Home KRYESORE Mungesa e tolerancës në Kosovë, rasti Albin Kurti dhe rasti im

Mungesa e tolerancës në Kosovë, rasti Albin Kurti dhe rasti im

Nga Alma Lama

Para tre ditësh opinioni në Kosovë u trondit nga thirrja publike për vrasje që një anëtar i një partie politike bënte në Facebook, për kryetarin e VV-së, z. Albin Kurti, kandidat për kryeministër. Reagimet ishin të shumta, si për ta dënuar këtë akt, ashtu edhe reagimi i policisë që e arrestoi personin në fjalë.

Mbase ky rast shërben si shembulli më i mirë për të ilustruar një fenomen që prej kohësh është bërë shqetësues në Kosovë: rritjen e mungesës së tolerancës.

Rastet e tjera të kësaj mungese tolerance, që lidhet me disa faktorë siç janë ndryshimi i gjuhës së mediave, zhvillimin e mediave sociale dhe shfrytëzimi i tyre nga ana e atyrë që kërkojnë të dëmtojnë apo bëjnë keq, pabarazitë ekonomike, pakënaqësitë politike, krimi, korrupsioni, janë të pafund.

Unë vetë, kam marrë (dhe vazhdoj të marr herë pas here) me mijëra sharje, fyerje e kërcënime nëpërmjet rrjeteve sociale.

Manifestimi i urrejtjes së tyre ndaj meje, lidhet me një proçes të gjatë të dehumanizmit tim që kanë bërë disa media me agjenda persekutuese, dhe rrjetet sociale të përdorura nga grupet ekstremiste politike dhe fetare. Shumë herë në të shkuarën i jam drejtuar Policisë së Kosovës, por është e qartë se ky është një fenomen që nuk mund ta ndalin prangat që i vihen dikujt.

Është një fenomen masiv, në një shoqëri moderne, ku informacioni lëviz me shpejtësi të jashtëzakonshme, ku askush nuk ka kohë të përqendrohet e të thellohet, dhe gebelsianëve iu ka riardhur dita të manipulojnë faktet dhe të nxisin urrejtje, të lincojnë njerëz, të dehumanizojnë, të rrisin padurueshmërinë ndërmjet grupeve të caktuara shoqërore, fetare, politike, etnike.

Prandaj duhen marrë dhe trajtuar seriozisht thirrjet për vrasje dhe të gjitha kërcënimet e linçimet që bëhen ndaj individëve.
Dikush mund të thotë se personi i lartpërmendur, që bënte thirrje publike për vrasje, mund të jetë shprehur në mënyrë të tillë nga mllefi, dhe nuk kishte ndërmend të kryente krimin, pasi ata që kanë ndërmed të bëjnë krime nuk flasin publikisht, por problemi është se thirrjen e tij publike mund ta dëgjojë edhe dikush që mendon se porosia e tij e duhet cuar në vend.

Të njejtin problem kam pasur për t’iu shpjeguar prokurorëve që nxitja e urrejtjes fetare, mund të rezultojë me pasoja fatale, pasi aktin mund ta kryejë dikush tjetër, pra të nxiturit, dhe jo vetë nxitësi. Pikërisht kjo është arsyeja që nxitja e urrejtjes konsiderohet vepër penale.

Edhe kërkesën për ta falur kërcënuesin publik, nga ana e Kurtit e gjykoj të pavend, pasi çdokush duhet të mbajë përgjegjësi para ligjit për veprat e tij. Nuk jemi në kohën e Kanunit. Për më tepër, kjo kërkesë e bërë nga një dikush që nesër pritet të bëhet kryeministër, con një mesazh të gabuar tek të gjithë kërcënuesit e linçuesit. Janë institucionet e drejtësisë që duhet të vendosin nëse personi në fjalë duhet të qëndrojë në burg apo të kthehet në shtëpi, bazuar në veprën penale të konsumuar prej tij, shkallën e rrezikshmërisë që paraqet për individin dhe shoqërinë, dhe sjelljen e tij, si psh. pendesa.

Rastet e lartpërmendura dhe shumë e shumë të tjera, ku personat lincohen e kërcënohen në mënyrë të papërgjegjshme, ku tentohet të vihen në shtyllën e turpit dhe sistemi gjyqësor zëvendësohet me gjyqin publik si në kohën e inkuzicionit, ku njerëz të painformuar apo të keqinfromuar nxitojnë të japin verdiktet e tyre, po përseriten gjithnjë e më shpesh në Kosovë.

Rrjetet sociale të nxitura edhe nga mediat joprofesionale dhe qëllimkëqija, që shkelin përditë etikën e gazetarisë, janë shndërruar në “makina të grirjes së mishit”, ku cdo ditë fusin dikë për ta copëtuar. Asnjë respekt për dinjitetin e njeriut, asnjë kujdes për rrezikun që iu shkaktojnë njerëzve duke i dehumanizuar e poshtëruar. Këtu nuk po flasim për kritikën konstruktive, që është dhe duhet të jetë e pranishme në një shoqëri demokratike.

Përmasat e shfaqjes së këtij fenomeni global, në shoqërinë Kosovare, flasin për një mungesë të theksuar të tolerancës. Mungon toleranca në politikë, mungon toleranca tek disa grupe fetare, dhe të gjitha argumentet janë se toleranca mungon në cdo hallke të shoqërisë, përfshirë edhe raportet familjare.

Duke qenë një shoqëri që ka përjetuar dhunë dhe represion, është e shpjegueshme deri diku kjo mungesë tolerance, mirëpo 20 vite pas luftës, ku është një brez i tërë që nuk e ka përjetuar drejtpërdrejt dhunën serbe, dhe me një investim të jashtëzakonshëm të bashkësisë ndërkombëtare, do të duhej që gjendja të ishte më ndryshe.

Fatkeqësisht nuk është kështu.

Nëse në vitet e para të pas luftës mungesën e tolerancës dhe agresivitetin politik e nxisnin partitë që kishin dalë nga lufta, ku përveç gjuhës agresive, pati edhe shumë vrasje politike dhe jo politike ndërmjet shqiptarëve; në dekadën e fundit, intoleranca dhe fryma revanshiste është nxitur nga Lëvizja Vetëvendosje dhe grupet radikale fetare. Mosdurimi i tjetrit, mospranimi i ideve të tjetrit, shpallja si armik e kujtdo që mendon ndryshe nga turma, refuzimi i fakteve, ngritja e teorive konsirative për gjithçka, veshja e akuzave me teori konspirative për interesa politike, gjuha e rëndë fyese e diskriminuese, dikursi i helmuar politik, shpallja e njerëzve brenda natës në heronj dhe tradhëtarë, janë të dëmshme për kohezionin e secilës shoqëri, përfshirë ato më të konsoliduarat. Ndërsa për shoqëri të brishta, ato mund të rezultojnë fatale.

Është koha e fundit që mekanizmat shtetërore të veprojnë me seriozitet ndaj kërcënimeve online dhe nxitësve të tyre. Mediat, duhet t’i kthehen etikës së gazetarisë që ka vite që e kanë braktisur (me pak përjashtime) dhe janë bërë levë ose e korrupsionit, ose e babëzisë për fitim, duke shkelur mbi dinjitetin e njerëzve. Është e nevojshme që deputetët e kësaj legjislature të miratojnë një ligj kundër linçimit publik, siç e kanë disa shtete ku ky fenomen ka qenë i pranishëm në të shkuarën.

Është e domosdoshme që subjektet politike të ndryshojnë në mënyrë rrënjësore diskursin publik, ku përjashtimi dhe linçimi të zëvendësohen nga kritikat kontruktive.

Alma Lama
30/12/2019
Prishtinë

Share: