Home I pakategorizuar PD për SPAK: Kraja hetues i komunizmit, Dumani takim me Ulsi Manjën

PD për SPAK: Kraja hetues i komunizmit, Dumani takim me Ulsi Manjën

Partia Demokratike ngre dyshime mbi integritetin e SPAK. Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi në një deklaratë për mediat ka publikuar një dokument, që tregon se kreu i ri i SPAK, Arben Kraja ka qenë hetues i komunizmit.

“Një dokument i Korrikut 1990, i bërë viral ditën e djeshme, ka zbuluar se Drejtuesi i SPAK-ut Arben Kraja, ka marrë pjesë në procese politike, duke i shërbyer regjimit diktatorial deri në grahmat e tij të fundit. Partia Demokratike ka bindjen se një ushtar i diktaturës më të egër në Europë, që dënon qytetarët me motivacionin “për dëmtim të moralit komunist”nuk mund të jetë shërbëtor i shtetit të së drejtës. Përveçse një hetues i diktaturës, drejtuesi i SPAK-ut, Arben Kraja, është propozuar nga PS si zëvendëskryetar i KLSH dhe ka punuar në Kryeministri për qeverinë e PS”, tha Bardhi.

Po ashtu ai kishte dhe disa pyetje, mbi një foto të publikuar në rrjetet sociale ku duhet një prej anëtarëve të SPAK, Altin Dumani ulur në një tavolinë me deputetin socialist Ulsi Manja. Sipas zotit Bardhi, ky takim është bërë një ditë para votimit, për kreun e SPAK.

“Altin Dumani ishte një nga kandidatët kryesorë për drejtimin e SPAK dhe ky takim, siç analizon me të drejtë media, për të marrë në KLP votat e kontrolluara nga njëri prej klaneve në Partinë Socialiste, vendos në pikëpyetje profesionalizmin, pavarësinë dhe paanshmërinë e tij. Minimalisht prokurori Dumani ka detyrimin t’i sqarojë opinionin publik motivin e takimit me Ulsi Manjën, një ditë përpara votimit në KLP”, tha sekretari i Përgjithshëm i PD-së. / Opinion.al

Share: