Home KRYESORE Fat i ndryshëm për vajza me bukuri të njëjtë…

Fat i ndryshëm për vajza me bukuri të njëjtë…

Nga Artur Nura

Një foto e publikuar në hapësirën e znj. Sevim Arbana, aktiviste për të Drejtat Themelore të Njeriut, në sitin shumë popullor të FaceBook-ut më tronditi sinqerisht deri në atë pikë sa të shkruaja këtë artikull!

Aty znj. Arbana kishte ekspozuar shumë foto që u përkisnin aktiviteteve të ndryshme të kryera prej saj dhe organizatës joqeveritare ku ajo bën pjesë kryesisht në fushën për mbrojtjen e të drejtave të grave.

Në fakt, në njërën prej atyre fotove shfaqej një vajzë rreth të 20-ave me fytyrë krejtësisht engjëllore, e cila sipas shpjegimit të vetë znj. Arbana, kishte vrarë njeriun që e konsideronte veten të dashurin e saj.

Pa dyshim që nuk marr përsipër të gjykoj rastin, por apriori, duke njohur psikologjinë dhe kulturën maskiliste shqiptare, vështirësitë specifike të femrës kundrejt kësaj shoqërie, veçanërisht kundrejt rasteve të meshkujve të fortë dhe së fundi edhe të pasur, arrij të kem një ide të përafërt për atë dramë tragjike.

Personalisht, besoj se kjo dramë nuk është vetëm e asaj vajze të pafat, por edhe e shumë të tjerave, të cilat, ndoshta jo si ajo që iu kundërvu situatës dramatike me krim dhe duke vrarë njeriun që i kishte vrarë ëndrrën, jetojnë nën peshën e dramës së tyre dhe i nënshtrohen asaj.

Askush nuk e di numrin e këtyre vajzave të cilat pa dyshim që duhet të jenë të shumta dhe jetojnë dramën e tyre brenda shtëpizave apo qytezave të ngritura së fundi sipas modelit provincial edhe në kryeqytetin tonë të stërmadh dhe në sipërfaqe moderne si për t’i fshehur ato me emancipimin gënjeshtar.

Rasti i vajzës së burgut parë në paralelizëm me simotra të saj në liri

Jam i bindur se kush do shohë foton e kësaj dhe me siguri atë personalisht, nuk do ta ketë të vështirë të shquajë se fati apo Zoti, ndërsa i ka dhënë fizikun dhe portretin, nuk është kursyer aspak me bukurinë dhe hijeshinë ndaj saj!

Kjo vajzë, e cila vuan dënimin sot në një nga burgjet e Tiranës, ndoshta sepse vendosi t’i bindet thënies se qenka më mirë një fund i tmerrshëm sesa një tmerr pa fund, besoj se duhet të ketë dyshimet natyrale për aktin e kryer tashmë…

Personalisht, gjykoj se në momente të caktuara, kur ajo sheh nga qelia e saj në ekranin e vogël të televizorit, i cili simbolizon jetën e lirë të vajzave simotra të saj të cilat drejtojnë apo marrin pjesë në emisione të ndryshme televizive, vihet ndoshta përballë dilemës shekspiriane: “Të jesh apo të mos jesh!”

Ndoshta ajo nuk ka lexuar asgjë nga Uilliam Shekspiri, por pa dyshim që në një mënyrë të caktuar ky fenomen njerëzor shfaqet edhe tek ajo me konture krejtësisht personale dhe normal dramatike.

Mundet që ajo vajzë të mos e dijë ose nuk arrin të kuptojë se sa i çuditshëm dhe i ndryshëm është fati për njerëzit e ngjashëm! Mjafton të mendosh se fati shumë vajzave të tjera jashtë burgut, vetëm sepse janë të bukura aq sa ajo ose ndoshta më pak se ajo, u ka dhënë mundësi të jashtëzakonshme.

Refleksion personal për rastin…

Askush nuk mund të më bindë se fati duhet të ketë bërë nga këto simotra të saj të bukura, vetëm prej kësaj cilësie sekretare, asistente, zyrtare etj. dhe të cilat…, këtë bindje të momentit që m’u krijua ndërsa shikoja foton e asaj në burg, ma konfirmoi edhe më shumë telekomanda e televizorit.

Ndërsa e kaloja nga njëri kanal në tjetrin dhe në ekranin e vogël më shfaqeshin po simotrat e saj të cilat, ose më saktë një pjesë e tyre, për nga mënyra si artikulonin fjalët, nuk më dukeshin shumë të ndryshme, por pa dyshim me fat krejt të kundërt pozitiv…!

Por ç’i dha fati kësaj vajze simotër e atyre që unë shikoja në ekranin e vogël?! Në vend të mundësive të ekranit, zyrave të ngrohta, pikërisht prej bukurisë së veçantë i vuri përpara një nga meshkujt e fortë dhe ndoshta të pasur shqiptarë… kjo i ndryshoi asaj jetën dhe vrau ëndrrën e cila mund të ishte e ngjashme me ato simotrat e ekranit të vogël…

Për çka prezanton nga pikëpamja shpirtërore dhe intelektuale ajo vajzë, personalisht nuk kam dijeni dhe i premtoj znj. Sevim Arbana se një ditë, nëse mundësitë do të bëhen mbarë, do shkoj me të në një nga burgjet shqiptare të grave për të kuptuar më shumë nga kjo botë e cilësuar narkeziane nga vetë ajo!

Znj. Arbana më thoshte se rezulton që dy janë grupet e grave, atyre të moshuara dhe vajzave të reja, të cilat janë dënuar respektivisht ose për trafik droge, ose kanë vrarë bashkëshortin që i ka dhunuar, masakruar tërë jetën.

Personalisht, gjykoj se kjo fotografi sociale dyngjyrëshe tregon se e keqja nuk është tek drejtësia ligjore e cila vetëm gjykon dhe finalizon një zhvillim të mbjellë shumë kohë më parë dhe zhvilluar deri në ditët e sotme, por tek drejtësia shoqërore, e cila duhet të parandalojë dhe që në fakt dhe për fat të keq, është e mbushur me handikapë deri nga më të çuditshmit!

PS: Ky shkrim është thjesht një opinion personal qe nuk pretendon te jete i pagabueshëm!

Share: