Home KRYESORE “Pse shpëtova, të kisha ikur dhe unë”! Përlotet sërish oficeri që humbi...

“Pse shpëtova, të kisha ikur dhe unë”! Përlotet sërish oficeri që humbi gruan, vajzën dhe mbesën nën rrënoja, e vetmja gjë që i kërkon Ramës

Kryeministri Edi Rama ishte sot në shtëpinë e oficerit të policisë, Ajet Meçja, për ta ngushëlluar për tre humbjet e mëdha të tij nga tërmeti katastrofik i 26 nëntorit.

Meçja humbi tre njerëzit më të shtrenjtë të jetës së tij, bashkëshorten, vajzën dhe mbesën, ndërsa i përlotur në krah të Ramës tregon se dhimbja vijon të jetë shumë e madhe për këto humbje.

Ndër të tjera, ai dëgjohet duke pëshpëritur “Pse shpëtova, të kisha shkuar edhe unë. Fati s’deshi që ata të jetonin. Nuk di ç’të them. Dhimbja, plaga nuk shërohet, por mbështetja ka qenë e pakufishme. Nuk e harroj kurrë zv.ministren, hapi telefonin, njerëzillëku është.

Pjesë nga biseda mes Ramës dhe Meçjes:

Rama: Unë i them gjithmonë bashkëpunëtorëve të mi “mos e harroni asnjëherë fjalën e popullit’, sepse njeriu për njeriun është ose burim shqetësimesh dhe burim ushtrimi motivimi, e kështu me radhë. Si mund të zgjidhet halli, kur njeriut i ikin njerëzit, nuk e zgjidh dot, por detyra për t’ia carë hallin është shumë herë më e madhe se të qajë hallet e përditshme. Ata që ikën nuk i kthejmë dot. Gjyshja ime thoshte “vdekja nuk pyet për radhë, dhe shpeshherë zgjedh më të mirët, për një të keq merr më të mirët”. Ajo që ka mbetur është të bëjmë maksimumin. Të gjejmë një mënyrë që të spostojmë në një pozicion që të jesh pak më i lirë, edhe puna me ngarkesë të ndihmon të përballosh dhimbjen. Por, e ke ti në dorë, na thuaj dhe do ta bëjmë si do ti. Kemi marrë dhe masat e mbështetjes financiare, jo thjesht mbështetje momentale. Çfarë të bëjmë më shumë.

Ajet Meçja: Nëse mundet që unë ta ndaja kohën time mes fëmijëve në Itali dhe këtu. Dua të më mundësohet ai lloj pensioni që është parashikuar, nëse ka hapësirë ligjore.

Rama: Hapësirën ligjore e bëjnë njerëzit, kështu që do të bëhet çfarë të duash ti. Ke humbur edhe bashkëshorten, edhe vajzën, edhe mbesën. O Zot. Po ishit bashkë?

Meçja: Po, ishim bashkë. Unë fjeta në një dhomë të vogël në ballkon, dy vajzat te dhoma jonë, ndërsa gruaja në dhomën tjetër. Te tërmeti i madh i dëgjova që ulërinin shumë, sidomos mbesa, por unë nuk pata mundësi të dilja se m’u bllokua dera. Edhe mbi mua radhë inerte boll, dola zvarrë dhe pashë vetëm komshinjtë jashtë, pallati ishte bërë grumbull. Pastaj mblodha mendjen, ku janë fëmijët. U futa dhe dëgjoja mbesën, që thërriste “gjyshi” dhe Djenën që thoshte “më shpëtoni, ku është mami”, por gruan e kishte goditur të parën.

Rama: Problem i madh është edhe pluhuri, ka raste që të mbyt pluhuri. Pasi ra tërmeti mora informacionet e para se në Durrës e Thumanë kishte probleme të mëdha, mora makinën dhe u nisa. Kur erdha, pashë Edisonin aty.

Meçja: Fati i keq i atyre. Të pashë edhe ty kur erdhe, edhe drejtorin e policisë, kisha hallin mos nxirrnin vajzën, se me të komunikoja verbalisht.

(d.ç./BalkanWeb)

Share: