Home KRYESORE Arrestimet pas tërmetit, dyshimet e Artan Hoxhës për prokurorinë

Arrestimet pas tërmetit, dyshimet e Artan Hoxhës për prokurorinë

Tre përfaqësues të Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe dy të policisë së kryeqytetit njoftuan të mërkurën për mediat gjatë një konference për shtyp detaje nga operacioni ende në vazhdim për ndalimin e 42 personave të proceduar për pasojat e tërmetit të 26 nëntorit në bashkitë Tiranë dhe Vorë.

Drejtuesja e Prokurorisë së Tiranës, Elisabeta Imeraj e konsideroi si një sukses ndalimin e 31 personave deri mesditën e të mërkurës dhe të procedimit të 11 të tjerëve, mes tyre zyrtarë të lartë ish-komunave Farkë e Yzberisht.

E pyetur pse është lënë pa u prekur Bashkia e Tiranës, Imeraj tha se hetimi vazhdonte për çdo ndërtesë edhe në qendër edhe në periferi.

Por gazetari Artan Hoxha në emisionin Opinion, tha se prokuroria ka bërë zhurmë dhe “përzgjedhja” e njësive administrative lë shumë për të dëshiruar.

Tjetër gjë ka pritur opinioni publik dhe tjetër gjë u servir sot nga prokuroria. Po të shikosh numrin e personave që janë arrestuar është një numër i madh. Prokuroria për të justifikuar edhe veten shkon merr vendimin në gjykatë, këtë herë nuk e ka bërë. Pjesa tjetër është a përbëjnë rrezik këta njerëz që janë arrestuar? Asnjë prej tyre nuk është thirrur më përpara. Organi i akuzës ka shkuar në njësi administrative, ka marrë dokumentet për dertimet që kanë qenë me probleme dhe i janë referuar ligjit të 1998. Qëllimin primar që kishte operacioni, e arriti. Dëshmoi që shteti po lëviz, që të trembin ata të tjerët por të shikojmë se çfarë prova do të ketë. Në periferi është përzgjedhur Farka, Kashari dhe Vora që janë drejtuar nga opozita, PD-ja. Po të shikosh standardin që ka përdorur prokuroria nuk është i njëjtë për të gjithë njësitë administrative”, tha Artan Hoxha.

Prokuroria ka arritur të evidentojë dëme në 25 institucione; 134 pallate dhe mbi 100 banesa private./ Opinion.al

Share: