Home KRYESORE 133 milionë euro më pak në 11 mujor, Qeveria faturon dështimin në…

133 milionë euro më pak në 11 mujor, Qeveria faturon dështimin në…

Dështimin në realizimin e të ardhurave qeveria e faturoi tërësisht tek mosrealizimi i shpenzimeve kapitale një nga zërat kryesore nëpërmjet të cilit kthen tek qytetarët taksat e grumbulluara.

Sipas të dhënave zyrtare mbi treguesit fiskal të 11 mujorit, qeveria nuk e realizoi programin buxhetor të investimeve kapitale me mbi 16 miliardë lekë ose 133 milionë euro. Po në këtë periudhë nuk u grumbulluan 116 milionë euro të ardhura në raport me planin.

Gjatë periudhës janar-nëntor 2019 qeveria ka përdorur për investime kapitale 54.4 miliardë lekë. Kjo shumë ishte 5 për qind ose 25 milionë euro më e ulët se 11 mujori i 2018-es, teksa në raport me planin e periudhës, mosrealizimi ishte 30 për qind.

Investimet kapitale është i vetmi zë më rënie në raport edhe me vitin e kaluar teksa zërat kryesore të shpenzimeve buxhetore ishin me rritje këtë vit.

Por pavarësisht mosrealizimit, shpenzimet kapitale vuajnë keqpërdorimin e lartë. Tabela e detajuar e investimeve sipas zërave që ka publikuar Ministria e Financave, tregon se një pjesë e mirë e fondeve të përdorura kanë shkuar për blerjen e orendive dhe pajisjeve, makinave dhe rikonstruksionet që normalisht janë zëra që duhet të klasifikoheshin tek shpenzimet operative.

Nga të dhënat shihet se totali i shpenzimeve buxhetore, gjatë 11 mujorit 2019 u rrit me 22 miliardë lekë ose 5.4 për qind në raport me faktin e 11 mujorit 2018.  Rritje të ndjeshme shënuan shpenzimet e personelit me rreth 25 miliardë lekë më shumë ose 7.2 për qind,  të nxitura nga krijimi i disa institucioneve të reja.

Rritjen më të lartë e shënuan shpenzimet për pushtetin vendor, të cilat ishin 14 % më të larta se të një viti më parë me mbi 6,3 miliardë lekë më shumë. Pushteti vendor këtë vit u shndërrua një makineri shpenzimesh kryesisht për shkak të zgjedhjeve lokale. Buxheti i vitit 2019 alokoi deri në nëntor 51,7 miliardë lekë ose rreth 51 milionë euro më shumë se vitin e kaluar.

Fryrja e strukturave nga transferimet e funksioneve nga pushteti qendror ne atë vendor dhe moszbatimi i reformës për shkurtimin e stafeve të ish-komunave kanë rritur ndjeshëm shpenzimet në drejtim të pagave.

Shpenzimet operative dhe të mirëmbajtjes  gjithashtu ishin 3,5 miliardë lekë ose  9.7 për qind më të larta se një vit më parë në të njëjtën periudhë.

Si pasojë e ecurisë së dobët të grumbullimit te të ardhurave në fund të periudhës 11 mujore, deficiti buxhetor rezultoi 8 miliardë lekë më i lartë se i vitit që shkoi në të njëjtën periudhë./ Burimi: Monitor

Share: