Home KRYESORE Meta takon Këshillin Ndërfetar të Shqipërisë: Roli juaj, shumë i vyer

Meta takon Këshillin Ndërfetar të Shqipërisë: Roli juaj, shumë i vyer

Presidenti i Republikës Ilir Meta priti sot në një takim Këshillin Ndërfetar të Shqipërisë, për të diskutuar mbi situatën pas tërmetit të 26 nëntorit.

Kreu i shtetit i falënderoi Krerët e Bashkësive fetare për reagimin e tyre të menjëhershëm, duke u gjendur pranë njerëzve në këto momente të vështira dhe vlerësoi mbështetjen e tyre shpirtërore, morale dhe psikologjike.

“Roli juaj për rimëkëmbjen shpirtërore, rikthimin e shpresës, forcimin e solidaritetit e kurajës në kapërcimin e momenteve më të vështira që ka kaluar dhe kalon populli ynë është shumë i vyer”, nënvizoi Presidenti Meta.

Kreu i Shtetit kërkoi gjithashtu që të verifikohen dhe të evidentohen të gjitha objektet e kultit të dëmtuara nga tërmeti, në mënyrë që në një kohë sa më të shpejtë të mundësohet rikthimi i tyre në shërbim të qytetarëve.

Nga ana e tyre kryetarët e Bashkësive fetare dhanë mesazhin e përbashkët që situata tragjike dhe kriza e rëndë humanitare të shërbejë si një moment reflektimi por edhe pajtimi për të qëndruar së bashku në ndërtimin e një të ardhme me paqe, e dashuri, si një fillim i ri që vendi të ringrihet, jo vetëm materialisht, por edhe shpirtërisht dhe psikologjikisht./Opinion.al

Share: