Home KRYESORE Sigurimi nga katastrofat, i detyrueshëm ose nga taksat tona

Sigurimi nga katastrofat, i detyrueshëm ose nga taksat tona

Sigurimi i detyrueshëm nga katastrofat do ta transferonte te risiguruesit jashtë Shqipërisë faturën kolosale të dëmeve nga tërmetet e 26-27 nëntorit 2019. Tashmë dëmet do të paguhen 100% nga taksat tona, që janë gjithashtu të detyrueshme

Menjëherë pas tërmeteve të 21 shtatorit 2019, risiguruesit kontaktuan kompanitë e sigurimit në Shqipëri për të marrë vlerësimet e dëmeve dhe pagesat që do të vinin drejt të dëmtuarve të siguruar dhe të risiguruar. Tërmetet 5.6 – 5.8 ballësh ishin përballuar mirë pa dëme në njerëz dhe dëmet ishin materiale dhe modeste.

Por tërmetet e 26-27 nëntorit ishin katastrofale, ku numri i personave që kanë humbur jetën rritet ditë pas dite, ndërsa dëmet në Durrës dhe Tiranë ku janë shembur pallate dhe ndërtesa plotësisht dhe janë dëmtuar rëndë ndërtesa të tjera pjesërisht duhet të jenë në shifra kolosale. Bardhyl Minxhozi, një ekspert me përvojë në tregun e sigurimeve dhe themeluesi i kompanive në këtë fushë, ka pohuar në një status në “Facebook” se ky tërmet do të jetë një katastrofë shumëvjeçare ekonomike. “Do të ketë familje të tëra pa shtëpi, me biznese të rrënuara, për vite të tëra.”

Vendosja me ligj e sigurimit të detyrueshëm nga katastrofat në raporte të përballueshme dhe sipas risqeve të katastrofave, sipas zonave dhe mundësisë së pagesës së primit nga qeveria për familjet e varfra, rezulton se do të ishte një zgjidhje më efikase. Kjo, sepse do të transferonte riskun e buxhetit të shtetit, që në fund të ditës është i detyrueshëm se vjen nga taksat tona, te kompanitë e sigurimit dhe çfarë është më e rëndësishme, te risiguruesit jashtë Shqipërisë.

Ndërsa projektligji ka mbetur në sirtarët e AMF dhe së fundi të Ministrisë së Brendshme, e cila koordinon edhe projektin e Bankës Botërore për katastrofat, qeveria hezitoi ditën e parë të tërmetit por e shpalli të mërkurën gjendjen e emergjencës dhe ligjin “Për Mbrojtjen e Civile”. Ky ligj, që hyri në fuqi pak muaj më parë, e detyron buxhetin të kompensojë 100% dëmet. Atëherë është e qartë se jemi në rrethin vicioz, pagesa e dëmeve nga tërmeti kalon nga sigurimi me prime një mijë herë më të ulëta te pagesa e plotë nga buxheti, që gjithsesi mbushet nga taksat tona.

Prej rreth 8 vitesh, në Shqipëri është diskutuar për një projektligj që do ta kthente të detyrueshëm sigurimin nga katastrofat, tërmetet mbi 5 ballë dhe përmbytjet nga shirat e zgjatura, pa gjetur një konsensus mes palëve të interesuara. Në vitin 2011, kur Banka Botërore në bashkëpunim me IFC propozuan zhvillimin e sigurimeve përballë sfidave të reja, përfshirë dhe sigurimin nga katastrofat, nisma e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare për ta materializuar në një ligj, është kritikuar nga grupet e interesit dhe media, si një favor që po u bëhej kompanive të sigurimit.

Qëndrimet e FMN, BB dhe AMF për projektligjin e sigurimit nga katastrofat

Diskutimet nëse sigurimet nga katastrofat do të jenë të detyrueshme apo vullnetare kanë filluar prej vitesh. Në vitin 2014, ishte FMN që propozoi një program sigurimi kombëtar për tërmetet, për të gjithë ata që kanë një shtëpi në përputhje me kërkesat e menaxhimit të riskut nga katastrofat.

“Në mënyrë që të adresohet impakti social dhe impakti fiskal nga katastrofat natyrore, ne rekomandojnë vendosjen e një programi kombëtar të detyrueshëm për tërmetet. Përveç të qenët gjerësisht të ekspozuar ndaj tërmeteve, sigurimi nga tërmetet për shtëpitë është pothuajse inekzistent, duke lënë kështu pronarët e shtëpive dhe qeverinë, financiarisht të prekshme nga katastrofat natyrore” – shprehej FMN.

Por debatet mes të qenët të detyrueshme apo vullnetare kanë kompleksuar edhe AMF, e cila në një sqarim të datës 2 tetor 2018, lidhur me sigurimin për pasuritë e patundshme apo fatkeqësitë natyrore , shprehej se drafti teknik “Për sigurimin nga katastrofat” është hartuar nga Banka Botërore dhe është depozituar në Autoritet, në tetor 2015.

Materiali është pjesë e një nisme të Bankës Botërore, e cila përfshin edhe vende të tjera të rajonit, të cilat vitet e fundit janë prekur shpesh nga fatkeqësi natyrore, sidomos nga përmbytjet. Materiali teknik i sjellë nga ekspertët e Bankës Botërore është përcjellë edhe tek agjencitë e tjera shtetërore që kanë objekt të punës së tyre ngjarjet nga fatkeqësitë natyrore.

AMF sqaronte se që prej fillimit të vitit 2016, nuk ka zhvillime të reja lidhur me këtë draft teknik dhe rekomandimet e dhëna nga ekspertët e Bankës Botërore. AMF thekson se çdo nismë ligjore, që do të propozohet nga Autoriteti, do të bëhet në transparencë të plotë, me të gjithë grupet e interesit, duke pasur në vëmendje mbrojtjen e të gjitha interesave të qytetarëve. Kjo u theksua edhe në konferencën për shtyp të datës 26 shtator 2017, nga Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, z. Ervin Koçi. Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve, z. Koçi u shpreh për problematikat e lidhura me ngjarjet natyrore, si përmbytje apo tërmete, që kanë goditur jo vetëm Shqipërinë, por edhe vendet e rajonit, dhe theksoi se “duhet të jemi shumë të kujdesshëm kur vendosim në ligj detyrimin nga qytetarët, sepse shërbimi duhet t’i përgjigjet nivelit të detyrimit, që duhet të paguajë çdo qytetar në Republikën e Shqipërisë”.

Sipas AMF, në tetor 2018, aktualisht, Ligji nr. 52, datë 22.05.2014 “Për veprimtarinë e sigurimit dhe risigurimit” u jep mundësinë qytetarëve që të sigurohen nga zjarri dhe forcat e natyrës në mënyrë vullnetare. Por mbetet i paqartë si do të jetë qëndrimi i AMF-së pas tërmeteve të shtatorit dhe nëntorit 2019, të cilat nxorën edhe një herë në pah domosdoshmërinë e rregullimeve ligjore për sigurimin nga katastrofat. Pas VKM për sigurimin e detyrueshëm të ndërtimeve, qeveria pritet të zgjedhë edhe qasjen që do të mbajë për sigurimin e detyrueshëm ose jo nga katastrofat.

Si dështoi sigurimi vullnetar nga forcat e natyrës

Për paradoks të ngjarjeve natyrore që goditën Shqipërinë në fund të shtatorit 2019, të dhënat zyrtare tregojnë se shqiptarët po mendojnë gjithnjë e më pak për sigurimin vullnetar nga zjarri dhe forcat e natyrës. Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare raporton se për 8 muajt e vitit 2019, primet e shkruara bruto për sigurimin nga zjarri dhe forcat e natyrës ranë me 30%.
Sigurimi i ndërtesave zë një pjesë të vogël të industrisë së sigurimeve në Shqipëri dhe zbatohet kryesisht në rastet e vendosjes së tyre si kolateral për kredi nga bankat, ose në rastet e bizneseve të rrezikuara nga përmbytjet dhe fatkeqësitë e tjera natyrore, si zjarret dhe tërmetet.

Shqiptarët, për 8 muaj, kanë shpenzuar rreth 824 milionë lekë (rreth 100 milion lekë ose 1 milion dollar në muaj) për sigurimin vullnetar nga zjarri dhe forcat e natyrës dhe 329 milionë lekë, me një rënie prej 30% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2018. Kjo rënie është reflektuar edhe ndaj totalit, ku nga 11.41% që zinte ky sigurim në totalin e primeve bruto të sigurimeve të jo-jetës në vitin 2018, ka zbritur në 7.85% për këtë vit. Një trend edhe më negativ kanë ndjekur dëmet e paguara për periudhën janar-gusht për sigurimin nga zjarri dhe forcat e natyrës, me një rënie prej 53% por sigurisht që shifrat do të përmbysen pas raportimeve të muajve shtator dhe tetor, kur do të paguhen dëmet e evidentuara.

Qeveria do të paguajë 100% të dëmeve

Kushtetuta e Shqipërisë, në nenin 170 të saj, thotë se “masat e jashtëzakonshme mund të vendosen për shkak të gjendjes së luftës, gjendjes së jashtëzakonshme ose gjendjes së fatkeqësisë natyrore dhe zgjatin për aq kohë sa vazhdojnë këto gjendje”. Gjithashtu, sipas nenit 174 të Kushtetutës, Këshilli i Ministrave mund të vendosë, për një periudhë jo më të gjatë se 30 ditë, gjendjen e fatkeqësisë natyrore në një pjesë, ose në të gjithë territorin e shtetit. Nëse nevojitet më shumë kohë, atëherë shtyrja e gjendjes së jashtëzakonshme bëhet nga Kuvendi. Gjendja e jashtëzakonshme detyron qeverinë dhe njësinë e pushtetit lokal të alokojnë burimet financiare për përballimin e situatës.
Ligji e detyron qeverinë të përcaktojë afatet dhe masën e kompensimit për dëmet e krijuara, si më poshtë:

E drejta e kompensimit

  1. Shteti shqiptar përgjigjet për dëmet që shkaktohen nga pasojat e një fatkeqësie.
  2. Dëmet përballohen nga vetë bashkitë e prekura nga fatkeqësia, nëpërmjet fondit të dedikuar për mbrojtjen civile.

Në rast se bashkitë nuk kanë fonde të mjaftueshme për kompensimin, atëherë i planifikojnë ato për vitin pasardhës, deri në masën e kompensimit të subjekteve të dëmtuara.

Në rast se vlera e kompensimit tejkalon 8% të buxhetit të bashkisë, Komiteti i Mbrojtjes Civilë vendos që kompensimi të kryhet nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile. Në çdo rast, kur shpallet gjendja e fatkeqësisë natyrore, kompensimi mund të bëhet me vendim të veçantë të Këshillit të Ministrave, me propozim të ministrit.
Masa e kompensimit të dëmeve, procedurat, afatet, strukturat shtetërore përgjegjëse për vlerësimin e dëmeve, si dhe pasuritë dhe subjektet që kompensohen miratohen me Vendim të Këshillit të Ministrave.

Sigurimi i ndërtesave të reja, i detyrueshëm me vendim qeverie

Tërmetet e datës 21 shtator lëvizën qeverinë drejt sigurimit të ndërtesave të reja, por duket se kjo nuk është e mjaftueshme, pasi tërmetet e ditëve të fundit treguan se dëmet mund të jenë katastrofike dhe të papërballueshme nga buxheti i shtetit. Qeveria ka publikuar llogaritë bankare për kontribute nga bizneset dhe individët, OJQ, qeveritë e vendeve të tjera, por është shumë shpejt për të pasur një faturë për dëmet.

Duhej të ndodhnin tërmetet që qeveria të nxirrte një vendim të parashikuar nga ligji i pesë viteve më parë “Për Planifikimin dhe Zhvillimin e Territorit” (Nr. 107/2014, datë 31/07/2014). Tërmeti ka “shkundur” ministritë dhe AMF për të ridraftuar Vendimin që Këshilli Ministrave e miratoi në mbledhjen e datës 2 tetor 2019. Sipas VKM, “ndërtuesi, përpara dorëzimit të lejes së ndërtimit, duhet të kryejë dhe të dorëzojë kontratën e sigurimit të detyrueshëm për mbulimin e përgjegjësive civile dhe profesionale që rrjedhin nga gabime dhe neglizhenca që çojnë në mosrespektimin e legjislacionit dhe dokumenteve të planifikimit në fuqi, në zbatim të nenit 47, pika 2, të Ligjit Nr.107/2014, datë 31.07.2014 “Për Planifikimin dhe Zhvillimin e Territorit”.

Sigurimi i detyrueshëm për ndërtesat në fakt ishte parashikuar sipas neneve 42 dhe 47 të Ligjit Nr. 107/2014, datë 31/07/2014 “Për Planifikimin dhe Zhvillimin e Territorit” i ndryshuar, por mbetet e paqartë se pse nuk ishte miratuar VKM përkatëse prej më shumë se pesë vitesh kur ka hyrë në fuqi ligji.

Kontrata 10-vjeçare me prime të rregulluara

Sipas VKM-së, ndërtuesi / zhvilluesi / investitori i dorëzon blerësit, njëkohësisht me lidhjen e kontratës për kalimin e pronësisë së ndërtesës, një kontratë sigurimi me afat 10- (dhjetë-) vjeçar me përfitues blerësin / blerësit dhe me efekt nga data e përfundimit të punimeve, në zbatim të pikës 9, të nenit 42, të ligjit nr.107/2014, “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, të ndryshuar.

Kjo kontratë sigurimi mbulon dëmet e ndërtesës, që shfaqen pas lidhjes së kontratës së kalimit të pronësisë, përfshirë dëmet ndaj të tretëve, që rrjedhin kur, për shkak të tokës ose për defekt të ndërtimit, ndërtimi shembet tërësisht ose pjesërisht, ose paraqet rrezik të dukshëm shembjeje ose defekte të tjera të rënda. Limiti i përgjegjësisë së kontratës së sigurimit nuk duhet të jetë më i ulët se vlera totale e çmimit të shitjes të përcaktuar në kontratën e kalimit të pronësisë së pasurisë paluajtshme.

Vendimi i qeverisë rregullon edhe tarifën vjetore të primit të sigurimit që nuk mund të jetë më e ulët se 0.1 (zero pikë një) për qind e shumës së sigurimit/limit të përgjegjësisë së përcaktuar në kontratën e sigurimit. Pra, për një banesë që kushton 100 mijë euro, primi i sigurimit nuk mund të jetë më pak se 100 euro, duke vendosur në këtë mënyrë një çmim dysheme poshtë së cilës kompanitë e sigurimit nuk mund të ofrojnë policat e sigurimit./ Burimi: Monitor

Share: