Përfaqësuesi i Lirisë së Medias në OSBE, Harlem Desir ka i ka rekomanduar qeverisë ndryshime të tjera në ligjin për mediat audio-vizive për të siguruar lirinë e shprehjes.
Në një letër dërguar qeverisë, Desir rekomandon që në draftin final të shtohen disa modifikime në mënyrë që të sqarohen masat për mbrojtjen e lirisë së shprehjes dhe të shmangen rreziqet e kufizimeve ose sanksioneve të padrejta për ofruesit e mediave elektronike.
“Është parësore të prezantohet një dispozitë që garanton që të gjitha vendimet e AMA-së mund të apelohen para gjykatësit kompetent menjëherë pas miratimit të tyre,” shkruan Desir.
“Një pikë e dytë e rëndësishme ka të bëjë me çështjen e gjobave në rast të shkeljeve të ligjit. Neni 133 vazhdon t’i referohet gjobave ekonomike shumë të larta dhe të tepërta në rastet e shkeljeve. Gjobat e tilla mund të çojnë në mbylljen e mediave dhe të shihen si presion indirekt. Në përputhje me parimet e proporcionalitetit dhe domosdoshmërisë, sanksionet duhet të miratohen vetëm pasi të merren parasysh përmasat dhe kapaciteti ekonomik i mediave në fjalë. Ky artikull duhet të ndryshohet. ” shton Desir në letrën e tij.
Për më tepër, referencat për “bindje politike” dhe “anëtarësimin në sindikatë” duhet të hiqen në nenin 33/1 i cili ka të bëjë me racizmin dhe diskriminimin, pasi ato mund të përdoren për të përndjekur kritika legjitime, kundër grupimeve politike dhe ideve. Abuzimet e mundshme specifike në këtë fushë mund të zgjidhen siç duhet duke përdorur dispozitat dhe mekanizmat tashmë të vendosura në fushën e shpifjes, dhe të gjykuara nga gjyqësori.
Së fundi, siç është ngritur tashmë në analizat e mëparshme ligjore, shqetësimet mbesin për kompetencat që i janë dhënë Autoritetit të Komunikimit Elektronik dhe Postar (AKEP) në propozimin për të ndryshuar Ligjin për Komunikimet Elektronike, në lidhje me miratimin e masave për të mbrojtur një gamë të gjerë interesash, përfshirë interesat e vendit, sigurinë publike, të drejtat themelore dhe çdo dispozitë të përfshirë në sistemin juridik shqiptar. Këto nocione mbeten shumë të pa përcaktuara dhe nuk përfshijnë rregulla specifike se si të sigurohet mbrojtja për lirinë e shprehjes. Kjo është arsyeja pse shqyrtimi ligjor rekomandon ndryshimin e nenit përkatës të projektligjit.
Në letrën e tij Desir përgëzon qeverinë për ndryshimet e bëra në draft ku tashmë është hequr klauzola që detyronte mediat ti nënshtroheshin një mekanizmi regjistrues për të vepruar në Shqipëri.
“Ky është një hap i rëndësishëm përpara,” thotë Desir. “Është gjithashtu e rëndësishme të sigurohej që agjensia rregullatore, Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA), nuk do të ketë të njëjtat kompetenca për përmbajtjen e publikimit në internet si kompetencat e gjera që ka aktualisht në sistemet e transmetimit.”
Mundësia e bllokimit të qasjes në përmbajtje në internet tani do të kufizohet në tre vepra të rënda penale: pornografi për fëmijë; promovimi i akteve terroriste; shkelje të sigurisë kombëtare “. Rishikimi ligjor megjithatë rekomandon zëvendësimin e togfjalëshit “bllokimit të hyrjes në internet” me “urdhërimin e ndalimit të një pjese të veçantë të përmbajtjes”. /Opinion.al