Kryetari i Gjykatës së Vlorës, Skënder Haluci e ka cilësuar një gjest frikacak prej burracakësh sulmin me tritol ndaj makinës së prokurorit, Kuliçi mëngjesin e kësaj të shtune në Vlorë.
Ai ka shtuar se prokurori Kuliçi është një nga më të mirët e Prokurorisë së Vlorës. Haluci ka bërë edhe një paralajmërim për sa i përket atyre që kanë vjedhur pronat publike, duke thënë se këto prona nuk do t’i gëzojnë.
” Jemi në mbështetje të tij dhe për ta mbështetur në aktivitetin e tij si prokuror. Nuk ka asnjë lidhje tjetër vetëm nga detyra. Është ngjarje shumë e shëmtuar prej frikacakësh e burracakësh që veprojnë me maska dhe me tritol. Ne do të përgjigjemi me akte dhe me dënime. Nuk tërhiqemi. Gra e burra në Prokurinë dhe në Gjyqësorin e Vlorës punojnë natë e ditë vetëm për të zbatuar ligjin. Janë disa raste që goditet gjyqësori. Po goditet gjyqësori edhe me baltë jo vetëm me tritol. Siguroj qytetarët e Vlorës që kanë vu dorë, dhe kanë grabitur prona të qytetarëve të Vlorës nuk kanë për t’i gëzuar. Ka lidhje me ngjarje konkrete dhe jo konkrete. Janë më shumë se 4 milion euro të sekuestruara. Ajo është e vetmja pistë. Kam shumë besim se ngjarja do të zbardhet” tha Haluci.
Policia njoftoi se “rreth orës 06:45, në lagjen “29 Nëntori”, automjeti tip Volskwagen me targë AA 583OO dyshohet se është dëmtuar plotësisht me lëndë plasëse”.
Nga shpërthimi në mjetin e Albert Kuliçit nuk ka dëme në njerëz, por vetëm dëme materiale. Dosja më e fundit që ka pasur ky prokuror ishte ajo e tjetërsimit të 100 hektarë tokë në Zvërnec./ Opinion.al