Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov është shprehur se projektet për ndërtimin e gazsjellësit Rrjedha Veriore 2 dhe Rrjedha Turke do të përfundojnë pavarësisht sanksioneve amerikane.
Ministri rus Lavrov është shprehur se Rusia po planifikon që t’i përgjigjet sanksioneve të SHBA-së me masa të reja.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump më 21 dhjetor nënshkroi një ligj, që vendos sanksione ndaj firmave që punojnë në ndërtimin e gazsjellësit Rrjedha Veriore 2, projekt ky që ka për qëllim të dyfishojë dërgimin e gazit nga Rusia në Evropë, përmes Gjermanisë.
Senati amerikan po ashtu ka miratuar një projektligj që njihet si “projektligji i sanksioneve nga ferri” ndaj Rusisë, ku parashihet që ndaj Moskës të vendosen sanksione për shkak të ndërhyrjeve të dyshuara në proceset demokratike në shtete të ndryshme, veprimeve “keqdashëse” në Siri si dhe për agresionin kundër Ukrainës.
Megjithatë, ky projektligj ende nuk është dërguar në Kongres për votim.