Home KRYESORE Eksploziv makinës së prokurorit, KLP: Mbrojtje Kuliçit dhe familjes

Eksploziv makinës së prokurorit, KLP: Mbrojtje Kuliçit dhe familjes

Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka reaguar gjithashtu ndaj sulmit që iu bë prokurorit të Vlorës Albert Kuliçi, të cilit mëngjesin e kësaj të shtune i vendosën një sasi lënde shpërthyese në makinën e tij.

“Ky sulm përbën një akt të papranueshëm që synon të intimidojë prokurorin dhe të cënojë mirëfunksionimin e sistemit të drejtësisë penale në luftën kundër krimit. Këshilli i Lartë i Prokurorisë e konsideron çdo sulm kundër prokurorëve si një atentat terrorist ndaj sistemit të drejtësisë penale, rendit tonë juridik, vlerave tona shoqërore dhe mënyrës tonë të jetesës”, theksohet në deklaratën e KLP.

Po ashtu KLP ka kërkuar mbrojtjen e prokurorit, duke theksuar se “Këshilli do t’i sigurojë prokurorit Kuliçi dhe familjes së tij mbrojtje të posaçme”.

“Këshilli iu bën thirrje të gjitha organeve ligjzbatuese të hetojnë me këmbëngulje dhe përparësi absolute ngjarjen e sotme për të arritur në zbardhjen e saj të plotë dhe të shpejtë. Kjo është mënyra më e mirë për t’i dhënë përgjigjen e duhur krimit dhe për të parandaluar ngjarje të tilla në të ardhmen”.

Policia njoftoi se “rreth orës 06:45, në lagjen “29 Nëntori”, automjeti tip Volskwagen me targë AA 583OO dyshohet se është dëmtuar plotësisht me lëndë plasëse”.

Nga shpërthimi në mjetin e Albert Kuliçit nuk ka dëme në njerëz, por vetëm dëme materiale. Dosja më e fundit që ka pasur ky prokuror ishte ajo e tjetërsimit të 100 hektarë tokë në Zvërnec./ Opinion.al

Share: