Home KRYESORE Detaje nga grabitja e çiftit Laze, autorët e njihnin shtëpinë

Detaje nga grabitja e çiftit Laze, autorët e njihnin shtëpinë

Autorët e grabitjes me armë dhe plagosjes së çifti Laze mbrëmjen e djeshme në Tiranë mund të kenë qenë të njohur të tyre.

Kjo është një nga pistat kryesore të grupit të hetimit të cilët kanë dalë në përfundimin se njohja e ambientit të shtëpisë dhe lëvizjeve të çiftit tregon se autorët kanë qenë persona të njohur për ta.

Mbrëmjen e së dielës në orën 21:40 në rrugën ‘Njazi Meka’ në zonën e Alliasit dy persona hynë në banesën e Petrit dhe Aferdita Laze për të grabitur por pasi u ndeshën me kundërshtimin e të zotëve të shtëpisë i qëlluan ata me armë zjarri duke i plagosur. Petrit Laze mori një plumb në bark ndërsa gruaja e tij në kofshë. Ata tashëm ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Në momentin e grabitjes në shtëpi ishte dhe vajza e tyre e cila në dëshminë se saj mësohet të ketë thënë se grabitësit ishin dy, të maskuar dhe se njëri kishte armë. Me të pikasur të zotët e shtëpisë brenda në shtëpi ata kanë hapur zjarr. Por vajza e çiftit thotë se ata kishin planifikuar të udhëtonin jashtë Tiranës mbrëmjen e djeshme dhe kjo mund të ketë qenë një nga arsyet pse grabitësit zgjodhën mbrëmjen e djeshme për të hyrë në banesë.

Banesa është një vilë, dykatëshe, në katin e parë të së cilës çifti Laze kishte një biznes furre buke ndërsa katin e dytë e përdorte për banim. Një tjetër fakt që e bën grupin e hetimit të dyshojë se autorët e grabitjes kanë qenë persona të njohur është se ata kanë hyrë nga dera e pasme e cila ndryshe nga hyrja kryesore, nuk ka kamera sigurie.

Një tjetër detaj që përforcon këtë pistë është edhe fakti që autorët kanë shkuar direkt në dhomën ku dyshohet se çifti mbante lekët, por ende nuk konfirmohet nëse kanë arritur që të marrin gjë. Dyshimet janë se autorët që kanë vepruar kanë qenë tre, dy u futën brenda për të grabitur, njëri me armë për të kërcënuar dhe tjetri për të kontrolluar, ndërsa i treti i priste jashtë me makinë për t’u larguar me shpejtësi. Mjegulla e dendur ka bërë që Policia të mos identifikojë dot mjetin me të cili u larguan grabitësit.

Policia ndëkohë ka shoqëruar në komisariat për të marrë në pyetje punëtorët e biznesit të çiftit dhe fqinjë të cilët janë persona që e njihnin shtëpinë dhe lëvizjet e tyre. /Opinion.al

10

Share: