzë Lanës, të pastër e të kulluar si vetë uji i Lanës.
Po Presidenti çdo bëjë më pyesni ju? Si mund të mos marrë pjesë në inaugurimin e LanaKushtetutës nga gjysmëparlamenti i oligarkëve, bandave dhe ambasadorëve të gishtit!
Sigurisht që atë ditë Presidenti do të jetë vetë atje, i pari, me të gjithë popullin shqiptar!,”-përfundon Blushi.
Kjo nisëm e mazhorancës për të rishikuar të gjitha ligjet organike të institucioneve në të cilat përcaktohet betimi i një anëtari ka ardhur si rezultat i përplasjeve me Presidentin e Republikës lidhur me betimin e gjyqtarëve kushtetues./Opinion.al/