Prokuroria e Posaçme e SPAK ka nisur sot punën me seleksionimin e dosjeve të cilat do të merren në shqyrtim por ndërkohë në adresë të saj është dorëzuar një tjetër padi penale.
‘Nisma Thurje’ ka dorëzuar sot në Prokurorinë e Posaçme një kallëzim penal për disa zyrtarë të lartë, që sipas tyre janë të përfshirë në procesin e dhënies me koncesion të procesit të sterilizimit.
Në denoncimin e tyre ngrihet së pari pyetja nëse është i nevojshëm ky koncesion. Më pas vihet në pikëpyetje procedura sipas të cilës ai është kryer si dhe vlera që sipas tyre është shumë e lartë dhe i ka shkaktuar dëm buxhetit të shtetit.
“Kemi dyshime të logjikshme se ka elementë që nuk shkojnë në këtë kontratë. Ne i kërkojmë SPAK të fillojë hetimin që nga ish-ministri Beqaj dhe te të gjithë zyrtarët e tjerë, të përfshirë në këtë aferë, që në këndvështrimin tonë ka arsye për të parë se ka dëmtuar buxhetin e shtetit. Ne nuk jemi vend i varfër, por i vjedhur, pasi në 30 vite nuk është ndëshkuar askush. Zyrtarët kanë abuzuar me qytetarët, kanë pas institucione, që ndëshkonin vetëm shqiptarët, por jo ata.
Në kallëzim kemi evituar disa gjëra, së pari ngremë pyetjen “pse është i nevojshëm ky koncesion, kur spitalet kishin kushtet për ta bërë vetë, siç ka ndodhur në 80 vite”, së dyti “pse është me një çmim kaq të lartë”, “pse është vendosur, hartuar një kontratë, që krijon dyshime dhe e vendos shtetit në mënyrë të disavantazhuar”, “paratë e koncesionit mund të shkonin për pacientët””, tha përfaqësuesi i “Thurjes”. /Opinion.al