Është shoqëruar me debate dhe tension senaca dëgjimore me përfaqësues nga Fakulteti i Gazetarisë, në Komisioni për Edukimin dhe mjetet e Informimit Publik , për projektligjet e Qeverisë për mediat audiovizive dhe për mediat elektronike.
Profesori i shkencave të komunikimit Mark Marku e ka cilësuar ligjin e propozuar nga qeveria si një turp. Ai theksoi se ky ligj tenton shtypjen e lirisë së medias madje edhe nga pikëpamja formale tha ai ky ligj është ‘qesharak’.
Marku i kujtoi anëtarëve të komisionit se ky ligj është kundërshtuar nga 15 organizata si edhe nga Përfaqësuesi i Lirisë së Medias në OSBE, Harlem Desir. Ai e quajti paradoksal faktin që 12 deputetë vijojnë të këmbëngulin për miratimin e këtij ligji megjithëse ‘i ka të gjithë kundër’.
“Ai që e ka bërë këtë ligj të ketë turp pasi është një injorant total në fushën e mediave. Prej 30 viteve edhe një qytetar i thjeshtë e di që media nuk quhet media e shtypur por shtypi i shkruar. Media e shtypur i ka folur Frojdi, pra ju doni të shtypni median me këtë ligj, ai që e ka shkruar është injorant” tha Marku.
Ai shtoi më tej se përfaqësuesit e mediave do të bëjnë rezistencë edhe nëse ky ligj kalon dhe i kujtoi anëtarëve të komisionit rastin e vitit 1994 kur një ligj që kufizonte lirinë e mediave u miratua por më pas u detyrua të shfuqizohet nga rezistenca e aktorëve mediatikë.
Ndërsa Mark Marku ishte duke argumentuar qëndrimin e tij, deputetja Mirela Kumbaro fliste me anëtarët e komisionit dhe kjo gjë nuk shkaktoi një debat mes tyre.
Mark Marku: Trego pak edukatë se je dhe pedagoge.
Mirela Kumbaro: Të lutem zoti Marku trego etikë.
Mark Marku: Oj gocë s’kam ardhur në furgon… Po deshe dëgjo, po deshe ik.
Mirela Kumbaro: Qetësohu zoti Marku…
Mark Marku: Më duket vetja sikur jam në furgon, ne flasim ju bëni muhabet. E keni bërë parlamentin si furgon dhe doni të na bëni ne ju..
Mirela Kumbaro: Qetësohu dhe ruaj etikën…
Mark Marku: Për turp…
Mirela Kumbaro: Qetësohu dhe ruaj etikën…
Mark Marku: Mos më bërtit mua..
Fatjona Dhimitri: Vazhdoni zoti Marku..
Mark Marku: Trego edukatë, edukatën e ke të detyruar.
Mirela Kumbaro: Qetësohu dhe ruaj etikën të lutem
Mark Marku: Po fole, unë do ngrihem dhe do i bëj thirrje dhe kolegëve të mij të ikim..
Mirela Kumbaro: Mund të ikni, jeni të lirë ta bëni..
Fatjona Dhimitri: Mund të largoheni ju zonja Kumbaro s’ka përse të largohen të ftuarit.
Mark Marku: Po e bën këtë seancë sikur jemi në furgonin e linjës Tiranë-Vorë.
Mirela Kumbaro: Mungesë totale ektike. Ruaj etikën…
Mark Marku: Ju s’keni as etikë dhe as integritet. Jeni punëtor të një njeriu që thotë se do të shkelë lirinë e medias.
Mirela Kumbaro largohet nga salla e Komisionit. /Opinion.al