Home KRYESORE Publikohen emrat, kush janë 3 prokurorët kandidatë për të drejtuar SPAK-un

Publikohen emrat, kush janë 3 prokurorët kandidatë për të drejtuar SPAK-un

Ditën e sotme KLP ka publikuar listën me tre emrat e prokurorëve kandidatë për të drejtuar SPAK.

Përmes një njoftimi për mediat, KLP ka deklaruar se tre prokurorë kanë treguar interes për të drejtuar SPAK. Prokurorët që kërkojnë drejtimin e SPAK janë Arben Kraja, Edvin Kondili dhe Altin Dumani.

Njoftim për shtyp i KLP:

Njoftim mbi kandidatët të cilët kanë shprehur interesin për pozicionin e Drejtuesit së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar

Sot ka përfunduar afati për aplikimin për pozicionin e Drejtuesit së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Bazuar në njoftimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë të shpallur në faqen zyrtare të Këshillit me datë 26 nëntor 2019 janë njoftuar të gjithë prokurorët e emëruar në Prokurorinë e Posaçme të shprehin interesin për pozicionin e drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme. Afati i aplikimit është data 10 dhjetor 2019. Dorëzimi i kërkesës dhe dokumentacionit bëhet pranë zyrës së Protokollit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, në adresën: Rruga “Qemal Stafa”, nr.1, pranë mjediseve të Prokurorisë së Përgjithshme, Tiranë.

Në afatin të përcaktuar nga Këshillit të Lartë të Prokurorisë , thirrjes për shprehje interesi janë përgjigjur tre kandidatë, Arben Kraja, Edvin Kondili dhe Altin Dumani. Ata kanë dorëzuar pranë Këshillit letrën e motivimit në të cilët shprehet motivimi për pozicionin e drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, letrën mbështetëse (shpjeguese) për standardet 1,2,3,4,5,7 të parashikuar në metodologjinë e miratuar me vendim të KLP nr.237, datë 25.11.2019 (publikuar në faqen zyrtare të Këshillit) dhe vizioni ose planin të besueshëm për ndërtimin e Prokurorisë së Posaçme si një institucion funksional dhe efektiv sipas standardit 6 të metodologjisë./Opinion.al

Share: